Nëse për profesionin si avokate, Keisli Alia ishte investuar në vite studime, mjaftoi një aparat fotografik, dhuratë nga prindërit, që zeshkania nga Durrësi të kthehej shumë shpejt në emër shumë i njohur në rrjete sociale. E apasionuar pas fotografisë, modës e së bukurës, #keishliii është kthyer në frymëzimin e qindra vajzave që e ndjekin në rrjetet sociale. Por, ashtu si në çdo industri, edhe në lojën e ndikueseve konkurrenca po rritet çdo ditë…dhe duhet thënë se më të madhen konkurrente Keisli e ka në shtëpi. Quhet Solen dhe është vetëm 2 vjeçe…
Keisli, një avokate-influencer…Ku bashkohen e ku ndahen këto dy profesione?
Këto të dyja bashkohen në të pasurit varietet çdo ditë, si në influencing ashtu dhe në çështjet e zyrës, nuk mërzitesh kurrë nga rutina dhe monotonia, pasi nuk ndodh kurrë e njëjta gjë. Përsa i përket ndarjes, ndahen vetëm nga Keisli dhe Keishli (Nofka e Instagramit). Kam krijuar 2 personalitete, për t’i treguar të gjithëve që unë mundem të jem ajo formalja në zyrë dhe shpirti i lirë në rrjetet sociale.
Avokatinë e ushtron me kohë të plotë?
Që pas shtatzënisë nuk e ushtroj ‘full time’, por zyra nuk qëndron kurrë e mbyllur, pasi më vjen në ndihmë partneri im.
Po me të qenit influencere, si nisi?
Nisi në maturë. Asokohe kisha marrë dhuratë nga prindërit një aparat profesional dhe endesha rrugëve për të bërë foton perfekte me veshjen e duhur, dritën, këndin, e kështu nisa të rrisja komunitetin tim virtual dalëngadalë.
Para se të bëheshe nënë, e kishe vendosur që fëmijën do ta kishe kaq prezent në rrjetet sociale, apo zgjedhja erdhi organike?
Jo, nuk e kisha menduar, ama e dija që do ngjante nga mami kur mora vesh që ishte çupkë (qesh).
Pjesa më e madhe e grave dhe vajzave ‘vuajnë’ faktin që ai s’di dhe s’do të bëjë foto. Po ky s’është rasti yt apo jo?
Jo, jo! Që në takimet e para dola menjëherë në temë, ja bëra të qartë që e priste një rrugëtim i tillë (qesh).
A ka raste kur partneri bezdiset nga fotot e postet dhe nuk do të bashkëpunojë?
Ka raste kur lodhet se nuk arrin të kuptojë çfarë kam unë në kokë për ta realizuar, por nuk bezdiset aspak. Pastaj si mund të bezdisesh nga gruaja! “Happy wife, happy life”.
Nga postet, dukesh sikur ke zgjedhur të jesh mami ‘cool’, pra Solen bën çfarë t’i dojë qejfi në shtëpi?
Po, Solen mund të shkrijë tërë talentin dhe dëshirën e saj për të eksploruar. Unë dhe shumë moshatarë të mi vijmë nga një brez prindërish që e ruanin shtëpinë si kuti për miqtë, por sot kanë ndryshuar kohët, nuk bën më njeri gjëra për t’u dukur te miqtë apo fqinjët. Sot, prioritet i kushtohet shëndetit mendor të fëmijës dhe kjo është mënyra sesi unë kam zgjedhur ta rris fëmijën tim.
Keisli, ti e bën mëmësinë të duket shumë e bukur dhe shumë e lehtë…Ka momente të vështira që ‘fshihen’ pas atyre posteve gjithmonë ‘funny’?
Ka pafund, duke filluar që nga depresioni i paslindjes që shumë nëna nuk e cekin si temë, e quajnë tabu. Unë në profilin tim përpos momenteve të lumtura, i ndaj dhe ato momentet e kaosit dhe mërzisë me ndjekësit e mi.
Më thuaj pak kur mund të jesh jo tolerante me vajzën, në ç’rast?
Ende nuk kemi ndonjë rast specifik. Ja ka hedhur me pak deri tani Solen (qesh).
Edhe pse ende pa bërë 2 vjeç, Solen ka vjedhur vëmendjen e rrjetit. Nëse kur të rritet s’do t’i pëlqejë kjo vëmendje, si do ja shpjegoni vendimin tuaj për ta ekspozuar?
Do t’i tregoj llogarinë bankare me të gjitha pagesat e sponsorëve të saj deri atë ditë, e të bëjë ç’të dojë pastaj.
Komentet negative shpesh janë pjesë e realitetit tuaj si personazhe të njohur…Si i përjeton?
Jam rrahur me komente negative që në adoleshencë, pasi kjo është një nga të këqijat e rrjeteve sociale pa barrierë, po tani nuk më bëjnë më përshtypje. Madje i kthej përgjigje, pasi shoh që shumë gra dhe vajza të tjera që deri më sot ishin të strukura, kanë marrë zemër e ndihen më mirë kur shohin që nuk janë vetëm, kanë shoqe virtuale plot që i suportojnë, ashtu siç më kanë mbështetur dhe ato mua gjithë këto vite.
Sa mbështetës është partneri në raste të tilla? Kemi parë që edhe ai shpesh ka qenë pre e komenteve dashakeqe në rrjete sociale…
Egrit nuk i bën asgjë përshtypje, për sa kohë më ka mua në krah e jemi të lumtur me rrugëtimin që bëjmë.
Është në planet tuaja një motër ose vëlla për Solen?
Shumë shpejt do t’ju njoftojmë!