Në 16 maj të vitit 1962, presidenti amerikan John F. Kennedy festoi 45-vjetorin e lindjes dhe urimi që i bëri publikisht Marilyn Monroe përpara turmës së të ftuarve në Madison Square Garden “Gëzuar ditëlindjen Z.President” ka mbetur në histori!
Vitin e kaluar, faqja amerikane “Ripley’s believe it or not” e cila trajton ngjarje ekskluzive dhe të pazakonta fitoi në ankandin e “Julien” pikërisht fustanin që Monroe kishte veshur gjatë përshëndetjes speciale për presidentin. Çmimi ishte 4.8 milionë dollarë, pra 400 herë më shumë se sa çmimi i kostos fillestare të fustanit. Veshja e konsideruar se më e shtrenjta në botë është nxjerrë tashmë në ekspozitë, në San Francisco përmes “Ripley’s believe it or not” deri në pesë shtator. Kjo veshje e ndritshme u realizua nga Jean Louis, skicuesi i veshjeve fituese të çmimeve Oscar. Veshja e hollë në ngjyrë mishi u qep në momentet e fundit përpara festës në trupin e Monroe për më tepër siguri. 2500 kristale të çmuar mbështillnin fustanin, realizimi i të cilit e vonoi disi hyrjen e aktores në skenë.
Aktorja Marilyn Monroe ndërroi jetë vetëm tre muaj pas kësaj shfaqjeje.