Kaloni vijën e gjelbër të kryeqytetit qipriot dhe vizitoni një nga destinacionet më unike, duke takuar kulturën greko-turke, por edhe trashëgiminë e një vendi me arkitekturë unike…!
Nikosia, është kryeqyteti i Qipros, është rrahja e zemrës së saj kulturore. Shpesh e anashkaluar nga vizitorët, Nikosia ose Lefkosia, siç njihet zyrtarisht, është një përzierje kurioze dhe magjepsëse e historisë së pasur dhe jetës moderne. Ndonëse jo një qytet i madh, ai mund të përshkruhet lehtësisht duke ecur, me një histori shekullore, nga monumentet veneciane, bizantine dhe osmane deri te lagjet rezidenciale që shijojnë dukshëm rilindjen e arkitekturës. Sheshi kryesor i qytetit, Plateia Eleftherias tani është ridizajnuar, vepër e arkitektes me famë botërore, e ndjera Zaha Hadid, e njohur për shtimin e formave dredha-dredha dhe kthesave magjepsëse në projektet e mëdha anembanë globit. Projekti spikat për harqet që theksohen dhe bëhen si një deklaratë dramatike poshtë mureve të vjetër të qytetit, ndërsa përqark janë vendosur qindra pemë që ofrojnë hije, ndërsa aty-këtu gjenden disa kopshte të vegjël.
Nikosia është kryeqyteti i fundit i ndarë në Evropë, që nga viti 1974, e që atëherë, turqit qipriotë jetojnë në veri, ndërsa grekët në pjesën jugore të ishullit. Ndërthurja e kulturave ka bërë që të spikasë një arkitekturë gjithmonë në evoluim. Mos u habitni sesi papritur do të takoni ndërtesa veneciane, pastaj ato tipike osmane, madje një pjesë edhe të stilit britanik, pasi Nikosia dikur ishte kryeqyteti i Mbretërisë Lusignan.
Qyteti i Vjetër dallohet nga muret veneciane, që datojnë nga viti 1567, kur u ndërtuan nga sundimtarët venecianë për të shmangur pushtuesit osmanë. Shumica e atraksioneve të qytetit janë të mbyllura brenda mureve të shekullit të 16-të të qytetit të vjetër. Aty gjendet Muzeu i Qipros, shtëpia e një koleksioni, e cila strehon koleksionin më të rëndësishëm të gjetjeve arkeologjike të ishullit. Pikat kryesore përfshijnë Varrin Mbretëror të Salamis, një tenxhere të madhe bronzi të dekoruar dhe një kornizë shtrati të zbukuruar me fildish dhe xham, e cila daton në shekullin e 7-të para Krishtit.
Koleksioni i tre luanëve gëlqerorë dhe dy sfinksave të gjetura në nekropolin Tamassos janë një pasuri e Nikosisë, po ashtu edhe statuja e famshme e Afërditës, e cila njihet gjerësisht si perëndesha e Qipros. Galeria AG Leventis një nga më të famshmet. Ky muze arti ka edhe tre koleksione me piktura dhe skulptura evropiane të shekullit të 16-të, edhe vepra nga Chagall, Monet dhe Renoir. Aty afër gjendet edhe Qendra e Arteve e Nikosias është një ish-stacion energjie e kthyer në një galeri arti bashkëkohor. Nëse shëtisni nëpër lagjen Laiki Geitonia, rrugët e ngushta janë të mbushura me kafene dhe studio artistësh, e papritur të shfaqet Kulla e Shacolas prej nga mund të shijosh pamjen e qytetit, si dhe vijën e gjelbër, i cili është edhe kufiri i cili ndan kryeqytetin prej dekadash në turke dhe greke.
Monumenti më i spikatur i Nikosisë së Veriut është xhamia Selimiye, e vetmja në botë që ka arkitekturë gotike. Kjo ndërtesë e bukur është kryqëzim midis një kishe gotike franceze dhe një xhamie. Historia e saj është magjepsëse dhe daton që në shekullin e 13-të. Ndërtimi i kishës filloi në 1209 gjatë sundimit të Luigjit të IX-të të Francës, por u deshën plot 78 vjet për t’u përfunduar dhe në fund u shenjtërua si Kisha e Shën Sofies. Kur osmanët arritën aty në 1571, u prish pjesa e muraleve të krishtera dhe ikonostasi, ndërsa në pjesën e jashtme u shtuan dy minare. Përpos këtyre peripecive, struktura gotike në brendësi është ende e dukshme. Edhe pse një vend adhurimi, jomyslimanët mund ta vizitojnë, me përjashtim të kohës së namazit.
Porta e Famagustës dikur ishte porta kryesore e Nikosisë dhe mbetet një shembull i arkitekturës veneciane. Ajo ka tri porta të punuara me dru, ndërsa fasada e pjerrët hapet, duke të çuar përmes një tuneli brenda në qytetin e vjetër, e në të djathtë gjendet një arenë e vogël, ku mbahen ende koncerte gjatë muajve të verës.
Skica e plotë përrallore e kalasë së Shën Hilarionit bëhet e dukshme vetëm pasi të jeni drejtpërdrejt nën të. Muret prej guri dhe ndërtesat gjysmë të rrënuara përzihen në peizazhin shkëmbor, duke krijuar një kështjellë ëndrrash të shkëputur nga imagjinata e një fëmije. Pamja mahnitëse ia vlen mundit për t’u ngjitur deri në majë. Thuhet se Walt Disney u frymëzua nga konturet e thepisura të Shën Hilarionit, kur krijoi filmin e animuar Borëbardha.
Kisha Panagia Forviotissa mbrohet nga UNESCO dhe i dedikohet Virgjëreshës Phorbiottissa. Kisha ka afreske bizantine shumëngjyrëshe që datojnë nga shekulli i 12-të. Ajo gjendet në mes të një pylli afërsisht 6 kilometra nga qyteti. E meqë jeni aty shijoni panoramën, si dhe një drekë tipike në tavernat vendase.
Kuzhina
Gatimet tipike qipriote janë shumëngjyrëshe, ku pjesa më e madhe e ushqimeve është e ndikuar nga kultura të ndryshme, me bazë perimet e pjekura dhe ato të skarës, por nuk mungojnë as mishi, i gatuar në formën tradicionale të sufllaqes. Souvlakia, konsiderohet si vakti i zakontë qipriot, e cila shërbehet me pite, sallatë dhe mish derri të pjekur në hell. Po ashtu halloumi është mjaft popullor, një lloj djathi ku përzihet qumështi i dhisë dhe deles. Pjata më tradicionale është musakaja, e përgatitur me shtresa mishi të grirë, patate, patëllxhan dhe salcë beshamel, e cila ofrohet në çdo tavernë.