KreuFashion

Parukieri i njohur Yusuf Atlli: Ja ngjyrat trend të kësaj vjeshte!

Parukieri i njohur Yusuf Atlli: Ja ngjyrat trend të kësaj vjeshte!

Pushimet mbaruan dhe që në ditët e para të shtatorit, të gjitha vajzat vrapojnë të gjejnë sallonin e duhur për të trajtuar flokët e dëmtuara nga dielli, si dhe gjetjen e ngjyrës më cilësore, por edhe ndjekjen e tendencave më të fundit. Yusuf Atlli nga Style n’ Smile zbulon në këtë intervistë për “Bordo” të gjitha mënyrat e trajtimit të flokëve tuaj, si dhe sugjeron trendet e fundit mbi gamën e koloreve që ofrohen. Style n’ Smile është salloni më i mirë në kryeqytet, i cili ofron produktet më të mira për trajtimin e flokëve dhe markat më prestigjioze të ngjyrave.

Yusuf, është sezoni i shtatorit, ku vajzat kthehen nga plazhi dhe flokët nuk janë në gjendjen e tyre më të mirë. Cila është e para gjë që i ofroni në sallon?

Këshillat që japim gjithmonë sidomos sezonin e verës, por floku sigurisht ka nevojë për kujdes çdo ditë të vitit, por sidomos gjatë verës, është përdorimi i produkteve specifike dhe shpëlarja e shpeshtë e flokut me ujë të pastër, pasi si deti ashtu dhe pishinat përmbajnë kripë dhe klor duke e ashpërsuar flokun dhe duke e dëmtuar atë. Ashtu si dhe dielli, duhet një mbrojtës dhe spray për mbrojtjen e flokëve, ashtu siç mbrojmë fytyrën dhe trupin. Sepse dëmtimi i flokëve nga dielli çon në flokë të djegur, pa jetë dhe që nuk kanë funksion duke u quajtur si  “të vdekur”. Prandaj problematikat që hasim më shumë me klientet që kthehen nga pushimet dhe nga sezoni i verës është: flok i ashpër, i dëmtuar, pa shkëlqim dhe skalp i irrituar. Trajtimet që ne ofrojmë janë të ndryshme dhe sipas problemeve specifike, pasi ne i bëjmë një analizë të thjeshtë. Kemi trajtimin me Haviar që e ushqen flokun deri në thellësi, ka veti rigjeneruese dhe që ka një sërë benefitesh për flokun, që ju mund ta shikoni direkt pasi e keni aplikuar. Kemi dhe trajtimin Fusio Dose, të cilat janë ampula që i vendosen flokut dhe që janë të ndara në disa kategori, ku çdo kategori trajton problemin specifik që floku ka nevojë për një periudhë afatgjatë. Si për shembull: flok i thatë apo i dëmtuar, maja dyshe apo të elektrizuar, flokë “pa jetë” apo për mbrojtjen e ngjyrës etj.. Kemi dhe trajtimin me Smart Bond që ndryshe tani e njohim dhe si Keratin Botox, që e strukturon flokun, duke i dhënë shkëlqim dhe butësi. Është trajtim i thellë, zbutës dhe filler për fibrën e flokut me anë të Keratinës. Mbush çdo zonë të flokut, e cila është e dëmtuar ose gati për t’u këputur. Për informacione më specifike dhe për secilin trajtim sigurisht i gjeni 24 orë pranë sallonit tonë, si dhe në rrjetet tona sociale. Por, para se të përdoret trajtimi, më parë duhet parë floku dhe problemin e caktuar që ka, në mënyrë që të përdorim trajtimin e duhur.

Pas trajtimit vjen boja? Çfarë bojërash përdorni në sallon dhe cilat janë të veçantat e tyre?

 Atëherë, ne kemi shumë kliente dhe në varësi të ngjyrës që duan të arrijnë, ne ofrojmë zgjidhjen më të sigurt për të ruajtur flokun e shëndetshëm. Ne përdorim të gjithë gamën e gjerë të bojërave të L’Oreal, Schwarzkopf dhe Balmain. Janë bojërat më të mira në treg që përveç realizimit të ngjyrës, kanë një sërë përbërësish që ndikojnë sa më pak në dëmtimin e flokut. Është shumë e rëndësishme zgjedhja e bojërave, që përdoren për flokun. Një bojë cilësore, një flok akoma më cilësor. Bojërat e tjera përmbajnë një sasi të lartë të amoniakut dhe të peroksidit, duke e dëmtuar rrënjën e flokëve tuaj. Flokët, ashtu si trupi, priren të grumbullojnë toksina, toksina me pigment dhe si rezultat i së cilës, ato mund të marrin një hije të pistë dhe të errësohen. Përveç kësaj ne te bojërat profesionale bëjmë përzierje “të shëndetshme” që dhe ngjyra, por edhe shëndetit i flokut të jetë pa kompromis. Sepse njerëzit mendojnë se kanë kursyer lekët e bojës, por nga ana tjetër do të harxhojnë për rigjenerimin përsëri të flokut, duke paguar shumë herë më shtrenjtë. Prandaj ti mund të paguash njëherë mesatarisht, por e ke të sigurt flokun brenda asaj që çfarë ti përdor. Gjeja që më bën më shumë përshtypje është që shumica e njerëzve interesohen për çmimet, në vend që të pyesin në fillim çfarë produkti përdorin dhe çfarë ka në përbërje ky produkt. Sigurisht që dhe çmimi ka rëndësinë e tij, por gjithmonë duhet të vijë cilësia e para. Ne mundohemi të zgjedhim bojëra jo që janë vetëm IN në Shqipëri, por në të gjithë botën. Pas një analize dhe eksperience të gjatë, ne bëjmë zgjedhjen e bojërave që do të përdorim në sallonin tonë.

Po ngjyrat, cilat janë ato që do të sugjeronit në këtë sezon dhe që janë më në modë?

Moda duke ndryshuar vit pas viti i vë edhe njerëzit në lëvizje, duke qenë “IN” dhe duke ju përshtatur herë pas here. Subtle Ombre është një nga trendet e këtij viti që përmban një nuancë më të fortë, sipër një nuance tjetër që duket se shkrihet natyrshëm nga mesi i fijeve deri te skajet. Illuminate Brunette, është një trend që pavarësisht kohës dhe modës, vajzat gjithmonë e kërkojnë. Përmban një bazë kafe me thekse të plota, në mënyrë që të duket dinamike nga çdo kënd, preferohet edhe për faktin se do më pak mirëmbajtje. Targarjen Blonde, është rikthimi i flokëve bionde platini të akullt. Sigurisht kjo do shumë guxim dhe mirëmbajtje. Por mund të ngrohet pak me nuanca të tjera brenda, në mënyrë që t’i përshtatet lëkurës se çdo klienti. Radiant Red, këtë vit na ka befasuar me vajzat që vijnë dhe kërkojnë ngjyra të guximshme për flokun e tyre. Këto ngjyra do të vijojnë të jenë trend përgjatë gjithë sezonit të vjeshtës. Të kuqe të arta me theks biond, ngjyra si ginger apo karotë, janë gjithashtu tendencat e këtij sezoni. Ka edhe disa trende të tjera, por që në Shqipëri nuk guxojnë shumë për të ndryshuar ‘look-un’ e përditshëm komplet, po prek dhe pak ngjyrat e qershisë të cilat janë kthyer sërish në mjaft të preferuara.

Ju keni edhe shumë kliente nga bota e televizionit. Nga eksperienca juaj në ekran do të sugjeroni flokë të gjatë apo të shkurtër? Të lyer me ngjyra natyrale apo ngjyra të forta?

Tashmë dhe ne jemi bërë pjesë e televizioneve dashur pa dashur, duke qenë se jemi përfshirë shumë me klientët. Vitet kanë ndryshuar dhe bashku me to dhe ndryshimi për ‘look-un’ në televizione. Në qoftë se më përpara sugjeronim ngjyra të forta ose kontradiktore, siç ishin bionde ose të zeza, tani themi komplet të kundërtën. Tani jemi te ngjyrat natyrale me pak ‘highlight’ ose ‘balayage’. Jemi te tonet e buta, por flokë që shkëlqejnë. Këto janë të paktën sugjerimet e mia. Ndërsa përsa i përket gjatësisë, po jetojmë në kohën e extensions dhe floku i gjatë është gjithmonë “in”, prandaj një floku natyral të gjatë askush nuk do t’i thoshte jo. E rëndësishme, dua ta theksoj përsëri, është që floku i gjatë apo i shkurtër të jetë i shëndetshëm, dhe plot shkëlqim. Kjo është një gjë që s’del kurrë nga moda.

Diskutohet shpesh larja e flokëve, por ka edhe mendime që duhet të lahen një herë në javë, si qëndron e vërteta, që të mos dëmtohen, por edhe të ruhet sa më gjatë ngjyra?

Larja e flokëve do jetë një temë diskutimi që nuk do mbarojë kurrë. Për shkak të shumë arsyeve që na rrethojnë. E para, shumë parukierë kanë mendimet e tyre personale, dhe e dyta, në varësi të kushteve të përditshme që ndodhet klienti. Flokët dhe lëkura e gjithsecilit është ndryshe dhe këto këshilla nuk funksionojnë njësoj për të gjithë. Larja e përditshme ose një herë në dy ditë është e dëmshme për flokun tuaj. E kuptoj për njerëzit që e kanë flokun me yndyrë dhe ju duhet ta lajnë përditë për shkak të saj, por zgjedhja e produkteve të duhura nuk do t’ju çojë në yndyrë të përditshme. Dhe një herë në javë, jo se ka ndonjë problem, por nuk është mirë që floku të rrijë pis për një kohë të gjatë, prandaj ideale dhe e përshtatshme është dy herë në javë. Është shumë e rëndësishme përdorimi dhe zgjedhja e shampove për flokët tuaj. Ruan një rol kryesor dhe kyç në mbarëvajtjen e cilësisë së tyre. Për çdo këshillë specifike, ju presim për konsulta falas pranë sallonit tonë dhe sugjerimin në lidhje me çfarëdo produkti që do të kenë nevojë. Cilësia nuk është rastësi, por zgjedhje.

Bordo
Gusht - No.61

SHKARKO VERSIONIN PDF