
Festimet madhështore të martesës së Dua Lipës dhe aktorit britanik Callum Turner në Palermo të Italisë kanë shkaktuar polemika mes një pjese të banorëve vendas, të cilët kanë reaguar ndaj kufizimeve të vendosura në qytet për shkak të organizimit të eventit.
Pas celebrimit të tyre në Londër, çifti ka zgjedhur Siçilinë për të vijuar festimet me të ftuar të shumtë nga bota e artit dhe showbiz-it. Megjithatë, masat e sigurisë dhe mbyllja e disa hapësirave publike kanë sjellë pakënaqësi tek banorët e zonës.
Në qendër të Palermos janë shfaqur postera protestues me mesazhe si: “Palermo nuk është me qira”, “Hapësirat publike janë të qytetarëve” dhe “Qyteti ynë nuk është vetëm për të pasurit”. Sipas mediave italiane, disa prej këtyre posterave janë hequr më pas nga pjesëtarë të sigurisë së angazhuar për eventin.
Zona përreth Palazzo Valguarnera Gangi është blinduar me masa të shtuara sigurie, ndërsa disa sheshe dhe rrugë janë mbyllur për qarkullim. Raportohet gjithashtu se bizneset pranë vendit ku po zhvillohen aktivitetet janë detyruar të pezullojnë punën përkohësisht, ndërsa banorëve me pamje direkte nga ambientet e festës u është kërkuar të mbajnë të mbyllura perdet dhe grilat.
Sipas mediave lokale, organizatorët kanë paguar mijëra euro për përdorimin e hapësirave publike ku po mbahen aktivitetet, ndërsa janë vendosur edhe kufizime parkimi dhe zona të ndaluara për dronët.
Masat e sigurisë janë të nivelit të lartë, me dhjetëra truproja të ardhur nga Italia dhe Mbretëria e Bashkuar për të garantuar privatësinë e çiftit dhe të ftuarve VIP.
Pavarësisht kritikave, autoritetet lokale e kanë mirëpritur organizimin e festimeve në Palermo. Kryebashkiaku Roberto Lagalla deklaroi se zgjedhja e qytetit nga një artiste me famë botërore si Dua Lipa përbën një promovim të rëndësishëm ndërkombëtar për Palermon.
Ai pranoi se kufizimet mund të kenë shkaktuar shqetësime të përkohshme për banorët, por theksoi se ato janë marrë kryesisht për arsye sigurie dhe se ndikimi pozitiv në imazhin e qytetit mbetet i konsiderueshëm.
