
Joana dhe Borana, e kujtojnë fëmijërinë e tyre si një botë magjike të mbushur plot me ngjyra, tekstile, fije, gishtëza, e në sfond ai ritmi i veçantë i makinës qepëse. Edhe me sy mbyll, vetëm me prekje arrijnë të njohin ndjesinë unike të mëndafshit, efektin e teksturave të gdhendura mbi copë, apo me vetëm një shikim, të hetojnë perfeksionin ose jo te një qepje.
E ëma u injektoi në ADN kodin e shpirtit krijues, duke u trashëguar jo vetëm biznesin e tekstileve, ku ato vazhdojnë të punojnë sot me përkushtim e sukses, por edhe aftësinë për të bukurën dhe stilin. Të gjitha bashkë e kanë bërë më të thjeshtë, përfaqësimin dhe sjelljen e “Baroni Firenze” në Shqipëri.
Motrat Joana dhe Borana Hekuri, si për çudi, sjellin në Tiranë një markë italiane, edhe ajo e krijuar nga dëshira dhe pasioni i 3 motrave, bëhet fjalë për “Baroni Firenze”, e cila vjen në Shqipëri te “Mia Haute Couture”, një univers me veshje dhe aksesorë plot stil vetëm për fëmijë.
Ato arritën të sjellin në Tiranë ekskluzivitetin e markës italiane më shumë se 100-vjeçare, fillimisht duke qenë dy kliente të “Baroni Firenze”. “Sa herë udhëtonin në Firenze, nuk i rezistonin dot dëshirës të bënin një ndalesë te Baroni. Ditë pas dite, duke zgjedhur veshjet më të mira për të vegjlit, vumë re se ishin një gardërobë krejt unike”, tregojnë ato. E pas këtyre përshtypjeve, Borana dhe Joana, këtë ndalesë e kthyen në një frymëzim për hapjen e Baronit të tyre në Tiranë. Ato tregojnë se nuk ishte aspak e lehtë, sidomos për faktin se Baroni u krijua në Tiranë në një periudhë fill pas pandemie, por asgjë nuk i ndaloi ato për të realizuar këtë ëndërr të bukur.
Udhëtimet tani në Firenze kanë tjetër qëllim, zgjedhjen e koleksioneve të reja në “Mia Haute Couture”. Motrat Hekuri rrëfejnë se arsyeja e hapjes së Baronit në Tiranë ishte ajo ndjesia italiane e veçantë që ka ky brand, tradita e të punuarit me dorë, detaje që i kanë bërë mbresëlënëse veshjet e fëmijëve për më shumë se 100 vite, pra nga 1912 kur Baroni u krijua. Baroni është ndryshe në llojin e vet, ajo që i mungonte Tiranës, ndjesia e stilit italian për të vegjlit, një markë e cila krijon 70 për qind të veshjeve punime “ricamo a mano”.
Duke bashkuar fuqinë e pakufishme motërore dhe mësimet e trashëguara nga mamaja, ato kanë ndarë edhe detyrat: Joana merret me koordinimin e porosive nga dyqani në showroom, ndërsa Borana fokusohet te shitjet online, por padyshim menaxhimi i dyqanit kalon gjithmonë nga të dyja. “Çelësi i suksesit të ‘Mia Haute Couture’ është marrëdhënia me klientët. Për momentin po shijojmë suksesin e Baronit dhe shpresojmë të vazhdojmë të sjellim gjëra akoma dhe më të bukura, pse jo një dyqan i dytë dhe jo vetëm në Tiranë…”. Një premtim motrash ky, i cili me shumë mundësi do të finalizohet, sepse Joana dhe Borana gjithmonë e mbajnë fjalën!