Përpos ndarjes së çmimeve dhe shpalljes së artistit fitues, publiku po priste edhe diçka tjetër nga edicioni i 19-të i ‘Kënga Magjike’. Ashtu sikurse na kishte premtuar, në bashkëpunim me Darko Dimitrov, Arditi na solli një duet në skenën e këtij festivali, ndërsa këtë herë kolege përkrahë kishte vetë Annën. Sapo mbërritën në skenë, publiku shpërtheu në duartrokitje, e nuk do mend që Gjebrea u emocionua nga një mikpritje e tillë.
Duke mos lënë mënjanë këngën, çfarë pati edhe më shumë rëndësi ishte ajo që zbuloi vetë Arditi. “Kjo është Anna. Më duhej një motiv që të rikthehesha. Më keni kërkuar shumë të gjithë, ju kam munguar për shumë vite, ju kërkoj ndjesë. Prita këtë moment që të kompozoja, që të krijoja një këngë që ia kisha premtuar Annës”, ka thënë Arditi, duke na rrëfyer kështu që arsyeja pse u ngjit prapë në skenë si këngëtar ishte vetë e bija.
“Anna më pyeste shpesh: ‘Pse ke kënduar ti?’, pastaj vijonte: ‘Pse nuk këndon më tani?’ dhe unë i thoja: ‘Po të pres ty që të rritesh e të këndojmë bashkë’…”, ka zbuluar edhe më tej Arditi, ndërsa ky moment nuk është nga ato që harrohen lehtë. Kënga ‘Për Ty’ nuk i dedikohej vetëm Annës, por dhe gjithë dashurisë që publiku i ka dhuruar ndër vite vetë Arditit. Na kishte munguar vërtetë Gjebrea!