Ndonëse performanca e tretë përfundoi (me shumë sukses, madje!), kjo nuk do të thotë se ethet e Eurovizionit na kanë lëshuar sadopak. Të gjithë j kemi kthyer sytë nga finalja, me gishtat e kryqëzuar se Shqipëria do të marrë një ndër renditjet më të mira në natën përmbyllëse. E teksa shpresojmë, nuk mund të mbetemi indiferentë ndaj reagimeve të deri më tanishme.
Faqja zyrtare e Eurovizionit po shpërndan performancat në rrjetet sociale, ndërsa komentuesit janë kurdoherë të gatshëm për të shprehur pëlqimin e tyre. Në më pak se 40 minuta, Eugent Bushpepa renditet i dyti më i pëlqyer e komentuar në rrjet, teksa vendin e parë e ka rrëmbyer Lituania për momentin. Me një diferencë tejet të konsiderueshme nga pjesa tjetër, peroformanca e Bushpepës ndezi skenën e Lisbonës, po aq sa dhe publikun, i cili duartrokiti pa rreshtur pas përfundimit të këngës.
Komentet vijnë kryesisht nga shtetas të huaj, çka na jep edhe më shumë shpresë për të arritur më tepër se sa thjesht finalja. Shpresë se do të shohim diçka krejt përrallore këtë vit!



















