Drejtuesi i Premium International tregon për "BORDO" mundësitë e pafundme të tregut të Real Estate
Pak vite më parë, slogani “Come to Dubai” u kthye në një ftesë joshëse jo vetëm për vizitorët që donim të shijonin magjinë e qytetit me qiellgërvishtëset mbresëlënëse, por edhe për investitorët. Sokol Çili është ndër ata sipërmarrës, që pas suksesit në sektorin e Real Estate në Shqipëri me kompaninë e shitblerjes së pronave Falcon, e ka vendosur fokusin pikërisht në Dubai me Premium International Real Estate.
Sokol, si u gjende në tregun e real estate në Dubait?
Qeveria shqiptare më ftoi në EXPO 2020 për të bërë një vizitë në Dubai dhe sapo shkela aty, ndjeva një super energji dhe kuptova që ky është vendi ku duhet të investoja. E kam filluar gjithçka vetë, duke kontaktuar fillimisht shqiptarët që ishin vendosur aty dhe pak nga pak nisa të krijoj njohjet e para.
Ku ndryshon nga ai evropian?
Unë drejtoj prej vitesh një biznes në Zvicër, por Dubai ka një dinamikë që nuk e ka Evropa. Gjithçka bëhet shumë shpejt dhe saktë, është një vend që nuk mund të konsiderohet si një shtet, por si një korporatë, ku gjithçka rrotullohet rreth parasë.
Pse zgjodhët sektorin e Real Estate?
Kur u vendosa për herë të parë në Dubai para 3 vitesh, pashë që Real Estate dhe Imobilare janë baza e bizneseve. Aty sheh sesi pjesa moderne e qytetit është transformuar brenda një kohe të shkurtër, krahasuar me zonën e vjetër, duke dhënë mundësi investimesh për të gjithë. Edhe pse temperaturat janë ekstreme, nuk e ndjen aspak, sepse gjithçka është e projektuar dhe zgjidhur në atë mënyrë që lëvizjet nga zona në zonë janë të aksesueshme me sisteme moderne kondicionimi.
Pra, ju latë Zvicrën për Dubain, pse?
Sepse Zvicra ka një sistem solid, ku është shumë e vështirë për të ecur me hapat që dëshiron, ndërsa Dubai është e kundërta, që të punosh është e vështirë, ndërsa për të bërë biznes është më e lehtë. Por dua të theksoj se 9 vitet e eksperiencës që kam në këtë fushë, më kanë shërbyer edhe kur shkova në Dubai.
Si ishin fillimet për Premium International?
Kompania jonë ofron të gjitha shërbimet që i duhen një klienti që do të investojë në këtë shërbim. Ne kemi bërë trajnime specifike për të njohur tregun dhe më pas jemi licencuar, duke ofruar sot gjithçka që i duhet një klienti për të investuar në këtë sektor, madje ndihmojmë edhe me pjesën noteriale dhe dokumentacionet që shërbejnë për të lidhur kontratat. Nëse nga njëra anë Dubai ka shumë lehtësira për biznesin, nga ana tjetër ka shumë rregulla dhe penalitete nëse nuk i respekton. Filozofia e tyre është të mbrojnë klientët.
Kompania juaj, çfarë projektesh ofron?
Kompania Premium International funksionon mes kërkesës dhe ofertës, kryesisht ne punojmë me kompanitë e ndërtimit dhe me klientelë e cila do të investojë direkt me firmat e ndërtimit, kryesisht në projektet më të reja, më të mira dhe të momentit që ofron Dubai. Për momentin në shërbejmë si ndërmjetës dhe ato investime që janë bërë, janë në kuadër personal, por ka edhe klientë që mund të marrin disa rezidenca banimi ose shërbimi dhe më pas i shesin ato.
Cila është klientela juaj dhe çfarë kërkojnë më shumë??
Kryesisht punojmë me klientë italianë dhe ndërkombëtarë. Janë më të preferuara rezidencat e banimit, qendrat e shërbimit dhe zyra, të gjitha me standarde ndërtimi shumë të lartë. Nga ana tjetër, ne ofrojmë edhe shërbime për kompanitë e tjera, nga hapja e llogarive bankare deri te të gjitha procedurat që nevojiten për marrjen në pronësi të investimit të bërë.
Çfarë avantazhesh fiskale ka krahasuar me vendet e tjera?
Ka shumë avantazhe, së pari, taksa personale është zero, ndërsa për kompanitë 5 për qind është TVSH dhe 9 për qind, nëse kompania del me 100 mijë euro fitim. Dubai ofron gjithashtu mundësi për të bërë investime me kriptovalutë, duke i bërë investimet më komode.
Kush mund të investojë në Dubai?
Kushdo mund të investojë, sado qoftë, një shumë e vogël apo duke u bërë një grup miqsh mund të investohet. Këto investime duan të jesh pak mendjehapur, sepse është një investim që kërkon kurajë. Kompania jonë ofron ekspertizën e duhur, duke ju ndihmuar për të bërë investimet që doni. Nëse blini një banesë apo qendër shërbimi, ne ndjekim procedurat, që nga momenti i dhënies me qira deri në kryerjen e pagesave. Por, dua të theksoj diçka, të gjithë që investojnë në Dubai janë të mbrojtur nga shteti.
Si është rritur numri i klientëve tuaj?
Fillimi ka qenë i vështirë, por me kalimin e kohës ka qenë në rritje numri i atyre që duan të investojnë përmes kompanisë sonë. Dua të theksoj që më së shumti klientët tanë janë të huaj, preferojmë bashkëpunime me klientë ndërkombëtarë.
A mundet të merren kredi për këto investime?
Sigurisht edhe përmes kompanisë sonë mund të favorizohen: jepen kredi për investime deri në masë 50 për qind të vlerës nëse nuk je rezident dhe 80 për qind nëse je rezident.
Ata që investojnë në Dubai, çfarë përfitimesh të tjera kanë?
Kushdo që investon në Dubai me një vlerë mbi 160 mijë euro, pajiset me dokumentacionin e rezidentit me afat dyvjeçar dhe të gjithë dokumentacionin e nevojshme që favorizon në jetën dhe të bërit biznes.
Si variojnë çmimet dhe për sa kohë mund të kthehet ky investim?
Çmimi varet nga zonat ku do të bëni investimin, por ne aktualisht operojmë në zona ku çmimet variojnë nga 3 500 deri në 10 000 mijë euro metri katror. Dua të theksoj se një nga anët e mira që ka Dubai, është se kthimi i investimit është shumë më i shpejtë, sidomos në ato që jepen me qira, duke qenë se turizmi aty zgjat 8 muaj dhe gjatë gjithë kohës ka vëmendje në tregun imobilar, ku përfshihet edhe dhënia me qira përmes platformave online, çka bën që fitimi i investimit të kthehet në një kohë shumë të shkurtër.
Ju drejtoni kompaninë Falcon, si po ecën Real Estate në Shqipëri?
Përpos faktit që së fundmi kam qenë i përqendruar në Dubai gjatë këtyre 3 vitet e fundit, tregun e Real Estate në Shqipëri nuk e kam lënë pas dore, pasi operojmë përmes Falcon. Falcon po ecën mirë dhe pjesa më e madhe e kërkesave është e fokusuar në kryeqytet dhe zonën e bregdetit, aty ku edhe Shqipëria është në një ‘boom’ të vetin. Por, po shoh se në Shqipëri po vijnë shumë italianë, polakë dhe çekë, pa folur për emigrantët tanë dhe kjo e bën tregun të jetë në momentin e tij më të mirë në sektorin e Real Estate.
Sokol, ku e shihni të ardhmen tuaj?
Aktualisht jam pjesë e një projekti ndërkombëtar dhe jam duke udhëtuar shpesh, sepse dua të jem aty ku janë oportunitetet më të mira dhe Dubai aktualisht është një mundësi shumë e mirë. Gjykoj që sot kemi mundësi për të qenë kudo përmes investimeve dhe bizneseve. Nga ana tjetër po punoj në disa projekte sociale, duke dhënë kontributin tim për shoqërinë. Gjithashtu jam pjesë e projektit zviceran UNITA, e cila bashkon bizneset me njëra-tjetrën në një platformë të vetme, ku unë mbuloj Emiratet dhe Ballkanin.