
Nga Eda Bano
Në Montréal, Canada, nuk shkova me avion. Nisur nga shteti Main i USA, shijova mrekullitë e jashtëzakonshme që të dhurojnë vendet e North-America. Më në fund, pasi kaluam edhe shtetin e Vermont, mbërritëm në një pikë kufitare modeste, bosh. Aty doli një doganier i qeshur dhe shumë i lumtur që na pa.
Ishte aq i butë e i bardhë, sa më pas do ta etiketonim me lloj-lloj epitetesh: sheqeri, akullorja, ëmbëlsira, sweetie… Doganieri i qeshur, pasi studioi pasaportat tona në zyrën e tij, doli dhe tha, “A e dini që udhëtarja pas jush nuk ka vizë kanadeze? Çfarë lidhje keni me të?”. “Është vajza jonë”, thamë. Ai qeshte dhe qeshte dhe u përgjigj, “Ah po, këtë unë e dija, por ju pyeta ashtu kot. Mirë se vini në Canada”, shtoi ai.
Në fakt vajza jonë nuk e kishte vizën kanadeze dhe kjo më kishte bërë të kisha pak frikë se mos nuk e kalonim dot kufirin. Kisha përpiluar planin “B”, të cilin do ta vija në jetë sapo doganieri i ëmbël dhe sheqer, ashtu sheqer siç ishte, të thoshte “kthehuni mbrapsht!”.
Por përgjigjja e tij më lumturoi pa masë! Isha gati ta përqafoja doganierin ëmbëlsirë, por e përmbajta veten, sigurisht.
Montréal ishte vetëm fillimi i asaj që më gjysmë zëri e kisha quajtur “ditët e mia kanadeze“, pasi plani im, përmbante një tur në të gjitha qytetet me kryesore të Kanadasë, përfshirë edhe British Columbia gjithashtu. Teksa makina rrëshqiste për Montréal, (në West)-kjo ishte e dukshme, sepse dielli flakërinte e kuqëlonte në të quajturat “golden hour“, duke shpalosur një perëndim të kuq para syve tanë e duke na dhënë një pamje mbresëlënëse.
Në Montréal mbërritëm në mbrëmje, dhe mbrëmja është vërtet spektakolare, pasi kalon një urë dhe sheh urat e tjera me drita shumëngjyrëshe mbi lumin Shën Lorenc, përpos relievit të pallateve me ndriçime të mrekullueshme.
Nata jep një tjetër ndjesi në fakt, një ndjesi shumë të këndshme që s’duhet humbur. Sapo mbërrin në downtown, të shpaloset jeta vibrante, e zhurmshme, me koncerte dhe vende argëtimi të posaçme kudo! Koncertet e xhazit bëheshin përnatë nga 20 qershor deri më 6 gusht, aty mund të shkonte gjithkush, të kërcente, dëgjonte, shijonte këngëtarë dhe performanca artistësh nga e gjithë bota.
Dy blloqe më tutje ishte festivali “Netët afrikane”, ku për hyrjen thjesht duhet të lejoje policinë që të të kontrollonte çantën. Muralet në Montréal nuk janë si kudo. Netëve, nëpër faqet e pallateve mundet të shihje filma të vërtetë me historinë e Kanadasë, luftërat, fitoret, racizmin, njerëzit me emër, apo të shijoje dhe një koncert të tërë! Rrugët të mbushura me artistë rrugësh, ushqime të ndryshme që ofroheshin nëpër kioskat e vogla stolisur me drita e reklama, performanca, valltarë e kërcimtarë, karaoke, cirk, rulota fati, njerëz të gëzuar që shijonin gjithë këtë! Të dukej sikur e gjithë kjo do të vazhdonte deri në mëngjes, dhe dy tapat e veshit që gjeta mbi komodinën e dhomës së hotelit, aty kuptohet pse ishin. Por jo, befas, rreth orës 11:30 pm kaplonte qetësia. Njerëzit zhdukeshin si me magji dhe sheshi mbetej pothuaj bosh.
Në mëngjes sheh një Montreal ndryshe. Duket sikur vendasit dhe turistët nuk ngrihen shumë herët nga gjumi dhe zakonisht mëngjeset gdhihen me kohë të mbyllur, re dhe shi. Koha është tepër e paqëndrueshme në Kanada. Edhe pse fund-korriku, nuk mund të lëvizësh pa çadër apo mushama, dhe mbi të gjitha pa një xhaketë apo triko. Sepse “situata ndryshon për punë sekondash”, siç thoshte vajza jonë me shaka. Të gjitha stinët e vitit i kalon në një ditë të vetme, dhe kjo të huton pak.
Montréal është ishull. Ai është i rrethuar me ujë dhe nuk e kupton që është lumë, sepse vende-vende është shumë i gjerë, por kjo e bën shumë tërheqës komplet qytetin. Atraksionet në Montréal janë pa fund!
“Old Montreal” është ndër gjërat më të bukura që mund të shohësh! Rrugë të bukura, të ngushta, mbushur me lule, dyqane suveniresh, bare e restorante. Në krye nis me 2 kulte fetare, dhe “Karuselin” e qytetit.
“Mont Royal” është pika nga ku mund të shijosh gjithë qytetin, vetëm disa minuta larg me makinë dhe 10 minuta ecje me këmbë. Por pamja është e paharruar. Midis ndërtesave, shquhet një murale me pikturën e Leonard Cohen.
“Underground city” është një rrjet rrugësh dhe labirintesh që arrin deri 32 km, tre kate nëntokë dhe që s’është gjë tjetër veçse gërshetim rrugësh të qendrave të ndryshme tregtare të qytetit të lidhura me njëra-tjetrën. Aty ka madje edhe “sheshe“ ku organizohen koncerte. Besoj që është bërë për stinën e dimrit, ku njerëzit të mos kenë nevojë të dalin jashtë në të ftohtë.
“Biosphere” është një tjetër atraksion që nuk lihet dot pa parë në Montréal. Ndodhet në një “ishullth”, që është njëkohësisht edhe parku “Jean-Drapeau “, dhe për të shkuar atje duhet të marrësh një anije të vogël. Teksa i afrohesh “ishullthit” të Biosferës dhe i largohesh Montrealit, duket sikur ecën qyteti dhe jo anija, shumë e çuditshme!
Janë gjithashtu për t’u parë e vizituar: “Habitat 67”, “Plateau”, ura e “Jacques-Cartier”, “Muzeumi i Arteve”, katedralja e “Notre-Dame”, “Chinatown”, etj.. Realisht aq shumë atraksione, sa për t’i shijuar të gjitha do të duhej shumë kohë…
Unë nuk do të largohesha kurrë dot nga Montréal, por për fat të mirë e bëra këtë!
Fund



















