KreuFashion

5 fakte rreth stilistit avangard Dries Van Noten!

5 fakte rreth stilistit avangard Dries Van Noten!

Dries Van Noten dallohet për përzierjen unike të stileve klasike dhe avangarde. E themeluar në vitin 1986, marka është bërë sinonim i pëlhurave luksoze, printimeve inovative dhe ngjyrave të theksuara, me koleksione që paraqesin një përzierje eklektike modelesh, të frymëzuara nga arti, udhëtimet dhe kultura. Përveç veshjeve, marka ofron edhe aksesorë, si këpucë, çanta dhe syze.

Fillimet

Dries Van Noten ishte brezi i tretë i një familje rrobaqepësish; të dy prindërit punonin në modë. I lindur në Antwerp në 1958, në moshën 18-vjeçare filloi të studionte dizajn në Akademinë Mbretërore në Antwerp. Punoi fillimisht si dizajner për veshjet për meshkuj, derisa hapi butikun e parë në vitin 1989 në Het Modepalais dhe sot ka dyqane në Paris, Kuvajt, Moskë dhe Nju-Jork, por jeton dhe punon në qytetin e lindjes.

Etiketa

Van Noten nuk është shumë e njohur në krahasim me etiketat e tjera të modës, sepse filozofia e markës është që të shmangë famën dhe reklamimin. Në vend që të financojë reklamat tradicionale, ai ka zgjedhur të mbështetet në shpërndarjen natyrale përmes fjalës gojë më gojë, ndërkaq, mbetet e vetmja shtëpi e modës e cila ka refuzuar të ketë një kalendar me shfaqje para-koleksionesh.

Thyerja e rregullave

Dries Van Noten ka një stil unik, i cili është quajtur bohemia luksoze; është elegant dhe pa kohë. Ai nuk dëshiron që koleksionet e tij të shihen si abstraksione të modës, por të jenë të përdorshme dhe të vishen lehtësisht nga njerëzit. “Të gjithë stilistët kanë uniformën e tyre, por e vetmja gjë që unë kam ndryshuar janë shallet, të cilat i kam pirgje të mëdha dhe me ngjyra të ndryshme”, thotë ai duke qeshur.

Frymëzimi

Edhe pse vjen nga një kulturë tipike evropiane, koleksionet e Van Noten dallohen dukshëm nga krijimet e stilistëve të brezit të tij. Ai bie në sy për kombinimin e materialeve si kadifeja dhe sateni, me modele shpesh të frymëzuara nga kultura lindore. Dizajneri belg e gjen frymëzimin e tij në shumë gjëra, si natyra, vendet aziatike, arti, muzika, simbolet e natyrës, ato fetare dhe tradicionale, madje edhe ëndrrat që sheh.

Vlerësimet

Marka mbetet ndër të preferuarat e personazheve të njohur, si: Beyonce, Rihanna, Nicole Richie apo Victoria Beckham. Ai është një nga dizajnerët më të famshëm në Belgjikë, i cili theu rregullat tradicionale të modës. I vlerësuar nga CFDA si stilisti i vitit 2008, BoF 500 në 2015 si një nga 500 njerëzit më me ndikim në modë, si dhe titullin “Urdhri i Arteve dhe Letrave” nga Jack Lang.

Bordo No.64
Nëntor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF