Skulptura prej mermeri “L’Eternel Printemps” (Pranvera e Përjetshme) e francezit, Auguste Rodin, u shit dje në mbrëmje për më shumë se 20 milionë dollarë, një rekord për artisitn, në ankandin e artit impresionist dhe modern të shtëpisë “Sotheby’s” në New York.
Kjo skulpturë prej mermeri të bardhë përfaqëson një çift që po shkëmbejnë një puthje, u vlerësuar për 20,41 milionë dollarë duke tejkaluar me dy herë vlerësimet fillestare që e gjykonin me vlerë fillestare mes 8 dhe 12 milionë dollarë.
“L’Eternel Printemps” është gdhendur në një bllok të vetëm mermeri mes viteve 1901 dhe 1902 nga babai i skulpturës moderne.
Vepra është 80 centimetra e gjatë, 66 centimetra e lartë, peshon 154 kilogram dhe është një variant i skulpturës së tij prej mermeri “Le Baiser” (Puthja), e ekspozuar në muzeun Rodin në Paris.
Rekordi i mëparshëm për një skulpturë të Rodin ka qenë prej 19,97 milionë dollarë për “Eve, grand modèle-version sans rocher” (Eva, model i madh-version pa shkëmb), e shitur në ankand në maj 2008.



















