Florianën e takuam ndoshta në periudhën më të ngarkuar për të, për shkak të fushatës zgjedhore. Megjithatë mes turravrapit dhe luftës me kohën zëdhënësja e Partisë Demokratike u tregua e gatshme për të ndarë me ne një bisedë të ngrohtë rreth përditshmërisë, fëmijëve, bashkëshortit, politikës e mundësisë për një rikthim në ekran si moderatore programesh e spektaklesh.
Lufta me kohën tashmë është e përditshme për ty, apo ke mundur ta menaxhosh mirë?
Jam përpjekur që ta menaxhoj me aq sa kam mundësi. Zgjohem herët në mëngjes në orën 06: 45 merem me fëmijët, familjen, me tim shoq dhe më vonë vazhdoj punët e ditës. Fle vonë kështu që oraret e gjumit nuk i bëj siç i kam bërë më përpara.
A ndjehesh ndonjëherë që u ke vjedhur kohë fëmijëve nga koha e tyre?
Po më ndodh goxha, sidomos këto kohët e fundit që kam ikur edhe në Diasporë për të takuar edhe mbështetësit tanë demokratët atje. Ka qenë koha e vështirë për t’u menaxhuar, fëmijët më kërkojnë vazhdimisht, duan që të jem prezente në shtëpi me ta dhe unë përpiqem që të kaloj kohë cilësore, por gjithashtu t’ju shpjegoj që këto janë kohë të rëndësishme dhe mami po bën diçka të rëndësishme për vendin.
-
Nudizmi, në artin e Meri Files!
26 Prill, 11:46
Si ndodhi që vendose të angazhoheshe në politikë si zëdhënëse e Partisë Demokratike?
Dëshira ime për të eksploruar një fushë të re në të cilën mund të kisha ndikim në shoqëri. Mendoj që kam qenë me fat në jetën time, kam dhënë por edhe kam marë shumë nga fati, nga jeta. Kam qenë e lumtur dhe e realizuar dhe kam dashur që këtë pozitivitet që mua më ka rrethuar ta shpërndaj dhe ta përçoj aq sa kam mundur. Politika është fushë e ashpër, e ftohtë dhe unë kam dashur që të jap një model tjetër duke u përfshirë dhe duke qenë gjithashtu edhe një shembull për gra të reja si puna ime që duan të eksplorojnë këtë fushë dhe duan që të kenë ndikim, duan që të bëjnë ndryshim për ta përmirësuar vendin.
Duke njohur gjuhën e ashpër që shpesh kundërshtarët përdorin kundrejt tyre në politikë, ka patur raste kur je ndjerë keq?
Po ka patur raste kur jam ndjerë keq, megjithatë eksperienca në televizion më ka mësuar që t’i anashkaloj komentet, debatet, gjuhën e ashpër. Pra të mos i kushtoj rëndësi dhe për momentin mund të ketë ndikuar pak, megjithatë unë jam natyrë që i kaloj gjërat dhe mendoj më të mirën. Mendoj pozitiven edhe i zvogëloj në mendjen time.
Cila është gjëja më e vështirë me të cilën haset një grua në politikë?
Ndoshta konkurenca me burra, të qenit i pavërtetë. Unë jam munduar që gjithmonë të qëndroj vetvetja dhe të qëndroj e vërtetë, por në politikë shpesh aktorët politikë njihen si lojtarë dhe këtë e kam parë sidomos në fushata ku shpaloset akoma më shumë. Të qenit lojtar domethënë që t’i bësh gjërat në një mënyrë që ti nuk e ke sinqerisht, por me qëllimin e fitores. Kurse unë përgjithësisht kam qenë gjithmonë në një linjë me atë që kam menduar dhe besuar me atë që kam bërë. Kështu që këtu ndoshta kam pasur konfliktin më të madh.
Je ndjerë ndonjëherë e paragjykuar?
Po jam ndjerë e paragjykuar si një grua që vij nga bota e televizionit dhe nga kjo ndoshta njerëzit kanë menduar që jam e papërgatitur për këtë fushë. Por përgjithësisht unë kur i futem diçkaje e çoj deri në fund.
Si reagojnë fëmijët kur shohin mami Florianën në televizor?
Nuk u bën ndonjë përshtypje të madhe për të thënë të vërtetën, ndoshta nuk e kuptojnë mirë fushën e politikës. Edhe pse unë mundohem me fjalë të thjeshta që t’ju tregoj që unë po luftoj dhe dua ta bëj Shqipërinë më të mirë që ata ta gëzojnë më shumë dhe të ardhmen e tyre ta kenë më të lumtur. Por nuk e di se sa rezonon kjo tek fëmijët, ata kënaqen kur më shikojnë duke folur, kur shikojnë imazhin tim në televizor, por me siguri që do t’ju pëlqente më shumë të më shikonin në një format tjetër.
Çfarë ka ndryshuar tek ti pasi je bërë mami?
Gjithçka, kanë ndryshuar prioritetet, prioriteti nuk jam më unë, kam qenë unë prioriteti përpara për veten time dhe tashmë është familja ime. Janë fëmijët, ata vijnë të parët.
Me ta je tolerante apo strikte?
Jam strikte, jam mama strikte që jap shumë dashuri, por gjithashtu i mbaj disi edhe brenda kornizave. Mendoj që këto janë vite shumë përcaktuese ku fëmijët duhet të mësojnë që të sillen mirë, të hanë mirë, të kenë eksperienca të ndryshme, ta kuptojnë botën aq sa munden. Dhe unë jam munduar të tregoj sa më shumë.
Pas shkëputjes tënde nga televizioni programi “Jo vetëm modë” ju besua moderatores Orinda Huta. Kujt mendon se i rrinte më mirë?
Këtë mund ta thonë vetëm shikuesit.
Bashkëshorti juaj është avokat shumë i njohur në Zvicër, ju po aderoni në Partinë Demokratike, si është bashkëjetesa mes 2 bashkëshortëve që zhvillojnë karrierë me kaq ambicie?
Bashkëshorti im ka qenë avokat në Zvicër, vazhdon të jetë një avokat me një studio edhe në Zvicër. Por që ai punon kryesisht nga Shqipëria, klientët janë ndërkombëtarë dhe ne jetojmë bashkë. Kështu që nuk është e vështirë sepse jemi pranë njëri-tjetrit, sigurisht kur ka nevojë të largohet dhe ka nevojë të punojë jashtë Shqipërisë, e ka këtë mundësi. Por familja duhet të jetë e bashkuar për të shkuar mirë.
Në shtëpinë tuaj flitet më shumë për ligjet apo për politkë?
Për politikë.
Për çfarë do të niste një debat ose sherr në çiftin tuaj?
Si çift jemi të mirëkuptueshëm, nuk shkojmë deri tek sherret dhe debatet e mëdha, por për gjëra koti apo absurde. Jo çështje të mëdha, mund të kapemi me fjalë për diçka banale dhe mund të degradojë pak biseda. Pastaj njëri nga ne, përgjithësisht unë tërhiqem dhe gjërat shkojnë mirë.
Largimi yt nga ekrani kur vendose t’i dedikoheshe dashurisë larg Shqipërisë ishte i papritur për publikun. Të mungon Floriana si vajzë ekrani?
Po ka raste që më mungon. I papritur deri diku, sepse unë e njoftova që do largohesha, por ekrani më mungon sepse ndjej që mund të përçoj me të gjithë empatinë time atë që unë vërtetë jam. Pa u impostuar në një formë të caktuar të cilën politika e kërkon.
I ke thënë jo përgjithmonë programeve, spektakleve?
Asnjëherë nuk i thuhet jo asgjëje përgjithmonë. Mendoj që njeriu duhet të qëndrojë i hapur për gjithçka që jeta sjell dhe duke qenë i hapur pastaj mundësitë janë të pafundme.
Nëse një ditë politika do të lodhte për çfarë natyre programi do të riktheheshe në televizion?
Sigurisht me diçka që ka lidhje me të lartësuarit të njerëzve dhe të lartësuarit të situatave, të ambjentit, të gjithçkaje tjetër. Pra thjesht të shpërndarit një impakt pozitiv në atë që bëj.
Me gatimin, çfarë marrëdhënie ke?
Një marrëdhënie të re të cilën e kam zhvilluar vetëm së fundmi, vetëm 2 vitet e fundit. Unë nuk kam gatuar më përpara, e kam thënë këtë gjë. Mamaja ime nuk është se ka insistuar që unë të mësoja dhe unë kam menaxhuar ashtu, kam patur dhe ndihmë dhe me fëmijët e vegjël. Por tani vitet e fundit më është dashur që edhe të mësoj gjërat bazë, por nuk është se kam ndonjë marrëdhënie dashurie me gatimin.
Cila është pjata e preferuar e fëmijëve nga dora e mamit?
Çdo gjë që bën mami ata e pëlqejnë dhe më thonë shpesh “mami je shumë kuzhiniere e mirë”. Që ndërkohë unë nuk jam fare, por gjithçka që gatuhet nga mami fëmijët e pëlqejnë. Supën me mish pule që mua më ka bërë mami gjithmonë që ua bëj dhe unë fëmijëve të mi edhe ata e pëlqejnë. Hanë gjellë tradicionale, hanë ushqim tradicional të shëndetshëm, mundohem që të gjitha gjërat e mira të ushqimeve unë t’ua servir edhe bashkë me tim shoq jemi goxha strikt që fëmijët të hanë shëndetshëm dhe jo gjëra të pashëndetshme.



















