KreuFashion

Porto, qyteti romantik i Portugalisë!

Porto, qyteti romantik i Portugalisë!

Nga Eda Bano

Nëse do të përmendim Portugalinë, dikujt menjëherë do t’i shkonte në mendje Lisbona. Por ama, është e sigurt se dikush tjetër menjëherë do të mendonte për Porton. Fituese mes “Lisbonës apo Portos“, në fakt është Lisbona, por këtu është pikërisht dhe “skupi”! Sepse Porto s’mund të bjerë më poshtë nga vlerat, bukuria dhe kënaqësia që të fal!

Dhe është vërtet një destinacion i admirueshëm! Një qytet me dritë, me ngjyra, me lokale të shumta, rrugica të ngushta zbritëse e hypëse, por edhe rrugë të gjata panoramike përgjatë lumit Douro. Dyqanet e bukura me gjëra të veçanta, tipike portugeze, të hutojnë dhe të bëjnë të të heqin vëmendjen nga atraksionet dhe bukuritë e këtij qyteti që për mua është ndër më të bukurit, dhe e adhuroj shumë. (Por kjo ndodh derisa shkoj në Lisbonë dhe pastaj bie në dashuri me Lisbonën).

I vendosur në veri të Portugalisë, ky pozicion e bën qytetin të jetë plot diell dhe shkëlqim nga maji në shtator, por nga ana tjetër nuk është vapa përvëluese e jugut, dhe plazhet përreth janë një destinacion i mrekullueshëm e shumë i parapëlqyer për turistët.


“Luis Bridge”, mbi lumin Douro, është një nga atraksionet më tërheqëse në Porto. Kjo urë është aq e veçantë dhe e bukur ngado që ta shohësh: mundet t’i kalosh nga poshtë, dhe ura ngrihet madhështore si mal, apo të shëtisësh me varkë nën të, të hipësh me teleferik panoramik dhe të ngjitesh lart e më pas ta shëtisësh nga sipër, ku sheh një pamje krejt tjetër dhe mahnitëse të Portos.


“Ribeira district” me dyqane dhe pallatet ngjyra-ngjyra, ku lëvizja dhe hareja s’pushon thuajse asnjëherë, është një ndër lagjet më vibrante, por jo e vetmja. Aty mund të provosh pjatat karakteristike dhe ëmbëlsirat e pashoqe, sepse portugezët shquhen veçanërisht për prodhimet e brumit dhe pastiçerinë.


“Matosinhos” është një ndër plazhet më pranë Portos dhe kështu vizita kombinohet edhe duke u kënaqur me det dhe rërë, veçanërisht në stinën e verës. Plazhi është “free”, mund ta “shtrish peshqirin” kudo dhe të shijosh rezet e diellit për qejf.


Por një ndër grumbullimet më të shumta të turistëve i sheh në stacionin e trenit “Sao Bento“. Kur futesh aty të duket vetja sikur je në një galeri arti, kombinuar me një muze historik! Piktura të kornizuara dhe vepra të shumta murale e në tavan, janë pasqyrë e gjallë e historisë dhe kulturës së qytetit. Përballë stacionit të trenit është Katedralja e bukur dhe e lashtë, aty sheh edhe shenja të pelegrinazhit të “Camino de Santiago di Compostela”, pasi prej Portos jo vetëm kalon rruga, (rruga portugeze), por edhe mundet ta nisësh pelegrinazhin. Kështu që nuk është çudi të ndeshesh me pelegrinë me çanta në kurriz dhe guaskat tipike të udhëtarëve të Caminos!


Porto, qyteti më i bukur, romantik, me diell, dritë dhe një aromë dashurie që përhapet në ajër dhe të bën që të të duket vetja në qiellin e shtatë. Porto, perla e Portugalisë, një vend ku do të kthehesha përherë me kënaqësi!


Porto, qyteti romantik ku mundet të kalosh ca ditë pushimesh fantastike!

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF