Nuanca më e preferuar e pranverës për këtë vit ishte e gjelbra. U pa të përdorej në shumë veshje e kombinime, ashtu sikurse kostumet me printime të kësaj nuance gjetën përdorim në setet fotografike të shumë yjeve botërorë, e jo vetëm. Edhe vajzat shqiptare iu drejtuan jo pak kësaj tendence.
E para që e solli të gjelbrën në qendër të vëmendjes ishte Jonida Maliqi, e cila u paraqit me një kostum sportiv jeshil pa printime. Edhe në kohët e fundit, Maliqi e ka zgjedhur këtë nuancë për evente të ndryshme, duke e shndërruar kështu në ngjyrën e preferuar të pranverës.
Më vonë, ishte Dojna Mema ajo që ekspozoi në ekran një kostum të zi me printime jeshile, gjatë një interviste të Miriam Canit për ‘Pop Culture’. E njejta dizenjo ka tërhequr edhe Eneda Tarifën për një nga performancat e saj në klubet e Tiranës. Vajzat kanë bërë ‘xing’ me këtë veshje, duke na treguar se dashuria për jeshilen nuk i ka ndalur aspak t’i drejtohen së njejtit kostum.
Pas një kohe të gjatë pauze, Elvana Gjata erdhi me foto të reja, ku u pa me paraqitje nga më të ndryshmet. Një prej tyre ishte dhe kostumi i gjelbër, kombinuar me dantella të bardha e aksesorë të shndrritshëm, çka e veçoi Gjatën edhe më tepër ndër imazhet e tjera të publikuara.
Pak ditë më parë, kur Tiani festoi një vjetorin e lindjes, Tuna kishte zgjedhur si për veten, ashtu dhe për atmosferën përreth, temën e xhunglës. Kështu, ajo u paraqit me një ‘jumpsuit’ me printime jeshile, që u komentua edhe për koston krejt të përballueshme: vetëm 50 euro.
Ndërsa sot, ka qenë Miriam Cani ajo që na bëri të rishihnim fotot e Dojnës dhe Enedës. Por jo, këngëtarja nuk ka bërë ‘xing’ me vajzat këtë herë. Megjithatë, zgjedhja ka qenë pak a shumë e njejtë: kostum i zi me printime të gjelbra, kombinuat me atletet të bardha.
E tashmë që i patë, si mendoni, cilës prej vajzave i shkon më shumë kjo nuancë?



















