KreuKuzhine

Nga gastronomia botërore te “Besa Festival”, ambicia e madhe e Rexhep Rexhepit

Mes aromave të kuzhinës nordike, disiplinës së një prej restoranteve më të famshme në botë dhe dëshirës për të ruajtur gjallë identitetin shqiptar në diasporë, Rexhep Rexhepi ka ndërtuar një rrugëtim të veçantë profesional dhe personal. Pas më shumë se shtatë vitesh eksperiencë në “Noma” dhe projekte të tjera prestigjioze gastronomike në Danimarkë, ai sot po investon energjinë dhe vizionin e tij në “Besa Festival”, një iniciativë që synon të afrojë kulturën shqiptare me publikun ndërkombëtar përmes artit, muzikës, gastronomisë dhe traditave. Në këtë intervistë, Rexhepi flet për edicionin e dytë të “Besa Festival” në Kopenhagë, misionin e tij për të promovuar vlerat shqiptare në diasporë, mësimet e marra nga puna pranë emrave më të rëndësishëm të gastronomisë botërore dhe potencialin që kuzhina shqiptare ka për të zënë vendin që meriton në skenën ndërkombëtare.

Rexhep, ky është viti i dytë i “Besa Festival” në Kopenhagë, çfarë risish sjell këtë herë?

Pas edicionit të parë mësuam shumë, dhe këtë vit fokusi ynë ka qenë te detajet, përmirësimi i përvojës së vizitorëve dhe rritja e pjesëmarrjes së komunitetit danez. Qëllimi ynë është që “Besa Festival” të mos jetë vetëm një festë për shqiptarët, por një urë lidhëse mes kulturës shqiptare dhe asaj daneze. Një nga risitë më të mëdha këtë vit është përfshirja e sportit si pjesë e programit. Kemi organizuar një ndeshje futbolli mes klubit shqiptar “Liria” dhe ekipit “FC Copenhagen Old Boys”, ku do të marrin pjesë disa nga emrat e njohur të futbollit danez, ndër ta edhe Bajram Fetai, i cili ka qenë gjithashtu pjesë e organizimit të kësaj iniciative. Në programin artistik kemi kënaqësinë të mirëpresim Pierpaolo Pettan dhe familjen e tij arbëreshe nga Piana degli Albanesi në Itali, një shembull i bukur i ruajtjes së identitetit shqiptar ndër breza. Po ashtu do të kemi Ansamblin “Jehona e Malësisë”, të rinj të talentuar që tregojnë historinë dhe traditat tona përmes valles shqiptare. Festivali do të sjellë edhe artistë të rinj, si Fjolla Jahiu dhe Arianit Ramadani nga Tetova, vëllezërit Rinor dhe Arbnor Selmani, si dhe Jimilian Ismailin, një nga artistët më të njohur në Danimarkë me origjinë shqiptare. Përveç muzikës dhe performancave, do të ketë edhe demonstrime të artizanatit tradicional. Një prej tyre është qeleshepunues Hyseni nga Kruja, pjesë e një tradite gjashtëbrezëshe të punimit të qeleshes, i cili do ta demonstrojë këtë zanat live para vizitorëve. Në thelb, këtë vit kemi tentuar të krijojmë një program që bashkon muzikën, sportin, traditat, artin dhe historinë tonë, duke e bërë “Besa Festival” një përvojë sa më të plotë dhe gjithëpërfshirëse.

Çfarë përfshin agjenda kulturore dhe cilët do të jenë të ftuarit dhe aktivitetet?

Agjenda kulturore e festivalit është ndërtuar për të prezantuar larminë e kulturës shqiptare përmes muzikës, vallëzimit, gastronomisë, sportit dhe artizanatit tradicional. Përveç programit artistik, do të kemi kënaqësinë të mirëpresim përfaqësues institucionalë dhe diplomatikë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Danimarka, si dhe përfaqësues të Komunës së Kopenhagës. Një kënaqësi e veçantë për mua është pjesëmarrja e kryetarit të Komunës së Tetovës, qytetit ku jam rritur, i cili gjithashtu ka mbështetur pjesëmarrjen e ansamblit “Jehona e Malësisë” në festival. Në thelb, festivali synon të krijojë një hapësirë ku kultura shqiptare prezantohet në mënyrë autentike dhe bashkëkohore, duke afruar komunitetet dhe duke krijuar ura të reja bashkëpunimi.

Cili është misioni i “Besa Festival” dhe çfarë përfaqëson për komunitetin shqiptar në Danimarkë?

Misioni i “Besa Festival” është të krijojë ura lidhëse mes njerëzve dhe kulturave përmes artit, muzikës, gastronomisë dhe traditave tona. Ne duam të krijojmë një hapësirë ku jo vetëm shqiptarët, por edhe komunitetet e tjera të mund të njohin dhe të gjejnë diçka nga vetja në kulturën tonë. Për komunitetin shqiptar në Danimarkë, festivali përfaqëson një mundësi për t’u mbledhur, për të festuar identitetin tonë dhe për ta ndarë atë me të tjerët. Njëkohësisht, ambicia jonë është që brezat e rinj, fëmijët tanë, ta kenë më të lehtë të ndiejnë një copëz të shpirtit shqiptar edhe në truall danez. Besoj se është e rëndësishme të kujtojmë nga vijmë, në mënyrë që të dimë më mirë se ku po shkojmë.

Edhe pse jetoni në Danimarkë, si arrini të ruani lidhjen me rrënjët shqiptare?

Unë u shpërngula në Danimarkë në moshën 16-vjeçare dhe, si shumë shqiptarë në diasporë, u përballa me sfidën e integrimit në një vend dhe kulturë krejtësisht të re. Në të njëjtën kohë, ishte e rëndësishme për mua të mos harroja se nga vij. Besoj se secili gjen mënyrën e vet për të ruajtur lidhjen me rrënjët. Për mua, kjo ka ardhur përmes angazhimit në aktivitete kulturore, komunitare dhe projekte që na bashkojnë si shqiptarë. Pikërisht nga kjo dëshirë lindi edhe frymëzimi për “Besa Festival” – të krijojmë një hapësirë ku mund të festojmë kulturën tonë, ta ndajmë atë me të tjerët dhe t’ua përcjellim brezave të rinj.

Për 7 vite e gjysmë keni qenë pjesë e Noma-s, Bar dhe Hart Bakery. Si ka ndikuar kjo eksperiencë në rrugëtimin tuaj profesional?

E nisa rrugëtimin tim në një moshë shumë të re, 17-vjeçare, ndërkohë që isha ende nxënës në shkollën e hotelerisë dhe menaxhmentit. Do të doja të theksoja se shkolla ndiqte një qasje më klasike, ndërsa në të njëjtën kohë punoja në restorantin që revolucionarizoi botën e gastronomisë. Me pak fjalë, “klasike” është ndoshta fjala e fundit që do të përdorja për të përshkruar “Noma-n”. Edhe pse ekzistonte një kontrast i madh mes tyre, kjo më dha mundësinë të kuptoja se gastronomia dhe restoranti bashkëkohor/kontemporal që njohim sot i kanë rrënjët te tradita dhe teknikat klasike. Mbi të gjitha, më mësoi të vlerësoj rëndësinë e bazave të forta, sepse inovacioni i vërtetë lind kur e njeh dhe e kupton mirë themelin mbi të cilin ndërton.

Si ishte të punoje për kaq shumë vite në “Noma” dhe cilat kanë qenë mësimet dhe sfidat më të mëdha?

Përtej njohurive që fitova për produktet dhe ushqimin, mësimi më i madh ishte përulësia. “Noma” më mësoi se është në rregull të gabosh dhe se gjithmonë ka diçka për të mësuar nga dikush tjetër. Kur pranon që nuk i di të gjitha, fillon të mësosh shumë më shpejt.

Ju lidhin marrëdhënie familjare me René Redzepi. Si ishte bashkëpunimi juaj në aspektin profesional?

Përveç faktit që kemi lidhje familjare, në punë ajo pjesë zhdukej shumë natyrshëm. Në “Noma” rëndësi kishte profesionalizmi dhe kontributi i secilit në ekip. Kur ke mysafirë që kanë udhëtuar nga e gjithë bota dhe kanë pritur me muaj apo vite për një tavolinë, fokusi kalon te përgjegjësia për të dhënë më të mirën. Pikërisht kjo është ajo që kam vlerësuar gjithmonë te René dhe kultura që ai ka ndërtuar në “Noma”.

Si ka ndikuar puna me René-n dhe profesionistë nga e gjithë bota në mënyrën se si e shihni mikpritjen dhe shërbimin?

Puna me njerëz nga kultura dhe profesione të ndryshme më ka mësuar se mikpritja është, mbi të gjitha, aftësia për t’i bërë njerëzit të ndihen të mirëpritur dhe të vlerësuar. Kam kuptuar se standardet e larta ndërtohen përmes disiplinës, bashkëpunimit dhe vëmendjes ndaj detajeve, por edhe përmes gatishmërisë për të mësuar vazhdimisht nga të tjerët.

Cili është mësimi më i vlefshëm që keni marrë gjatë viteve në “Noma”?

Mësimi më i vlefshëm që kam marrë është se nuk duhet të ndalosh kurrë së mësuari. Në “Noma” kuptova se pavarësisht përvojës apo pozicionit që ke, gjithmonë ka diçka të re për të mësuar nga njerëzit përreth teje. Kur lë mënjanë egon dhe mbetesh kurioz, rritesh jo vetëm profesionalisht, por edhe si njeri.

Cili është vizioni juaj për “Besa Festival” dhe si mund të kontribuojë në promovimin e vlerave shqiptare në arenën ndërkombëtare?

Vizioni im për “Besa Festival” është që të bëhet një platformë e qëndrueshme kulturore që lidh shqiptarët me njëri-tjetrin, por edhe me komunitetet e tjera në Danimarkë dhe më gjerë. Nuk e shoh vetëm si një festival njëditor, por si një mundësi për të krijuar dialog, bashkëpunim dhe njohje përmes kulturës. Besoj se sot kemi një moment të veçantë, ku bota po tregon gjithnjë e më shumë interes për shqiptarët, historinë, gastronominë, artin dhe potencialin tonë. Për këtë arsye, kemi edhe një përgjegjësi për t’u prezantuar në mënyrë dinjitoze dhe autentike. Nëse përmes “Besa Festival” arrijmë që qoftë edhe një vizitor të largohet me një kujtim më të mirë për kulturën, vlerat dhe mikpritjen shqiptare, atëherë kemi bërë një hap në drejtimin e duhur. Në fund të ditës, promovimi më i mirë i një kulture nuk bëhet vetëm duke folur për të, por duke e përjetuar atë.

Kuzhina shqiptare, a ka potencial të promovohet më shumë në skenën ndërkombëtare?

Absolutisht po. Bazat i kemi: produkte të jashtëzakonshme, tradita të pasura kulinare dhe një kulturë mikpritjeje që na dallon. Ajo që na duhet është të vazhdojmë të bashkojmë talentin, vullnetin dhe përvojën e kuzhinierëve, shefave dhe profesionistëve shqiptarë kudo që ndodhen. Përvoja me AlbChef më ka treguar se kur njerëz me pasion dhe një vizion të përbashkët bëhen bashkë, mund të lindin gjëra vërtet të bukura. Besoj se potenciali i kuzhinës shqiptare nuk qëndron vetëm te recetat, por edhe tek aftësia jonë për të bashkëpunuar, për të treguar historitë tona dhe për ta prezantuar identitetin tonë gastronomik në mënyrë moderne dhe autentike. Jam i bindur se jemi vetëm në fillim të këtij rrugëtimi dhe se vitet e ardhshme do të sjellin edhe më shumë vëmendje për gastronominë shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Si kanë ndikuar traditat shqiptare të mikpritjes në mënyrën se si e shihni përvojën e mysafirit dhe shërbimin profesional?

Mikpritja është një nga vlerat më të forta që kemi si shqiptarë. Që i vogël jam rritur me idenë se mysafiri pritet me respekt, kujdes dhe bujari, dhe kjo ka ndikuar shumë në mënyrën se si e shoh shërbimin profesional sot.

Pavarësisht standardeve të larta dhe vëmendjes ndaj detajeve që kam mësuar gjatë viteve në “Noma”, në thelb mikpritja ka të bëjë me diçka shumë njerëzore: t’i bësh njerëzit të ndihen të mirëpritur dhe të vlerësuar. Në këtë aspekt, shoh shumë ngjashmëri mes kulturës sonë dhe filozofisë së mikpritjes që kam përjetuar profesionalisht. Njerëzit mund të harrojnë se çfarë kanë ngrënë apo pirë, por rrallë harrojnë se si i ke bërë të ndihen.

Sa rëndësi ka për ju fakti që jeni një urë lidhëse mes kulturës shqiptare dhe asaj daneze?

Sinqerisht, nuk e shoh veten si një urë lidhëse mes dy kulturave. Më shumë e shoh veten si dikë që përpiqet të krijojë hapësira ku njerëzit mund të takohen, të njihen dhe të ndajnë përvojat e tyre. Përmes “Besa Festival” dhe angazhimeve të tjera, mundohem të sjell në pah ato elemente që na japin identitet si shqiptarë, por që në të njëjtën kohë janë universale dhe i kupton çdokush: ushqimin, artin, muzikën dhe mikpritjen. Janë pikërisht këto gjëra që na lidhin si njerëz, pavarësisht gjuhës apo vendit nga vijmë. Nëse arrijmë të krijojmë momente ku njerëzit njihen më mirë me njëri-tjetrin dhe largohen me më shumë mirëkuptim e respekt, atëherë besoj se kemi arritur diçka me vlerë.