
Në kufi të rivierës shqiptare, njihuni me destinacionin më të bukur të pushimeve verore, brigjet e bruzta, ushqimin e zgjedhur, si dhe një pafundësi aventurash plot adrenalinë
Brigjet shkëmbore, ujërat e kaltër e të kristaltë, plazhet e vogla, aroma e agrumeve, ishujt idilikë, ushqimi dhe mbi të gjitha intimiteti që ofron Ksamili, e rendisin ndër vendet që vazhdon të joshë turistët për frymën ende të paprekur që ofron. Ksamili ndodhet 18 kilometra larg qytetit të Sarandës. Ksamili është një qytet i ri, i cili filloi të ndërtohet në vitet ’70 gjatë regjimit komunist kur qindra familje dhe të rinj vullnetarë filluan të hapnin toka të reja, ku u mbollën kryesisht ullinj dhe agrume, duke e kthyer Ksamilin në një perlë të vërtetë të bregdetit jonian.
Për bukurinë, plazhet e Ksamilit mund të krahasohen me ato të Saint Tropez ose Caprit. I vendosur në pjesën më jugore të Shqipërisë, Ksamili po kthehet në një nga destinacionet më të preferuara. Qyteza është e vogël, por shtrirja e brigjeve të kaltra, janë një pafundësi mundësish për të zgjedhur mes pushimeve familjare dhe atyre rinore. Kjo është edhe arsyeja që shpesh vizitorët mbeten pa fjalë, sesi ky vend ka mbetur ende pa u zbuluar nga pushuesit masivë që mbipopullojnë kryesisht pjesën e rivierës gjatë sezonit të verës.
Profili i këtij destinacioni është mes një qyteze të vogël dhe një fshati tipik, për shkak të vendosjes gjeografike, prej nga edhe mund të shijosh pamjet befasuese. Mund të zgjidhni një akomodim mes hoteleve, por një mundësi për t’u marrë parasysh janë vilat e banorëve, të cilat janë kthyer në vendet pritëse për pjesën më të madhe të turistëve gjatë gjithë sezonit.
Në afërsi të bregut të Ksamilit ndodhen katër ishuj të njohur si Ishujt Ksamil ose Tetranisi. Si pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, këta ishuj mbrohen dhe ruajnë shkëlqimin e tyre natyrorë. Vizita e këtyre ishujve është një aktivitet i preferuar nga turistët në Ksamil, por duhet të hipni në një varkë për t’i eksploruar. Dy ishuj janë mjaft afër për të notuar nëse jeni gati për një ekskursion aventuresk, dhe disa kanë karrige dhe bare të vogla për të shijuar pije freskuese. Zgjidhni një guidë vendase në mënyrë që të zbuloni bukuritë e tyre të rralla, si dhe të provoni zhytjet në ujërat e bruztë.
Natyrisht arsyeja kryesore e vizitorëve janë plazhet e tij të mrekullueshme. E gjithë vija bregdetare është e përthyer, duke krijuar gjire të vogla pushimi. Ksamili fillon aty ku i thonë Qafa e Hartës dhe mund të themi që plazhi i parë që ju sugjerojmë është pikërisht Gjiri i Hartës, një plazh i madh e i gjerë ku ofrohen edhe shërbime, nga baret te restorantet, deri te varkat për lundrim.
Plazhet përballë ishujve, janë disa gjire të vogla e shumë të bukura, të cilat shohin të gjitha përballë ishujve. Po kaq i njohur është Pema e Thatë, një plazh shumë i bukur e mjaft i frekuentuar që shikon përballë Korfuzit dhe ndodhet vetëm gjysmë milje larg tij. Ky është një prej plazheve me thellësinë më të vogël të bregut, gjë që e bën të zgjidhet shumë nga familjet me fëmijë të vegjël.
Plazhi Pasqyrat, ndodhet rrugës nga Saranda për në Ksamil dhe është një plazh me ujëra të kristalta e të qeta që pasqyrojnë vazhdimisht qiellin. Plazhi Pulëbardha, e merr emrin nga një histori e cila sipas peshkatarëve, aty dikur një pulëbardhë kishte folenë dhe vendasit që e shikonin shpesh i vunë emrin e saj. Plazhi gjendet një kilometra larg nga rruga kryesore dhe është tejmase i populluar, sidomos nga turistët. Plazhi i Manastirit është një perlë e veçuar e vijës bregdetare me rërë e cila shtrihet në jug të Sarandës, duke e bërë atë një vend të mrekullueshëm për t’u arratisur nga qyteti i ngarkuar i Ksamilit. I vendosur në majë të kodrave që rrethojnë plazhin, aty do të gjeni Manastirin e Shën Gjergjit që i dha emrin kësaj parajse të vogël. Nga këtu, ju do të keni disa nga pamjet më të pabesueshme mbi detin Jon. Së fundmi, por jo më pak i rëndësishmi është Kep Merli, një plazh shumë intim e i panjohur, ku ngrihet edhe një kompleks turistik shumë modern.
Kuzhina
E mbushur me restorante dhe taverna, Ksamili ofron kuzhinën më të mirë, kryesisht me bazë peshkun e freskët që vjen direkt nga Joni, i cili përgatitet me vajin e ullirit vendas, e po ashtu me një gotë të mirë vere. Por, ju mund të shijoni gjithashtu ushqime nga më të larmishmet të kuzhinës italiane, si pastat apo picat deri te sushit, e padyshim mbi të gjitha spikat kuzhina vendase shqiptare, ku nuk mungon mishi dhe shumë zgjedhje sallatash.
Festivali i Ullirit, i cili zhvillohet në nëntor, është më popullori dhe i dedikohet prodhimit të vajit të ullirit të Ksamilit, një ngjarje e cila shoqërohet me festime, evente kulturore, ekspozita dhe degustime të kuzhinës vendase. Nëse zgjidhni të shkoni në gusht, Festivali Kombëtar i Folklorit Shqiptar është një tjetër event, i cili dominohet nga atmosfera e valleve, muzikës dhe veshjeve tradicionale.
Syri i Kaltër
Nëse doni të shijoni përveç detit dhe plazheve, një prej destinacioneve më të preferuara është Syri i Kaltër, i cili gjendet vetëm 30 kilometra larg Ksamilit. Ky burim uji i shpallur monument i natyrës, ndodhet në fshatin Muzinë. Syri i Kaltër është një burim me origjinë karakteristike që rrjedh nga Mali i Gjerë. Burimi është i rrethuar nga bimësia e dendur dhe një gjelbërim të përhershëm. Mendohet se ka një thellësi më shumë se pesëdhjetë metra. Nga thellësia e burimit dhe veçantia e burimit karstik, uji merr ngjyrën e kaltër nën rrezet e diellit. Gjatë verës, një numër i madh vizitorësh tundohen lehtësisht të kridhen në ujin e ftohtë.