KreuBusull

Udhëtim në Oman, përrallën e 1001 netëve!

Udhëtim në Oman, përrallën e 1001 netëve!

Udhëtoni në vendin ku lind uji i trëndafilit, mes historive të lavdishme dhe pamjeve që të lënë pa frymë.

Nga tarraca e hotelit, dielli djeg, por hija e një perde damasku dhe një minder me jastëkë të qëndisur me dorë, janë vendi prej nga mund të shijosh Omanin. Përtej çative të sheshta arabe duken oaze me korije palmash, përreth malet shkëmbore si njolla ndryshku, e pastaj në horizont, ngjyra e artë e shkretëtirës, të fut në botën magjepsëse të historive të “Një mijë e një net”.

Omani, ose më saktë Sulltanati i Omanit, kufizohet me Emiratet Arabe dhe Jemenin, dalje në Detin Arabik. Vendi me sharmin e përjetshëm të shkretëtirës, xhamitë që duken si qëndisje tredimensionale, kështjellat e dala nga një libër me përrallat. Aty ku kontrastet përzihen natyrshëm, nga vargmalet e gjelbra Hajar te shkretëtira ngjyrë e Wahiba dhe bregu i kaltër i gadishullit.

Omani ka një natyrë me të cilën mund të dashurohesh 365 ditë në vit: nga aromat e trëndafilave në pranverë, aty mund të shijosh shegë të lëngshme, kajsi të shijshme dhe bajame të bardha, pa harruar mbi 100 lloje hurmash.

Për ata që ëndërrojnë udhëtime në të cilat mund të mbledhin përvoja unike, Omani është destinacioni i përsosur: nga malet me pamje mahnitëse në shkretëtirën nën qiellin me yje, duke kaluar nëpër fshatra të lashtë, deri te qytetet ku përzihet tradita dhe moderniteti, pse jo një pushim në ishujt e vegjël me ujëra të kristaltë për të notuar me delfinët dhe breshkat gjigante…

Gjithçka nis nga kryeqyteti i cili quhet Muscat, i rrethuar nga malet dhe shkretëtira. Aty mund të vizitoni vende madhështore dhe piktoreske si Xhamia Sulltan Qaboos, një ndërtesë solemne e ndërtuar në stilin e medinës, ose Shtëpinë e Madhe të Operës Mbretërore, një teatër ultra-modern. Në qendër të qytetit gjendet pazari Mutrah Souq, një nga më të vjetrit në Oman, ku mund të blini të gjitha llojet e artikujve, nga erëzat, punimet artizanale, temjani apo parfumet.

Pas zhurmës së qytetit, nëse doni të injektoni ndjesinë e paqes, udhëtoni në shkretëtirën Sharqiyah Sands, e njohur si Wahiba Sands nga emri i popullsisë beduine që jeton atje. Për një eksperiencë luksoze dhe miqësore me mjedisin, një ndër vendet me unike janë kampet beduinë, të cilat organizojnë ture nëpër shkretëtirë. Ato nisin pasdite vonë, duke shijuar një çaj në shkretëtirë, pastaj mund të soditni një panoramë të paharrueshme nën tendë, ku spikat e kuqja e diellit që zhytet në dunat e rërës. Një darkë tradicionale rreth zjarrit duke parë yjet dhe planetët, janë një moment tjetër magjik, e më pas mund të flini në tendat elegante. Në mëngjes, zgjohuni në orën pesë për të shijuar spektaklin e agimit dhe më pas safari nëpër dunat e rërës.

Nëse doni një tjetër peizazh, bëni një udhëtim në majat e thepisura nga mali i Gjelbër Jabal Akhdar deri te mali Diell Jabal Shams në Omanin. Një aperitiv në perëndim të diellit me pamje nga panorama spektakolare e shkëmbinjve ofrohet nga Alila Jabal Akhdar, një resort luksoz i ndërtuar në mënyrë unike duke u integruar me peizazhin natyror, i frymëzuar nga shtëpitë e fshatrave të zonës. Përkëdhelja e padiskutueshme është një masazh në shtratin vendosur mes shkëmbinjve, e pastaj një zhytje në pishinën e pafundësisë në mal. Aty mund të hani darkë në restorant Juniper, ku kuzhina tradicionale Omane sugjeron supën e peshkut, një pjatë autentike.

Nizwa është qyteti më i vjetër në Oman, dikur kryeqyteti. Sot është një vend ku ndërthuret kultura tradicionale e përpunimit të argjendit. Në qytet mund të shijoni Halwa-n më të mirë në Oman, një ëmbëlsirë me niseshte, gjalpë, fruta të thata, ujë trëndafili, kardamom dhe sheqer.

Tjetër destinacion është Salalah, një qytet autentik që ka mbetur i lidhur me traditat e lashta. Mos e humbisni rastin për të ngrënë drekë në mënyrë tradicionale, ulur në tokë duke ndarë shuwa, mish i marinuar në erëza dhe i gatuar në gjethe bananeje. Për t’u freskuar, notoni në ujëvarat spektakolare të Wadi Darbat, një grykë e vendosur mes bimëve ekzotike dhe gjelbërimit të harlisur.

A doni të bëni një arratisje në një parajsë të vogël: Ishujt Daymaniyat janë një rezervë natyrore me plazhe të egra. Uji i bruztë është vendi i përsosur për zhytje, prej nga mund të soditni 80 lloje koralesh dhe 900 lloje peshqish, duke përfshirë peshkaqenë leopard, barrakuda dhe breshkat.

Uji i trëndafiltë

Në shpatet e Anantara Al Jabal Al Akhdar në pranverë lulëzon Rosa damascena, një varietet persian i lules më të dashur në botë.

Shpatet e malit bëhen rozë çdo vit në fund të majit e pastaj petalet e trëndafilave zgjidhe vendosen në një tas balte, prej nga ku uji i trëndafilit distilohet nëpërmjet një sistemi artizanal. Uji ose Attari blihet i pastër dhe gjendet si esencë në parfume, sidomos tek Amouage, një markë e njohur e aromave luksoze të prodhuara në Oman. Uji attarè përdoret si bazë për ëmbëlsirat tipike si halwa ose në përzierjen e kafesë që shërbehet me hurma.

Ku të qëndroni?

Hoteli Al Bustan Palace Ritz-Carlton u ndërtua fillimisht si pallat për Sulltan Qaboos, madje edhe sot kati i fundit është i rezervuar për familjen mbretërore. Stili është arab, ku holli i mermerit të lë pa frymë. Suitat Lagoon kanë qasje të drejtpërdrejtë me pishinën, pastaj një ndalesë e parezistueshme është Spa-ja, ku mund të shijoni një masazh relaksues.

Darkave aty mund të shijoni çajin dhe muzikë live, një nga eventet më ‘in’ në qytet dhe një darkë me pamje nga deti, e pas ushqimit një shisha tradicionale. Një restorant i njohur për ushqimin e veçantë është Bait Al Luban, ku mund të shijoni kuzhinën autentike të Omanit në një mjedis super elegant.

Tags:

Home Busull

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF