KreuFashion

Ditari i pazakontë i Miss Londrës, Françeska Murati!

Ditari i pazakontë i Miss Londrës, Françeska Murati!

Pushimet verore të Françeska Muratit, një turizëm sfidues, plot aventurë dhe adrenalinë, duke bërë hiking dhe duke shijuar vende me peizazhe unike, histori dhe kulturë në Britaninë e Madhe..

Një bukuroshe askush nuk mund ta mendojë gjatë pushimeve verore përveçse në plazhet me rërë të bardhë, palma dhe kaltërsinë e detit. E në fakt, Françeska Murati, bukuroshja e cila ka fituar kurorën e “Miss Londra”, preferon krejt të kundërtën. Teksa shfleton me lexuesit e “Bordo” ditarin e saj të udhëtimeve, pushimet e saj janë nga ato që duan shumë energji, e mbi gjithçka, kuriozitetin për të zbuluar vende të reja. Bukuroshja nuk zgjodhi plazhet, por malet e larta.

Aventura e Françeskës nisi në muajin maj, një të diel tipike britanike me shi. Pushimet e saj filluan duke shkelur malet e Britanisë së Madhe, me qëllim kapjen e majave të tyre. Ajo ka bërë hiking në tre nga malet më të larta në Britaninë e Madhe, fillimisht në Ben Nevis në Skoci, pastaj drejt lartësive Scafell Pike në Angli, e si destinacionin final në Snowdon në Wells.

“Ishte një nga gjërat më të bukura që kam bërë në jetë. Udhëtimi im nisi nga Londra, duke marrë trenin Kings Cross, direkt për në Edinburgh të Skocisë. Ishte një qytet super i bukur, i njohur ndryshe edhe si vendi nga ka ardhur inspirimi për Harry Potter”, rrëfen bukuroshja për “Bordo”.

Pas kësaj ndalesë të marrë, ajo me makinë është nisur drejt Ben Nevis, që siç edhe shpjegon, akomodimi ka një pafundësi zgjedhjesh, nga hotelet deri te kështjellat e bukura. “Mu deshën rreth 7 orë për t’u ngjitur në malin Ben Nevis sepse ishte shumë e vështirë, po ja vlejti, sidomos për pamjet e mrekullueshme”, kujton ajo. Por aventura nuk mbaroi këtu, pasi në ditët në vijim Françeska zgjodhi të vizitonte edhe dy male të tjera, një aventurë përzier me pamjet e mrekullueshme, por edhe ushqimin tradicional britanik. “Provova një ‘sunday roast’, mish me perime dhe patate, një pjatë e cilat në Angli shoqërohet padyshim me birrat vendase. Në këto zona ka disa taverna që kushdo që udhëton duhet t’i vizitojë, pasi janë të këndshme dhe aty të ofrohet pjata autentike si Haggis, një ushqim tradite skocez apo Cullen skink, një supë tradicionale shumë e shijshme”.

Vetëm një muaj më pas, në muajin qershor, vajza bukuroshe, kishte bërë sërish gati valixhet e udhëtimit, këtë herë në Cotswalds, një qytet i vogël, rreth dy orë larg Londrës. Cotswolds është e rrethuar nga kodrat e gjelbëruara, ku spikasin sidomos për stilin e tyre unik, shtëpitë dhe kishat mesjetare të ndërtuara me gurë gëlqerorë të verdhë.

“Pasi viziton qytetin, për drekë rekomandoj Porch House që është pubi më i vjetër në Angli dhe ajo që spikat sapo hyn brenda, është një energji shumë e veçantë, kjo e shoqëruar nga një ambient me oxhak, ku shërbehet ushqim tradicional britanik. Provoni edhe Bantam Tea Room, vendi ku mund të shijosh një pasdite tipike angleze mes shijes së çajit dhe peizazhit të fshatit”.

Françeska rekomandon për lexuesit tanë edhe Castle Comb, një fshat shumë i veçantë, e po aty pranë, mund të vizitoni kështjellën ku është xhiruar seriali “Downton Abbey”. Kështjella Highclere është ndërtuar në vitin 1679 dhe dallon sidomos për stilin e arkitekturës viktoriane. Aty ka një ekspozitë egjiptiane dhe padyshim, kopshtet fantastike, janë një mundësi e cila nuk duhet humbur.

Fituesja e kurorës së “Miss Londra 2023”, nuk e mbylli turneun e saj vetëm me vizitën emocionuese në Cotswalds, pasi Cambridge do të ishte destinacioni përmbyllës. “Nuk di se çfarë të them përveçse një qytet shumë i bukur! Kushdo që vjen në Britani duhet patjetër të shohë të paktën një herë në jetë këtë vend, të ngjan vetja sikur je në një film pasi çdo vend, e gjithçka që të rrethon është e bukur dhe e veçantë”. Murati rrëfen se Cambrigde mund të vizitohet jo vetëm përmes rrugëve, por edhe gondolave, prej nga mund të shijosh një pamje krejt autentike të qytetit.

“Udhëtimi me gondola është shumë i bukur. Kushton vetëm 20 paund. Mjafton të blesh një pije tradicionale, e cila quhet Pimps dhe brenda pak minutash nis aventura. Pasditeve mjaft interesante janë piknikët tipike të çajit, të cilat mbushin kanalet me gondola”, rrëfen për “Bordo” Françeska, e cila nuk la pa prekur simbolin e qytetit, universitetin.

I themeluar në vitin 1209, Universiteti i Kembrixhit është universiteti i tretë më i vjetër në Angli, ndaj një turne për të zbuluar qytezën e dijes nuk duhet ta humbni. Pikërisht në ato rrugë e vende që jeni duke vizituar sot, dikur kanë qenë edhe emra të njohur si: Lord Bajron, Charles Darwin, Stephen Hawking, Vladimir Nabokov, Isaac Newton apo Alan Turing, plot 120 personalitete fitues të çmimit Nobel.

Ky ka qenë ditari i udhëtimeve të kësaj vere për bukuroshen Françeska Murati. Vajza me kurorën e më të bukurës së Londrës, në vend të plazheve të ngrohta e me diell, zgjodhi një turizëm sfidues, plot aventura dhe adrenalinë, duke shijuar vende me peizazhe unike, histori dhe kulturë të rrallë në Britaninë e Madhe.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF