Dritat e skenës u fikën! Ky është një moment i trishtë për çdo aktor, e për më tepër kur ky mund të jetë roli i fundit për sezonin artistik. Niada Saliasi, aktorja e talentuar, sapo ka mbyllur me sukses të gjitha netët e projektit të fundit artistik “Ëndrra ime, Rina”, një shfaqje nga regjisori Spiro Duni e shkruar nga Pëllumb Kulla, e konsideruar e fundit për skenaristin legjendë të teatrit shqiptar. Në një intervistë për “Bordo”, artistja e mbi 20 roleve në teatër dhe kinema, rrëfen për eksperiencën e saj, projektet e ardhshme, madje zbulon për lexuesit edhe pasionet e saj, si dhe planet për pushimet verore.
Më në fund në skenën e teatrit një vepër shqiptare, si e prite propozimin?
Do të korrigjoja duke të thënë që viteve të fundit dramës shqipe i është dhënë prioritet dhe për këtë më vjen shumë mirë. Ndërsa përsa i përket propozimit për të qenë pjesë e shfaqjes “Ëndrra ime, Rina”, unë jam aktore dhe për mua çdo propozim është një shans më shumë për të qenë afër skenës, me dëshirën më të madhe dhe përkushtim maksimal…
Një vepër shqip, nga një penë e madhe, si ishte të luash një pjesë të Pëllumb Kullës?
Së pari, falënderoj ekipin realizues të shfaqjes, sepse kemi bërë të gjithë bashkë një punë intensive për t’i dhënë jetë çdo germe të autorit. Unë personalisht e njihja penën e zotit Pëllumb Kulla, por nuk e kisha takuar deri në momentin e premierës…! Uroj të kemi shprehur në skene atë që autori ka dashur të përcjellë te publiku. Të luash në një vepër të tillë sa realiste, po aq sa dhe poetike, sa e thjeshte duket aq edhe komplekse është, por besoj se publiku po merr një shije të mirë dhe mund të them që ishte një punë e mirë…, falë dhe asaj që autori dhuroi.
Roli juaj ishte ai i një vajze aspirante për aktore, krah profesorit që po kalon një prag divorci, si do ta përshkruaje raportin me Neritanin?
Nuk është hera e parë që unë e kam partner Nerin dhe e them me bindje që ai është një partner shumë i mirë, dhe sigurisht kjo e bën edhe më të lehtë rrugën drejt realizimit të rolit.
Si është të kesh krah Emën, profesoren e Akademisë, apo në skenë sheshohen të gjitha?
E thashë edhe pak më parë, që falë të gjithë aktorëve dhe regjisorit Spiro Duni, teksti i zotit Pëllumb Kulla mori jetë në skenë. Ema ka qenë pedagoge e imja që në Akademinë e Arteve dhe lënda e saj ka qenë një nga të preferuarat e mia, por pozitat atëherë ishin ndryshe pedagog-student. Sot si kolege, ajo që mund të them është se Ema jep jetën për skenën edhe kjo e bën madhështore, nuk kursehet në asgjë dhe për asgjë, prania e saj në shfaqje është vlerë e shtuar.
Me regjisorin Spiro Duni nuk është hera e parë që punoni, në këtë shfaqje kishte më pak kontakte fizike, për t’ia lënë çdo gjë në dorë fjalës, si u komportuat?
Do të thosha që Spiro Duni është një regjisor që njeh mirë punën me aktorin dhe jo vetëm në këtë vepër, por edhe në projektet e tjera për të, fjala është prioritet, por jo vetëm fjala edhe përjetimi, ritmi dhe cilësia. Unë kam punuar me Spiron edhe projekte të tjera dhe kjo e bën më të lehtë punën duke kuptuar teknikën, pavarësisht se për të arritur te rezultati duhen net pa gjumë.
Pse shumica e shfaqjeve ngjiten pak ditë në skenë, nuk udhëtojnë në teatrot e rretheve, nuk jetojnë gjatë?
Më vjen mirë që e keni bërë këtë pyetje, sepse shumë shpejt të gjitha shfaqjet e Teatrit Kombëtar do të kenë fatin e mirë të udhëtojnë nëpër turne të ndryshme, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, ndoshta edhe më gjerë.
Shumica kanë përshtypjen se Niada si natyrë solare preferon komeditë, unë besoj të kundërtën? Ku ndihesh më komode?
Unë komode ndihem në çdo tekst të mirë, qoftë kjo komedi, dramë apo tragjedi. Mendoj se një material i mirë të bën të hulumtosh thellë për të arritur te figura artistike dhe për më tepër, rruga për të arritur te roli është po e njëjta në çdo zhanër.
Vetëm 20 vjeçe keni luajtur rolin e parë, si e kujton?
Emocion, aty nisi gjithçka! Ndoshta po të tentoja tani të bëja të njëjtin rol do ta kisha bërë ndryshe, nuk e di po hamendësoj, por një gjë e mbaj mend: ndjesinë, ishte shumë e bukur.
Karriera jote është një rrugëtim i bukur, plot ngjyra, televizion, film, teatër, cila prej tyre ka formuar Niadën si artiste?
Të gjitha bashkë. Besoj se çdo eksperiencë të bën të rritesh, qoftë edhe e gabuar në një moment. Unë nuk jam pishman për asgjë çfarë kam bërë në jetë, sepse pikërisht këto eksperienca kanë bërë të njohur Niada Saliasin.
A keni ndonjë projekt filmi në dorë?
Refuzova një rol në film vetëm para një jave. Motivacioni nuk më pëlqeu…
Statusi i aktorit ka ndryshuar, ka më shumë shfaqje, po a jeni financiarisht po aq të vlerësuar?
Jo aq sa e meritojnë aktorët. Por, unë personalisht jam njeri që monedhën nuk e kam prioritet, e bëj punën që dua dhe mendoj që kur t’i bën atë që të bën të ndihesh mirë, monedha është sekondare.
Një aktore e bukur dhe e talentuar si Niada, çfarë bën për të qenë gjithmonë kaq në formë, kaq solare, a keni një regjim?
Uhhh, kam një mekanizëm shumë të mirë për të mbajtur larg vetes njerëzit toksikë dhe nëse qëllon ta kem afër ndonjë për 1000 faktorë, e bllokoj energjinë e tij/saj, kjo përsa i përket anës së brendshme. Ndërsa për formën fizike, të falënderoj që më komplimenton por…, ka vend për përmirësim…!
Përtej skenës, cilat janë pasionet e Niadës, me çfarë e mbushni kohën tuaj të lirë?
Pasioni im janë njerëzit pozitivë, njerëzit që nuk flasin për emra, por për ide dhe projekte. Pasionet që mbushin kohën time janë piktura, poezia, sporti dhe libri.
Sapo kanë nisur pushimet, a keni një vend të preferuar dhe ku do të shkoni sivjet?
Është e çuditshme sepse unë sa herë kam bërë plane kam dështuar për shumë arsye, ndaj gjithmonë pushimet i kam për në momentin e fundit. Riviera shqiptare është ajo që më thërret çdo vit, por ka shumë mundësi që disa pushime do të jenë të destinuara edhe jashtë Shqipërisë.
Instagram:Niada.saliasi – Facebook:Niada Saliasi – Tik-tok Niadasaliasiofficial