“Less is more” është shprehja e famshme e arkitektit gjerman Van der Rohe që gjen përdorim gjerësisht edhe në modë. Sipas kësaj filozofie, thjeshtësia dhe eliminimi i detajeve të rënduara dhe të panevojshme çon në qartësi dhe, në fund të fundit, në një formë më të thellë të bukurisë. Nuk e dimë nëse gazetarja e sportit Albana Bejko ka pikërisht këtë thënie orientuese sa i përket paraqitjes së saj të jashtme, por ky paralelizëm i shkon më shumë se për shtat.
Albana, çfarë marrëdhënie ke ti me veshjen? Sa rëndësi ka për ty?
Për mua veshja është një ndër format më të rëndësishme të të shprehurit të kreativitetit tim. Kam qenë gjithmonë shumë e apasionuar me veshjet, por jo domosdoshmërisht me trendet që ofron bota e modës.
Si do ta përkufizoje stilin tënd të veshjes?
Nuk mendoj që kam një stil me të cilin mund të identifikohem, sepse më pëlqen të eksperimentoj me veshjet. Ka ditë që më pëlqen të anoj te stili klasik, ditë të tjera që më pëlqen stili mashkullor apo sportiv, në evente të caktuara zgjedh të kem një stil më strasgresiv. E përbashkëta që kanë të gjitha këto, është fakti që mundohem të mos e ngarkoj veshjen me shumë detaje, pavarësisht stilit të cilin zgjedh.
Je ndër të paktët personazhe VIP që del në ekran pothuajse pa asnjë grimë. Në fakt dukesh shumë bukur, por sa rëndësi i kushton ti një dalje televizive?
Faleminderit për komplimentin. Për mua ka më shumë rëndësi që në një dalje televizive të shfaq natyralitet. I jap më shumë rëndësi trajtimit të lëkurës dhe flokëve, sepse më pëlqen të transmetoj freski dhe shëndet me pamjen time. Mendoj se në përgjithësi i kushtoj rëndësi daljeve televizive aq sa duhet, në raport me llojin e programit ku shfaqem. Ka raste ku edhe nxitoj dhe pamja kalon në plan të dytë.
Ku i bën blerjet zakonisht Albana?
Përgjithësisht bëj blerje në brand-e amerikane, angleze, që nuk njihen masivisht, alternuar me Zara, Massimo Dutti.
Brand-et, çfarë marrëdhënie ke me to?
Nuk kam lidhje të ngushtë me brand-et e luksit. Blej pak produkte të brand-eve të luksit dhe vetëm ato që nuk janë trend, e që nuk kanë logo të dukshme.
E ndjek modën, trendet e reja?
E ndjek vetëm në rastet kur përputhet me shijet e mia, por kryesisht nuk prirem të orientohem nga trendet.
Sipas Coco Chanel, një vajzë i duhet patjetër një 'little black dress' në gardërobë? Po ti çfarë mendon se duhet të ketë patjetër një vajzë në gardërobë?
Bashkangjitur fustanit të zi, do të shtoja një këmishë të bardhë dhe një palë stileto klasike.
Një pjesë veshje që Albana e ka me shumicë në gardërobën e saj?
Përgjatë këtyre muajve të fundit, kam koleksionuar me shumicë xhaketa.
Çfarë do të vishje ti në një takim të parë?
Varet nga stina dhe vendi ku do të ishte takimi. Por mund të them ngjyrat që do të preferoja. E bardha ose ngjyra emerald. Do të preferoja veshje me linja të pastra, pa detaje që e ngarkojnë veshjen dhe me aksesorë elegantë (edhe këto të fundit të limituar).
Meqë jemi këtu, për cilën arsye një takim i parë nuk do të kishte kurrë një të dytë?
Nuk do të kishte një takim të dytë, nëse djali nuk do të ishte xhentil në sjellje, nëse do të vija re sjellje të një natyre egocentrike, apo nuk do të më transmetonte ndjesinë e rehatisë dhe energjisë së mirë.
Të ka ndodhur?
Po sigurisht, ka patur edhe raste të tilla.
Do ta gjykoje një djalë nga stili i veshjes?
Veshja do më ndihmonte të krijoja një përshtypje të parë për të, por nuk besoj se do ta gjykoja me absolutizma.
Prej kohësh miti i 'vajzës së bukur' që merret me gazetarinë sportive është thyer. Gazetaret e sportit gjithmonë e më shumë janë jo vetëm të bukura, por edhe të informuara, të përgatitura rreth këtij lëmi. Kështu edhe konkurrenca është më e madhe. Çfarë e dallon Albanën nga koleget e tjera?
-
Ekskluzive/ Françeska drejt ëndrrave të mëdha!
22 Shkurt, 11:24
Besoj që përpos informacionit, më diferencon origjinaliteti në moderim dhe diskutim.
E ke ndjerë ndonjëherë xhelozinë mes kolegeve të sportit? Ka solidarizim mes jush?
Po, e kam ndjerë përgjatë gjithë rrugëtimit tim në media. Në më të shumtën e rasteve marrëdhëniet mes kolegeve të profilit tim i kam parë si të stisura dhe tejet hipokrite, por po le hapësirë edhe për ndonjë rast ku mund të ketë solidaritet të vërtetë. Unë kam zgjedhur të kem marrëdhënie profesionalisht korrekte me koleget.
Nëse do të jepej ‘prime time’ një program jashtë natyrës së futbollit, çfarë programi do të ishte?
Do më pëlqente të ishte një format ‘reality show’.
Albana jemi në muajin e festës së të dashuruarve. Zemra jote rreh për dikë?
Zemra ime është e shkëputur nga romancat në këto momente.



















