KreuBusull

Lorela Garuli: Fëmijët përballë rrjeteve sociale!

Lorela Garuli: Fëmijët përballë rrjeteve sociale!

Nga Anita Aliaj

Rrjetet sociale janë çdo ditë e më shumë një shqetësim për shoqërinë në përgjithësi, por edhe për fëmijët në veçanti. Duket se në kohët që po jetojmë, fëmijët me pafajësinë e tyre po ekspozohen gjithmonë e më shumë ndaj një rreziku të madh që vjen nga kontakti me ekranet telefonike dhe rrjetet sociale. Në këtë muaj që i dedikohet fëmijëve, “Bordo” në një bisedë më psikologen e njohur Lorela Garuli ka folur më gjatë rreth këtij problemi shqetësues, duke marrë prej saj disa këshilla të vyera, që jemi të bindur që do t’ju vijnë në ndihmë të gjithë prindërve, të cilët me gjithë zemër duan më të mirën për fëmijët e tyre..

Rrjetet sociale duket se po kthehen çdo ditë e më shumë në një shqetësim jo vetëm për të rriturit, por edhe për fëmijët. Sa e vërtetë është kjo?

Është e vërtetë që rrjetet sociale janë një problem jo vetëm shqiptar, por global. Çështja është që nuk janë ato problemi, por mënyra e menaxhimit dhe kryesisht koha se si përdoren ato nga ana sasiore, nuk do të kishte asgjë të keqe nëse ato do të menaxhoheshin mirë. Pra që fëmijët dhe adoleshentët të ishin para ekraneve në një mënyrë që nuk do t’i dëmtonte, por do t’u vlente. Por fakti që edhe fëmijët e parashkollores apo fillores qëndrojnë 2, 3 apo 4 orë përpara ekraneve është shumë e dëmshme në shumë nivele, si për nga zhvillimi i tyre psikologjik, neurologjik, i komunikimit, pastaj sigurisht dhe nga përmbajtja e asaj që ata shikojnë aty.

Në kohët që jetojmë duket gati i pashmangshëm largimi nga rrjetet sociale, çfarë duhet të bëjnë realisht prindërit?

Po, është e vërtetë që është e pashmangshme, sepse digjitalizimi, teknologjia, komunikimi virtual është pjesë e jetës dhe nuk është e mundur dhe nuk është as pozitive që p.sh. fëmija dhe adoleshenti të largohet krejtësisht nga ato, pasi ndodh një lloj izolimi nga bashkëmoshatarët, të cilët p.sh. mund të luajnë të gjithë një lojë online apo mund të jenë pjesë e një grupi WhatsApp-i. Ajo që prindërit mund të bëjnë është një lloj komunikimi të shëndetshëm, në mënyrë që nëse fëmijës i ndodh një episod qoftë i pakëndshëm apo ka nevojë për ndihmë, apo haset me një përmbajtje të pakëndshme, jo të shëndetshme, të rrezikshme psikologjikisht apo edhe fizike, që cenohet në rrjetet sociale apo qoftë edhe në video të tjera që shikon, ai të mund t’ia thotë prindit. Është shumë e rëndësishme ndërtimi i marrëdhënies së besimit, prindi duhet të jetë në dijeni të asaj që fëmija bën, por jo duke e kontrolluar në mënyrë posesive.

Nëse ka një kohë ideale që një fëmijë mund të kalojë në telefon apo të lundrojë në internet, cila është ajo?

Nëse do t’i referohemi studimeve dhe kohëve ideale që literaturat, teoria apo evidencat shkencore thonë, në fakt nuk përputhen në shumicën e rasteve me realitetin. Supozohet që deri në 2 vjeç, fëmija të mos ketë fare po fare kontakt me ekranet, pastaj deri në 4-5 vjeç vetëm disa minuta në ditë. Nga praktika e dimë që nuk ndodh kjo gjë, por ajo që është shumë e rëndësishme, është që të ruhet si gjithmonë një ekuilibër mes dëshirave  të fëmijëve për t’u ekspozuar ndaj ekraneve dhe asaj që është e shëndetshme për ta. Në gjykimin tim do të isha shumë kategorike, deri në 2-3 vjeç mendoj që fëmijët nuk duhet të kenë kontakt fare me ekranin dhe më pas të ekspozohen shumë ngadalë, aq sa në moshë shkollore pastaj, të qëndrojnë 30 minuta, 40 minuta apo 1 orë.

Çfarë roli luan shkolla dhe mësuesit? Në ç’mënyrë mund të ndikojë pozitivisht ky institucion, përpos familjes?

Roli që luan shkolla dhe mësuesi patjetër që është i rëndësishëm, por janë procese zinxhir, janë gjithmonë trinome: prindërit, fëmija dhe shkolla me mësuesin apo me psikologun e shkollës. Në gjykimin tim unë e kam thënë gjithmonë, duhet të kishte në lëndë të caktuara, apo të kishte një lëndë më vete, në të cilën të kishte kurrikula ku të mësoheshin shprehi të caktuara të kujdesit emocional, të inteligjencës emocionale, dhe aty të ishte pjesë edhe mënyra e menaxhimit për një lundrim të sigurt në internet, në mënyrë që fëmijët të dinë të evidentojnë sinjale të mundshme alarmi, për gjithë rreziqet që mund të jenë vërdallë nëpër internet apo edhe për pjesën e parandalimit të bullizmit kibernetik, bullizmi online. Kjo është diçka që shkolla mund ta bëjë nëpërmjet edukimit apo psikoedukimit, apo ndërmjet dhe rasteve konkrete apo situatave të ndryshme, që të edukohet kjo pjesa e respektimit të limiteve dhe kufijve. Pra jo vetëm menaxhimi i kohës në rrjetet sociale, por edhe limitet apo kufijtë ‘tekonlogjik’.

Tags:

Home Busull

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF