Kultura, mjeshtëria, talenti dhe karriera artistike e tenorit Ruzhdi Karaj, i cili shkëlqeu në skenën shqiptare ashtu si edhe në atë botërore.
Në historinë 70-vjeçare të muzikës Lirike të vendit tonë, mes të tjerash ndeshet dikush dhe me rrugëtimet e çuditshme të solistëve. Herë ndeshet me rrugëtime brilante dhe afatgjata dhe herë me rrugëtime të shkurtra që bien në sy, pasi i rezistuan kalimit të kohës. Në kategorinë e dytë, një shembull karakteristik përbën tenori Ruzhdi Karaj. Një yll i ndritshëm që filloi rrugëtimin e tij të shkëlqimit në mesin e viteve ’80 dhe që dritat e skenës u fikën për atë shumë herët, për shkak të sëmundjes që i trokiti në derë dhe që më vonë i mori jetën. Megjithatë, gjurmët e tij mbetën të pashlyeshme në një nga periudhat më të vështira që kaloi vendi dhe Teatri i Operas dhe Baletit si institucion. Gjurmë të qëndrueshme, plot potencë që arrijnë deri në ditët tona për të nxjerrë përfundimet e duhura. Një tenor që u dallua për aftësitë e tij vokale dhe skenike dhe që i ngjiti shumë shpejt shkallët e suksesit.
Ruzhdi Karaj lindi më 03 Nëntor të vitit 1955 në qytetin e Beratit ku dhe u dallua që në moshë të vogël për aftësitë e tij vokale në Pallatin e Kulturës “Margarita Tutulani” . Në fundin e viteve ΄60 Ruzhdiu, pasi do aktivizohej si këngëtar pranë Shtëpisë së Pionierit në qytetin e Beratit, i befason të gjithë me zërin e tij, në studion e Radios Tiranës tek emisioni i pionierit të orës 8 të mëngjesit, me këngën “Gimi dhe topi”. Pa e ditur fare, aty u shkrua faqja e parë e një rrugëtimi të shkëlqyer. Aty mund të themi se iu dha pionierit premtimi i parë i fatit, që një ditë do të bëhej këngëtar. Dhe kështu vitet kaluan, duke kënduar dhe duke menduar gjithmonë për skenën e madhe. Kështu mbaroi klasën e 8-të, konkurroi dhe fitoi në Shkollën Artistike “Onufri” të Elbasanit për Kanto dhe më vonë filloi studimet në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve), me pedagog zëri, Artistin e Merituar, tenorin Xhoni Athanas – John Athanas
Në vitin 1985 pas përfundimit të studimeve me rezultate të shkëlqyera , emërohet tenor në Sektorin e Solistëve në Teatrin e Operas dhe Baletit. Për tenorin e ri lirik, viti 1986 ishte një pikë kthese në karrierën e tij pasi merr pjesë në Konkursin Kombëtar të Këngëtarëve lirikë ku fiton çmimin e dytë, më pas merr pjesë në Festivalin e Romancës Shqiptare me këngën “Pejsazh i Atdheut” dhe “Kishte ardhë pranvera” si dhe prezanton këngën “Këngë buzë Ibrit” në Koncertet e majit. Po atë vit, debuton në rolin e Alfred Zhermonit tek opera “La Traviata” e Verdit dhe një vit më vonë paraqit mirë rolin e Qamil Beut si dhe rolin e Partizanit nga Opera “Nëna e Trimave” të Avni Mulës.
Në kuadër të liberalizimeve të përgjithshme që kanë filluar të shfaqen në skenën e TΚOB serish në vitin 1987 ndërton mirë figurën e Karavadosit në aktin e tretë të operës “Toska” të Puçinit dhe një vit më vonë mishëron Turidun nga Opera “Cavalleria Rusticana” e Mascagnit. Ruzhdi Karaj shquhej në skenë për një vokal potent lirik dhe menjëherë bëhet pjesë e mbrëmjeve muzikore e koncertale të organizuara me orkestrën simfonike të radiotelevizionit, ku përformon arie të njohura të repertorit botëror operistik. Në vitin 1988 rivihet serish opera “La Traviata” e Verdit ku interpreton rolin e Alfredit dhe menjëherë pason një tjetër stacion i rëndësishëm në karrierën e tij, një stacion që fare pak artistë e kishin përjetuar në Shqipërinë socialiste. Ruzhdiu fiton dhe kryen një kurs specializimi në konservatorin e Parisit, pranë mjeshtres Ana Maria Bondi.
Pas kthimit nga Franca në vitin 1990, emërohet Pedagog kantoje në Akademinë e Arteve dhe kthehet më energjik në skenën e madhe të TKOB, ku fillimisht e gjejmë në koncertet e janarit të TKOB bashkë me Xhovana Dokon, Inva Mula, Ymer Kacën, Ledi Papariston, Roza Topin, Katriot Tushën dhe Genc Gjebrean në drejtimin e Ermir Krantja. Në prill arrin të paraqesë kënaqshëm figurën e Nadirit në operën “Peshkatarët e Perlave” të Bizesë dhe në nëntor e gjejmë bashkë me Edith Mihalin, Manjola Lulën dhe Frano Lufin në një koncert për Bethovenin dhe tek Shfaqja “Skena nga Operat” në figurën e Pinkertonit nga opera “Madama Baterflai ” e Puçinit.
Në shtator 1991 interpreton pjesë Bravure nga repertori klasik botëror bashkë me Edith Mihalin, Hysen Koçinë dhe Shpresa Spaho nën drejtimin e Ermir Krantjes, ndërsa në nëntor e rrit vlerën e tij me interpretimin e mirë që i bën rolit të Manrikos nga opera “Il Trovatore”. Në vitin 1992 rikthen figurën e Karavadosit në paraqitje koncertale të operës “Toska” të Puçinit si dhe Turidun nga Opera “Cavalleria Rusticana” e Mascagnit.
Në vitin 1993 hapën sezonin artistik koncertal të TKOB bashkë me Edith Mihalin me një koncert që drejton dirigjenti italian Giorgio Federico Rocchini, në shkurt e gjejmë në një koncert vokal-simfonik bashkë me Sonila Hoshafi nën drejtimin e dirigjentit italian Marco Celli Stein, në prill interpreton në Oratorion “Messiah” të Hendelit bashkë me Mariana Lekën, Manjola Konjarin dhe Artan Lika nën drejtimin e dirigjentit amerikan David Andre, në tetor zhvillon një koncert në TKOB bashkë me Agim Duron dhe Ardian Trebicka, ndërsa në nëntor e gjejmë në një mbrëmje muzikore dedikuar Çajkovskit bashkë me Edith Mihalin, Agim Duron dhe Artan Likën, si dhe në personazhin e Edvin Lipert në operetën “Princesha e Çardashit” të Kalmanit.
Në shkurt të vitit 1994 ve në skenën e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës “Carmina Burana” të kompozitorit Karl Orff, në qershor interpreton rolin e Dukës në opera “Rigoleto” e Verdit, në tetor e gjejmë bashkë me Edith Mihalin, Manjola Konjarin dhe Nikolin Gurakuqin në një koncert Simfonik të Beethovenit, por dhe në koncertin vokal me solistë Marjana Lekën, Manjola Konjarin dhe Agim Duron në drejtimin e pianistes Nermin Daja. Viti mbyllet në dhjetor me një koncert bashkë me Agim Duron dhe pianisten Donika Rodi.
Në vitin 1996 dhe ndërsa kalon periudhën më të artë të karrierës së tij, papritur i shfaqjet sëmundja. Ndërkohe ai kishte lidhur një kontrate për disa koncerte në Itali dhe Austri. Pas dy koncerteve, dobësia e papritur e shëndetit e detyron ti anullojë dhe të kthehet në Shqipëri, ku u diagnostikua me hogdkin linfoma. Ai i nënshtrohet trajtimit sistematik mjekësor dhe arrin të përmirësojë gjendjen e tij shëndetësore. Emërohet si drejtues artistik i solistëve të TKOB dhe në vitin 1999 fillon një betejë të re për shëndetin e tij. Pas disa vajtjeve në spitalin Gata te Ankarasë në Turqi, kthehet në 3 qershor të vitit 2000 në Tiranë në gjende maksimalisht të renduar. Në 4 qershor të vitit 2000 hap krahët për t’u shndërruar në një yll, i cili me gjithë rrugëtimin e tij të shkurtër në pentagramin operistik shqiptar, ende shkëlqen.