Rreth muajit shkurt ishte Ledion Liço ai që ngacmoi publikun nëpërmjet një video të publikuar në rrjetet sociale, ku informohej se ekranit të Top Channel do t’i shtohej një tjetër format. Big Brother VIP do të jetë në fokus të vëmendjes së audiencës, por le të themi që pas postimit të Liços, nuk dëgjuam më për këtë risi të Top-it. Në një kohë kur në video njoftohej ‘së shpejti’, mos vallë ndryshoi diçka lidhur me formatin?
Sipas IM Albania, gjithçka do të nisë sezonin e ardhshëm, për të sjellë diçka krejt ndryshe nga më parë. Personazhet e njohur të vendit do të jenë nën survejimin e kamerave për 24 orë të ditës, e është e kot të themi se interesi do të dyfishohet krahasuar me formatin e thjeshtë të Big Brother. Nëse deri më tani na intereson së shumti të lexojmë apo të dëgjojmë diçka më tepër lidhur me të famshmit, tashmë do të kemi mundësinë t’i njohim edhe më mirë. Duke qenë se është diçka krejt e re për publikun, drejtimi i spektaklit nuk do t’i besohet Arbana Osmanit, e cila prej vitesh drejton Big Brother. Do të jetë vetë Ledioni ai i cili do të ngjitet në skenë në rolin e moderatorit, për të prezantuar mbrëmjen e madhe, që siç e do zakoni, do të mbahet një herë në javë.
Eh, as nuk mund ta imagjinojmë se çfarë mund të bëjnë VIP-at mbyllur në një shtëpi, rrethuar nga kamerat pa asnjë ndërprerje. Mbetet vetëm për t’u parë sezonin e ardhshëm!



















