KreuKuzhine

Pashkët në tavolinë!

Nga Aristela Anagnosti
Për të gjithë besimtarët orthodoksë kjo është java e madhe para pashkëve, të cilat janë të dielën më datë 1 Maj. Java e madhe do të thotë pastrim i shtëpisë dhe gatime. E shtuna e madhe para pashkëve është mbrëmja ku fillojnë festimet për ripërtëritjen.  Gatimi tradicional që shijohet në mesnatë është supa magjirica, e cila pasohet nga përplasja e vezëve të kuqe në mesazhin “Krishti u ngjallë”.
Të dielën e Pashkëve tavolinat kanë si protagonistë mishin e qengjit në hellë dhe verën e kuqe. Embëlsirat janë biskotat e pashkëve (kulurakia e pashkëve) dhe çyreku i pashkëve që është buka tradicionale e kësaj feste.

Receta për supën magjirica për 9 veta:
1 kg të brendshme qengji
2 lugë gjalp
2 limona të shtrydhur ( lëngu)
3 vezë
1 filxhanë oriz
1/2 kg qepë të njoma
kripë
piper
1 tufë kopër
Disa fletë spinaq
Disa fletë sallatë jeshile
Të brendshmet pasi i kemi larë dhe prerë, i vendosim për t’u zier. Pasi është zier lëngu e kullojmë dhe në të shtojmë qepët e prera. Shtojmë të brendshmet me gjalpin dhe e lëmë në zjarr të ngadaltë. Kur të shohim që janë bërë, shtojmë orizin si dhe e rregullojmë me kripë. E heqim nga zjarri dhe pas 5 minutash e presim me vezë dhe limon. Në 15 minutëshin e fundit shtojmë kopër, sallatën jeshile dhe spinaqin së bashku me piperin.

Receta për cyreki:
135 gr gjalp në temperaturë dhome
135 gr qumësht në temperaturë dhome
200 gr sheqer
4 vezë në temperaturë dhome
870 gr miell për bukë
21 gr maja birre
100 gr ujë të vakët
Lëkurën e 1 portokalli
1 lugë mastika
1 lugë aklep (erëz)
1 vezë + 1 lugë ujë për lustrimin  e curekit
1 grusht bajame të qëruara dhe të prera për t’u hedhur sipër
Majanë e  tretim në pak qumësht të vakët me dy lugë miell dhe e lëmë që të vijë.   Pjesën tjetër të miellit, e hedhim në një tepsi ku në mes bëjmë një vrim për të hedhur  miellin, të cilin e kemi berë me maja dhe qumësht. Në një tenxhere bashkojmë qumështin, sheqerin, vezët, aklepin, mastikën dhe gjysmën e gjalpit. Pasi i kemi përzier mirë dhe janë nxehur, i hedhim  tek mielli dhe zëmë brumin duke i lyer duart me gjalp. Brumi nuk duhet as shumë i fortë, dhe as shumë i butë. Brumin e lëmë që të vij.
Më pas i japim format që duam, e lyejmë me vezë dhe e spërkasim me bajamet. E pjekim në furrë për 45 minuta në temperaturë mesatare.

Biskota e pashkëve( kulurakia)

1 kg miell
5 të verdha
5 të bardha
1 vezë e plotë e rrahur me pak ujë
100 gr gjalp
vanilje
300 gr sheqer
1/3 filxhanit qumësht
maja
Tresim gjalpin, dhe më pas e hedhim tek mielli dhe e përziejmë. Ndajmë të verdhat nga të bardhat dhe të verdhat i rrahim me sheqerin, ndërsa të bardhat me njëra-tjetrën deri sa të jenë bërë shkumë. Te mielli shtojmë të verdhat me sheqerin, të bardhat, qumështin ku kemi tretur majanë dhe vaniljen. Zëmë brumin deri sa të bëhet elastik dhe më pas i japim formën që duam. I shtrojmë në një tavë të lyer me gjalp më parë dhe sipër i lyejmë me vezën e rahur dhe i vendosim në furrë në temperaturë mesatare për 20 minuta.
Kurse për mishin e qengjit në hell, që është protagonisti kryesor i menusë festive duhet një marinim i mirë me lëngun e 4 limonave, kripë, piper, vaj për ta lyer, jo vetëm para se të vihet në hell, por vazhdimisht deri sa të behet lëkura kërce.
Ju bëftë mirë dhe Gëzuar Pashkët!

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF