Kur nis e shkruan për Ljubjanën duhet të mendosh mirë se si t’i lidhësh fjalët dhe rreshtat, njëjtë sikur përshkruan bukurinë e një vajzë të njohur kudo për këtë veti, e ti duhet të tregohesh shumë e kujdesshme të mos harrosh të theksosh asnjë detaj për ta pasqyruar sa më pranë realitetit.
Ljubjana është ndër kryeqytetet më sharmante, e njohur për një arkitekturë mbresëlënëse, e shquar për një jetë kulturore të gjallëruar, dhe një natyrë të bukur, një qytet i gjelbëruar që kush shkon aty, e kupton menjëherë që jo më kot ka marrë pseudonimin “Zemra e gjelbër e Evropës“!
Me rrugët tepër të thjeshta për t’u përshkruar, mbushur me dyqane dhe atraksione të shumta, me ura të veçanta për nga historia e bukuria që ngrihen mbi lumin piktoresk “Ljubjanica”, me qendrën mbushur me pallatet e stilit barok apo të artit modern, stil me të cilin në fakt Ljubjana krenohet për bukurinë e saj, me thjeshtësinë e kënaqësinë që të dhuron, Ljubjana gjithashtu kthehet në një nga destinacionet më të dashura për të gjithë llojet e turistëve. Kodrat që rrethojnë qytetin, por edhe ca destinacione të tjera, pranë saj, (liqeni Bled, shpellat në Postojna, etj.), japin shumë mundësi për ecje dhe eksplorime.
Të zbulojmë hiret e Ljubjanës; me çfarë mburret ajo?
Në fakt ka 99 gjëra me të cilat Ljubjana mund të mburret denjësisht, ka shumë fakte historike, fakte interesante, apo edhe legjenda; por klima e mirë, e ngrohtë, ajri i pastër që të mbush mushkëritë, energjia pozitive me të cilën mbushesh kur viziton këtë qytet si në dimër edhe në verë, është e pakrahasueshme dhe e bën atë të mos ngjasojë me asnjë qytet tjetër!
- Arkitekturë e bukur: Ljubjana krenohet me ndërthurjen e ndërtimit të qytetit me pozicionin dhe gjeografinë e saj. Të gjitha formojnë një unitet aq të bukur, sa kanë krijuar një kryevepër të vogël.
- Kalaja e Ljubjanës: Kjo kështjellë historike ofron pamje panoramike të qytetit. Nuk quhet e kryer vizita nëse nuk e shkel kalanë!
- Trashëgimia e Pleçnikut: Arkitekti i njohur Jože Plečnik ka projektuar e pikturuar pjesën më të madhe të pamjes dalluese të Ljubjanës. Është babai krijues dhe falë imagjinatës së tij Ljubjana është kjo që është.
- Tregu Qendror: Një qendër e gjallë për prodhime të freskëta e të shijshme lokale ndodhet pothuajse në një cep të qendrës, vendosur bukur anash lumit.
- Ura e Dragoit: Një nga monumentet ikonike të Ljubjanës, me katër dragonj bronzi. Nuk ka njeri i cili ka shëtitur Ljubjanën të mos ketë bërë foto pranë një dragoi.
- Lumi Ljubljanica: Lumi piktoresk i qytetit rrjedh nëpër zemër të Ljubjanës. Është shumë interesante dhe duhet bërë me patjetër shëtitja përreth tij me anijet e vogla enkas për turistët.
- Atmosfera miqësore: Ljubjana është e njohur për atmosferën e saj mikpritëse dhe relaksuese. Është e lexueshme, e kuptueshme, nuhatet porsa shkel në Ljubjanë.
- Aktivitete në natyrë: Kodrat përreth ofrojnë mundësi për shëtitje, çiklizëm dhe aktivitete të tjera në natyre.
- Ngjarjet kulturore: Ljubjana pret një sërë ngjarjesh kulturore gjatë gjithë vitit, duke përfshirë festivale, koncerte dhe ekspozita. Veçanërisht në qershor, është një stadium i hapur koncertesh në çdo vend, në çdo lloj mënyre e imagjinate që mundet të shpikë truri i artistit.
Por ka disa fakte interesante rreth Ljubjanës:
- Ura e Trefishtë: Ura e Trefishtë e Lubjanës është një strukturë unike me tre harqe, që lidh qendrën e qytetit me bregun e kundërt të lumit Ljubljanica. Po pse e trefishtë? Ec e gjeje!
- Njeriu i Gjelbër: Një statujë e një njeriu të gjelbër, që simbolizon natyrën dhe pjellorinë, ndodhet në qytetin e vjetër.
- Lopët në qytet: Gjatë verës, lopët lejohen të kullosin në parqet dhe sheshet e Lubjanës, si pjesë e një praktike tradicionale.
- Ura e Kasapit: Kjo urë ka marrë emrin e kasapëve, që e shisnin mishin e tyre nga tezgat e vendosura në të.
- Bashkia: Bashkia e Ljubjanës është një nga ndërtesat më të vjetra në qytet, që daton në shekullin e 15-të.
- Kosherja: Një sallon akulloresh i njohur në Ljubjanë është i njohur për ndërtesën e saj unike në formë koshere.
- Tregu i Krishtlindjeve i Ljubjanës: Tregu i Krishtlindjeve i qytetit është i famshëm për atmosferën e tij festive dhe zanatet tradicionale sllovene. Vera e ëmbël e nxehtë është më e mirë se kudo në Ljubjanë!
- Teatri i Kukullave: Teatri i Kukullave të Ljubjanës është një nga teatrot më të vjetër të kukullave në Evropë.
- Parku Tivoli: Ky park i madh është një destinacion popullor për vendasit dhe turistët, duke shfaqur kopshte, pellgje dhe një kopsht zoologjik. Është parku më i madh i pozicionuar pikërisht në zemër të qytetit!
- Filarmonia Sllovene: Orkestra Filarmonike Sllovene është një nga orkestrat kryesore në Evropën Qendrore dhe ndër më të vjetrat në botë. Është themeluar në 1701.
Motoja e banorëve të Ljubjanës: “E qeshura dhe vrapimi janë gjysma e shëndetit tuaj”.
Kur kam shkelur Slloveninë për herë të parë para shumë vitesh, mendova Zoti ka qenë me pushime kur e ka krijuar këtë vend. Dhe si të mos ketë qenë me pushime kur krijoi kryeqytetin e saj, Ljubjanën?
E dashuroj këtë qytet, është një oazë qetësie e pushimi si në dimër e veçanërisht në verë.
Fund