Nga Nada Biraçi
Fotografia: Alma Hani
Vendndodhja: Hotel Rogner
Përtej rolit herë prej princeshe e herë ‘femme fatale’ që Amina Shena ‘vesh’ në daljet e saj si modele, sapo mbyll pas vetes derën e shtëpisë, bukuroshja me sytë e shkruar vesh më të ëmblin rol, atë të të qenit mami. Amina u bë nënë për herë të parë në moshën 24-vjeçare, kohë kur për shumëkënd mund të ngjajë vendim i guximshëm, por për Aminën ka qenë mosha e duhur për të përjetuar ato ndjesi sublime.
Megjithatë, bukuroshja pranon se nëse një ditë do të ketë një vajzë, do ta këshillonte të realizohej së pari në karrierë dhe vetëm pasi të ketë arritur pjekurinë dhe pavarësinë, të krijonte familje. Biondja e ëmbël e seteve fotografike dhe pasarelave të modës, ka qenë një ndër të parat modele që ka pushtuar kopertinën e revistës “Bordo”, me gjithë elegancën e sharmin që e bëjnë Aminën të duket si një Barbie e dalë nga kutia.
Kësaj here, në revistën kushtuar krejtësisht fëmijëve, ne patëm kërshërinë dhe dëshirën për të njohur dimensionin më të ëmbël të modeles së njohur, atë të mamit të Jetnisit. Prej pesë vitesh që kur i biri ka ardhur në jetë, në familjen Dollapi ditët janë të vrullshme, ndërsa Amina me mjeshtëri e bën krejt natyrshëm kalimin nga një mami e përkushtuar te diva e një seti fotografik.
Edhe pse modele, mami e re kishte vendosur të mos nxitonte aspak për të rikthyer format fizike pasi u bë nënë, por netët pa gjumë me një të porsalindur e rikthyen Aminën sërish në fron me fizik prej modeleje, vetëm disa javë pas lindjes. E shohim në rrjete sociale e në zhvillimet e tjera të karrierës si modele, me gjithë shkëlqimin e pompozitetin e saj, por një ditë e zakonshme e Aminës me të birin është e mezipritur për të dy, kur pasi zgjedh veshjen më të rehatshme në gardërobë, i dorëzohet krejtësisht dëshirave të të voglit. Një shëtitje dorë për dore, një akullore me shije çokollate, një lojë e krijuar aty për aty dhe disa blerje llastimesh të momentit, janë copëza që për mamin dhe Jetnisin çapkën plotësojnë panoramën perfekte të marrëdhënies së tyre.
Kur më 14 qershor 2019 koha papritmas nuk ishte më vetëm e saj, Amina Shena ndjeu sesi Jeta nisi, ndjesi që zgjodhi ta përjetësojë në emrin e të birit, Jetnis…