Edhe pse ndoshta emisionet e shoubizit apo spektaklet e këtij lloji janë disi më të ndjekura nga masa, ato çka dominojnë jo pak ekranin televiziv janë formatet e natyrës politike. I tillë është edhe ‘Studio e Hapur’ e Eni Vasilit, e cila është intervistuar nga Panorama këtë të shtunë, e jo më kot. Moderatorja zbulon disa nga detajet më të rëndësishme të këtij sezoni të ri, që ndër të tjera do të sjellë risi, duke devijuar nga ajo çka jemi mësuar të shohim prej kohësh tashmë.
Eni zbulon se 2017-a shënon vitin e dymbëdhjetë të ‘Studio e Hapur’ në ekran. Sezoni i ri nis zyrtarisht këtë të hënë (më 11 shtator), e sipas Vasilit kjo datë nuk është përzgjedhur rastësisht. “Në datën 9 shtator mbahet seanca e parë e legjislaturës së re të Kuvendit. është një ngjarje e rëndësishme e jetës politike të vendit, ndaj dhe kërkon një vëmendje të veçantë. Pra, do të jetë politika ajo që do të startojë sezonin e ri të ‘Studio e Hapur’’, shprehet gazetarja. Përsa i përket ndryshimeve në strukturën e këtij formati, Eni rrëfen se emisioni do të vijë për publikun tre herë në javë – çdo të hënë, të martë dhe të premte. “E hëna dhe e marta në orën 21:00 do të jenë pak a shumë emisionet klasike me katër të ftuar…Ndërkohë, emisioni i së premtes do të vijë i formatuar ndryshe, duke filluar nga studioja. Në një tavolinë më të vogël se e zakonshmja do të ulen vetëm dy veta, unë dhe i ftuari, me të cilin do të zhvillohet një bisedë rreth 60 minuta”, ka zbuluar më tej Vasili.
Për sa i përket pyetjes se cili nga politikanët ka qenë më i vështiri gjatë intervistimit, Eni ka rrëfyer: “Më i vështirë është Edi Rama. Ka një lloj tensioni në intervistat me të, jo vetëm se ai është Kryeministri dhe të tilla intervista kanë një përgjegjësi të veçantë, por për shkak të marrëdhënies dominuese që ai mundohet të vendosë me bashkëbiseduesin”. Ndërsa, politikanin më komod në rrethanë të njejtë, Vasili ka cilësuar ish-Kryeministrin Berisha, që sipas gazetares: “…dëgjon me vëmendje, nuk përpiqet të vërë askënd në pozitë, nuk përdor batutën. është e vështirë t’i marrësh një rrëfim që ai nuk do ta japë, por është komod në bashkëbisedim.”