
Stilistja e ardhur nga ishulli i Rodosit zbuloi magjinë e printimeve digjitale, pas eksperimenteve me tekstilet dhe dantellat, duke revolucionarizuar përgjithmonë botën e modës
Duke ecur në zyrën e Mary Katrantzou në Londër, ajo shfaqet e veshur me një fustan nga koleksioni i saj i vitit 2009, i frymëzuar nga shishet e parfumeve. Stilistja greke Mary Katrantzou, sapo ka mbërritur nëpërmjet Eurostar nga Parisi ku mori pjesë në prezantimin e bizhuterive të mikes së saj greke Eugenie, trashëgimtare e anijeve Niarchos. Tabelat me batuta humori në zyrë kanë tema krejtësisht të ndryshme që frymëzojnë stafin për të krijuar në mënyrë sa më pozitive. Që në fillimet e saj, ai dalloi me teksturat që përfshijnë dantella delikate, rruaza me ngjyrë oqeani dhe qëndisje reflektuese si lëkura e gjarprit, një gjetje e cila revolucionarizoi botën e modës.
Mary, si lindi pasioni për modën?
Nuk kam dashur kurrë të bëhem stiliste. Kam studiuar për arkitekturë, pastaj për interier, e pastaj bëra master për modë.
Reflektoni shpesh kulturën e vendit tuaj, Greqisë, pse?
Jo domosdoshmërisht! Pika ime e frymëzimit mund të jetë një dekadë, një epokë, një siluetë specifike, është gjithmonë një ide që merr formë në veshje. Por aty ka gjithmonë një filtër artistik, i cili u jep jetë koleksioneve të mia. Sigurisht edhe Greqia shpesh është pjesë nga motivet deri te teksturat apo prerjet, pasi është një qytetërim i cili më jep gjithmonë frymëzim.
Ju jeni pioniere e printimeve digjitale, pas këtij suksesi, a është e vështirë të vazhdoni të evoluoni?
Ju shihni stilistët që nuk ndryshojnë aq shumë sezon në sezon, kështu që në një moment e kupton se ekziston një formulë dhe ka një arsye pse njerëzit nuk ndryshojnë. Por kur je një stilist i ri duhet. Duhet të ketë një fazë që ju lejon të përcaktoni se kush jeni në të vërtetë dhe unë nuk ndihem sikur jam ende atje. E kam gjetur veten duke ndjerë se kam thënë aq shumë përmes printimit, sa nuk mund të gjeja diçka që më emociononte. Kur pashë se njerëzit filluan t’i blinin, kjo ishte vërtet ngazëlluese për t’u fokusuar te printimet digjitale, kështu që nuk mund të ndaloja. Madje, deri vonë nuk kisha besim për ta çuar diku tjetër, por tani ndihem më e lirë.
Si ishte ai evolucion?
Mbaj mend që isha vërtet e pasigurt, nëse duhet të ndryshoja. Bëra një koleksion që ishte i gjithi bardh e zi, por isha e pasigurt. U ndjeva në kurthin e ngjyrave. Pas printimeve digjitale reagimi ishte i paparashikueshëm. Kështu që sezonin tjetër, isha më e nxitur për të ecur përpara. Një vit më parë nuk kishim asnjë printim në pasarelë, e pastaj u kthye në kryefjalë.
Ju është dashur të bëni një prerje të pastër?
E drejtë, edhe pse të kuptosh printimin është shumë e komplikuar, aq sa shpesh askush nuk e vëren. Është kaq vizuale dhe ndikimi është aq i madh sa mposht gjithçka tjetër, kështu që duhej të ishte një prerje e pastër që thotë, ka të bëjë me teksturën, me formën, ka të bëjë me një estetikë të ngjashme me diçka që e kemi parë shpesh me sy të lirë, por të sjellë në një mënyrë tjetër. Ky ishte koleksioni im i parë, ku jam ndjerë mjaft e lirë për të bërë çfarë të dua. Tani, sigurisht ndihem akoma më e sigurt.
A ke frikë nga përsëritja?
Mendoj se është e nevojshme të kesh dyshime në vetvete! Çdo krijues ka dyshime. Në industri të tjera një produkt mbetet edhe për pesë vjet, ose zgjat përjetë dhe nuk ke nevojë të vraposh për të kërkuar ide të reja. Në modë duhet të vendosësh një produkt të ri çdo gjashtë muaj, një kohë e shkurtër kjo për të përpunuar idetë, është pak kohë për t’u zhvilluar. Edhe pse është e pamundur, mendoj se mbi të gjitha nuk duhet të dyshosh se diçka e re do të vijë…
Shumë stilistë kanë një ndjenjë të fortë besimi, a është kjo vetëm një fasadë?
Kur puna jote prezantohet nëpër intervista apo pasarela, faza e dyshimeve ka kaluar dhe madje nis e beson vërtet në atë që ke krijuar. Por në fazën fillestare, ka dyshime. Por kur ke një ide të qartë dhe pastaj kur e sheh të realizuar, besoj se do të ishte marrëzi të ishe i pasigurt dhe të thuash: Nuk jam e sigurt se çfarë kam prezantuar këtë sezon. Mendoj se secili duhet të ketë besim në vizionin e tij. Unë jam e sigurt në atë që kam bërë kur e prezantoj, ndërsa kur jam duke e dizajnuar atë, luftoj me veten për të shmangur çdo dyshim dhe ky proces ndodh në mendjen e çdo stilisti apo krijuesi.
A jeni më intuitive apo më analitike kur dizenjoni?
Kur je në fillimet e tuaj je më pak e sigurt në vetvete dhe priresh të jesh më analitike. Pjesa më e madhe e edukimit tonë ka të bëjë me teorinë, prireni të filozofoni më shumë. Por sa më shumë të jeni të sigurt dhe të keni plotësuar njohuritë tuaja, merrni vendime të qarta. Shpesh duke hedhur hapa të vegjël që askush nuk i vë re, ke fituar besimin, intuitën për të qenë e sigurt në atë që bën.
Ju mendoni për një temë për çdo koleksion përpara se të filloni t’i dizajnoni, apo jo?
Pa prodhuar diçka, nuk mund të ndërtosh një ide tjetër. Me ritmin e modës moderne, duhet të merren vendimet shumë shpejt. Janë katër koleksione në vit, ndaj duhet që çdo gjë që ndodhi atë sezon të ndikojë edhe në sezonin tjetër. Çdo sezon duhet të ketë një temë. Më duhet të vendos filozofinë para se të bëj diçka.
Më tregoni qasjen e një koleksioni, si ju ka frymëzuar?
Çdo shfaqje ka një entitet tematik. Për shembull, një prej tyre u frymëzua nga një ide që lindi brenda një tempulli, i cili u ndërtua rreth vitit 450 para Krishtit. Ishte shumë interesante për mua të kthehesha në rrënjët e mia. Disa u frymëzuan nga citate të filozofëve të mëdhenj si Aristoteli apo Sokrati; të tjerat bazoheshin në teoremën e Pitagorës. Pra idetë janë aty në dysheme, në errësirë, bardh e zi, mjafton t’i gjesh për t’i dhënë spektrin e ngjyrave që dëshiron.
A do të vazhdoni të qëndroni në lojën e printimeve digjitale?
Kam qenë gjithmonë në krye të inxhinierisë së precizonit të printimeve, nga marrja e mostrave te prodhimi, që do të thotë se çdo printim ka një saktësi absolute. Tani kemi shumë projekte që kanë si bazë tekstilet arkivore ose printime arkivore, që kemi krijuar gjatë këtyre viteve tona në modë.

Universi i këpucëve të Gianvito Rossi!

Recetë verore/ Speca të mbushur me rikota!





Horoskopi ditor, e shtunë 29 korrik 2023









Horoskopi ditor, e premte 28 korrik 2023



