KreuStil Jetese

Orët vintage, pasioni i madh i çiftit tiranas!

Orët vintage, pasioni i madh i çiftit tiranas!

Nga Nada Biraçi

Fotografia: Gent Onuzi

Një pasion që ka nisur herët, më shumë se tri dekada më parë kur çifti Mira dhe Ladi Mançelara në rastet e tyre të shënuara i dhuronin njëri-tjetrit një kohëmatës. Ladi është njohës i mirë i orëve dhe mekanizmin e tyre e zbërthen mjeshtërisht dhe ky pasion për orët duket se për të nuk ka nisur kuturu. Vitet ’90 si për një pjesë të madhe të shqiptarëve, edhe për çiftin Mançelara do të ndiznin dëshirën për të provuar emigrimin, ku për 23 vite jetuan dhe punuan në Greqi.

Orët vintage, pasioni i madh i çiftit tiranas!

Ndonëse përditshmëria dhe integrimi në një vend të huaj do të kishte vështirësi, pasioni për orët nuk u zbeh asnjëherë për çiftin nga Tirana dhe pa e kuptuar ata u kthyen në koleksionistë mirëfilli të kohëmatësve vintage. Çdo udhëtim, vizitë në muze, takime mes miqsh, e pazaret e orendive të vjetra, për Mirën dhe Ladin do të shtonin herë pas here një orë tjetër në koleksionin e tyre. Në fakt duket se orët e kanë tejkaluar prej kohësh funksionin e tyre kryesor të matjes së kohës, për t'u bërë deklarata të stilit personal, simbole prestigji dhe madje objekte obsesioni për shumë njerëz.

Orët vintage, pasioni i madh i çiftit tiranas!

Mjeshtëria e ndërlikuar, rëndësia historike dhe simbolika e natyrshme kontribuojnë në një lidhje psikologjike, që nxit këtë obsesion që ka kapluar tashmë prej vitesh çiftin Mançelara. Pas 23 vitesh në emigrim, Mira dhe Ladi vendosin të kthehen në vendin e tyre, së bashku me pasurinë e koleksionimit të orëve vintage, numri i të cilëve ishte rritur në mënyrë galopante. Një bar në një prej lagjeve më të vjetra të Tiranës do të ishte investimi i çiftit, vend ku ata kalojnë pjesën më të madhe të ditës.

Orët vintage, pasioni i madh i çiftit tiranas!

I gjithë koleksioni i orëve është shpërndarë nëpër ambientet e barit, duke rrëmbyer kështu menjëherë vëmendjen e klientëve. Mira tregon për “Bordo” se koleksioni i tyre ka mbi 350 orë, më e vjetra e të cilave është 250-vjeçare. Varietetet e orëve janë të shumëllojshme, duke nisur nga ato me lavjerrës, orët e qyqes, ora e karrocës, orët e njohura antike franceze me mantel ose siç i njohim ne me emërtimin orë rafti, apo edhe orët trekëndëshe.

Orët vintage, pasioni i madh i çiftit tiranas!

Pjesa më e madhe e këtij koleksioni përbëhet nga kohëmatës origjinal, që do të thotë se janë të një cilësie superiore të drurit, si arra, qershia dhe lisi. Pasioni i rrallë i çiftit Mançelara e ka marrë udhën tashmë prej më shumë se 30 vitesh dhe asesi nuk është zbehur për asnjë moment, ndaj miq, shokë, e familjarë e dinë mirë se çfarë dhurate do t’i gëzonte më shumë Mirën e Ladin, koleksionistët e heshtur tiranas.

 

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF