
Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka bërë të ditur ndarjen nga jeta të akademikut Emin Riza, i cili u shua në moshën 89-vjeçare. Me veprimtarinë e tij shumëvjeçare, ai la një gjurmë të rëndësishme në studimin, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe arkitekturës tradicionale shqiptare.
I lindur në Shkodër më 3 korrik 1937, Emin Riza ia kushtoi jetën kërkimit shkencor dhe ruajtjes së monumenteve të kulturës. Gjatë karrierës së tij punoi si studiues, pedagog dhe specialist pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, ku u angazhua në dokumentimin dhe vlerësimin e pasurisë historike e arkitekturore të vendit.
Kontributi i tij shkencor përfshin një numër të madh botimesh, mes të cilave spikasin studimi “Qyteti-Muze i Gjirokastrës”, që trajton vlerat historike dhe arkitekturore të qytetit, si dhe monografia “Banesa shqiptare me qoshk”, kushtuar tipologjisë së banesave tradicionale shqiptare dhe karakteristikave të tyre ndërtimore.
Gjatë jetës së tij akademike, Riza botoi 16 monografi, pesë prej tyre në bashkëautorësi, si edhe 134 artikuj shkencorë në revista të specializuara, ku analizoi arkitekturën popullore, zhvillimin urban dhe trashëgiminë e qyteteve historike shqiptare.
Përveç punës si studiues, ai mbajti edhe role të rëndësishme editoriale, duke drejtuar revistat shkencore “Studia Albanica” dhe “Monumentet”. Gjithashtu, ishte ndër iniciatorët e hartimit të ligjit “Për trashëgiminë kulturore” dhe udhëhoqi grupin e ekspertëve që përgatiti dokumentacionin për përfshirjen e Gjirokastrës dhe Beratit në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Veprimtaria e tij u vlerësua me titullin “Qytetar Nderi” nga bashkitë e Gjirokastrës dhe Beratit. Ai ishte gjithashtu anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, një tjetër dëshmi e autoritetit të tij në fushën e studimeve shqiptare.
Në mesazhin e saj të ngushëllimit, Akademia e Shkencave e Shqipërisë shprehu dhimbjen për humbjen e një prej personaliteteve më të spikatura të botës akademike, duke u përcjellë ngushëllime familjarëve, miqve dhe kolegëve të tij.
Homazhet në nder të akademik Emin Rizës do të zhvillohen sot në ambientet e agjencisë funerale “Alba 2000”, pranë Medresesë, ndërsa ceremonia e varrimit do të mbahet në orën 16:00 në varrezat e Tufinës.
