Këngëtarja e njohur dhe shumë e dashur Elsa Lila do të rikthehet në Tiranë me një koncert madhështor. Koncerti do të titullohet “Finalmente, Elsa” dhe do të mbahet më 1 nëntor, në Pallatin e Kongreseve.
Lajmin që gëzoi pafund fansat e këngëtares, e ka dhënë së fundmi edhe vetë artistja me anë të një postimi në rrjetin e saj social Instagram, ku shkruan,
“Ika me shijen e suksesit të ‘Evitës’ sime në festival, për t’u rikthyer sërish në Tiranë, tani në nëntor. Këtë herë, për herë të parë ? me një koncert të madh, aty në skenën e Pallatit të Kongreseve, nga ku nisi jeta ime artistike.
‘Finalmente Elsa’ i thotë të gjitha: kohën e gjatë që kam pritur, për të ardhur ky moment; punën e madhe që kam bërë deri më sot, për t’u ndjerë kaq gati, për një koncert si ky, që kërkon jo vetëm përkushtimin por dhe pjekurinë e repertorin e duhur artistik.
S’do t’ja dilja dot kurrë vetëm, pa bashkëpunëtorët e miqtë e mi artistë, me të cilët kam krijuar, interpretuar e realizuar në gjithë këto vite, projekte unike, interesante e me muzikë të vërtetë.
Këtë do të bëjmë edhe në koncertin e 1 nëntorit, në Tiranë.
Ju mirëpres që të më jepni zemrën dhe duartrokitjet tuaja, siç keni bërë gjithmonë, ndërsa unë ju kam dhënë zërin e shpirtin tim ❤️
?️ 1 Nëntor
? Pallati Kongreseve
Ju pres të shihemi aty.
Elsa”, ka shkruar ajo në postimin e saj.
Kujtojmë që Elsa Lila në edicionin e 61 të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, arriti të triumfojë duke rrëmbyer çmimin e parë të Festivalit me këngën “Evita”, një këngë që ajo ja dedikonte vajzës së saj.