KreuStil Jetese

Fakte rreth Dries Van Noten!

Fakte rreth Dries Van Noten!

Dizajneri belg i modës Dries Van Noten, i cili drejton markën me të njëjtin emër, ka spikatur për ngjyrat luksoze, stilin avangard, prakticitetin dhe aspektin dekonstruktiv. Stilimet e tij dalluan për inovacionin, printimet dhe rrobaqepësinë e rafinuar. "Ne nuk duam ta bëjmë Antwerpin një Paris të vogël, thjesht duam të ruajmë imazhin dhe shpirtin tonë", tha stilisti, duke vulosur parimin e tij për modën, se çdo veshje të vishet nga kushdo, ndaj ai refuzoi konceptin e modës së lartë.

Familje stilistësh

Van Noten rrjedh nga një familje, e cila punon prej 3 brezash në fushën e modës; babai dhe gjyshi i tij ishin rrobaqepës në Antwerp. I ati shiste veshje për meshkuj për emra të njohur, si: Emmanuel Ungaro, Salvatore Ferragamo dhe Ermenegildo Zegna dhe gjithmonë e çonte Van Noten për të ndjekur sfilatat e modës në Milano dhe Paris.

Fakte rreth Dries Van Noten!

Antwerp Six

Bashkë me Ann Demeulemeester, Dirk Van Saene, Walter Van Beirendonck, Dirk Bikkembergs dhe Marina Yee, njihen si Antwerp Six. Ata morën me qira një kamion për të ekspozuar koleksionet e tyre në Londër, pasi nuk përballonin dot tarifat e sfilatave. Të gjashtë sollën një vizion radikal në modën e viteve 1980, duke e vendosur Antwerpen në hartën e botës së modës.

Fakte rreth Dries Van Noten!

Koleksioni Sailing

Sfilata e tij e parë ishte koleksioni për meshkuj “Sailing” dhe u frymëzua nga lundrimi me jaht. Me fare pak buxhet, koleksioni dalloi për elegancën klasike dhe përmbante veshjet kryesisht prej liri, pambuku dhe leshi. Por çudia ishte që në “Barney”, shumica u blenë nga gratë, çka e nxiti të krijonte më pas një linjë për gra.

Fakte rreth Dries Van Noten!

Ready to wear

Ka pak stilistë, prezantimet e të cilëve në pasarela kanë po aq rëndësi sa vetë veshjet. Marka Dries Van Noten ofron veshje të gatshme për t'u veshur, duke shmangur modën e lartë. “Kur ulem në sfilatat e mia, nuk dua që shikuesit të pyesin: Më fal, po kush i vesh këto rroba? Ndaj nuk më pëlqen ideja të tregoj në sfilata veshje që nuk i shes në një dyqan”.

Fakte rreth Dries Van Noten!

Printimet

Stilisti është i magjepsur pas natyrës, madje ai ka një kopsht ku edhe frymëzohet për koleksionet e tij. Pasi fotografoi të gjitha lulet e kopshtit të tij, ai i printoi në copa dhe me to realizoi koleksionin Vjeshtë/Dimër 2019. Ka një qasje të pazakontë ndaj printimeve, duke u frymëzuar nga kultura orientale, të cilën e përzien me stilin urban.

Fakte rreth Dries Van Noten!

Largimi

Vitin e shkuar, stilisti belg njoftoi zyrtarisht largimin nga posti i drejtorit kreativ të markës së tij. Van Noten, 65 vjeç, deklaroi se karriera e tij kishte qenë një ëndërr e realizuar. “E ndjej se është koha për të krijuar hapësirë, për një brez të ri talentesh për të sjellë vizionin e tyre në markë. Jam i trishtuar, por në të njëjtën kohë edhe i lumtur”.

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF