KreuArt

“Café Society” i Woody Allen hap Festivalin e 69-të të Kanës

Gjithçka është gati… Tapeti i kuq tani pret vetëm yjet që vijnë nga e gjithë bota për Festivalin e 69-ë të Kanës që u hap dje, nën masa të larta sigurie, me filmin e fundit të Woody Allen, “Café Society”, që është prezantuar jashtë garës.

Posteri, ngjyrë e verdhë dielli, i filmit “Le Mépris” i Jean-Luc Godard, vezullon në hyrje të Pallatit të Festivaleve, sipër rrugicave të famshme mbi të cilat do të ecin gjatë 12 ditëve dhjetëra yje nga George Clooney tek Lea Seydoux, duke kaluar nga Juliette Binoche, Marion Cotillard, Russell Crowe apo Charlize Theron.

Në fakt nderi i madh për të hapur këtë spektakël me projektimin e filmit të 46-ë të Woody Allen, “Café Society”, do t’i takojë amerikanëve Kristen Stewart dhe Jesse Eisenberg.

Pas “Hollywood Ending”, në vitin 2002, dhe “Midnight in Paris”, në vitin 2001, është hera e tretë që një film i kineastit njujorkez 80 vjeçar do të hapë takimin më të madh botëror të kinemasë.

I financuar nga gjiganti i distribuimit në internet “Amazon”, hera e parë për një film që hap Festivalin e Kanës, ky film na fut në një histori romantike në “Café Society” dhe Nju Jorkun e viteve 30.

Yje kinemaje, gangsterra, bastexhinj, femra ambicioze apo miliarderë popullojnë këtë udhëtim në kohë, që i mundëson Woody Allen të fusë aktoren Kristen Stewart në galerinë e tij të heroinave.

E prezantuar të mërkurën në mbrëmje nga komediani francez, Laurent Lafitte, ceremonia hapëse do t’i lërë vendin të enjten garës me projektimin e “Rester vertical” të francezit Alain Guiraudie dhe “Sieranevada” të rumunit Cristi Puiu, të sapo ardhur në garën për Palmën e artë.

Nën drejtimin e regjizorit australian George Miller (krijues i sagës Mad Max), juria është e përbërë nga tetë anëtare, Arnaud Desplechin, Kirsten Dunst, Valeria Golino, Mads Mikkelsen, Làszlo Nemes, Vanessa Paradis, Katayoon Shahabi, Donald Sutherland dhe do të ketë për mision t’i japë më 22 maj Palmën e artë dhe çmimet e tjera garuesve të këtij kompeticioni botëror.

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF