Tashmë klikimet apo viewt (shikimet) e një kënge në youtube janë kthyer mirëfilli në matës audience. Në momentin që një këngëtar publikon një këngë te re, gara për të fituar ato miliona klikime që ndonjëherë bëhen edhe brenda ditës, duket se është gjithçka artisti kërkon.
Të fitosh miliona shikime të një kënge brenda pak orësh, kuptueshëm të bën të dyshosh se janë blerë, pasi fizikisht është e pamundur që klikimet të jenë të vërteta. Por nëse pjesa më e madhe e këngëtarëve e mohojnë kategorikisht ta kenë bërë një gjë të tillë, duket se reperi Noziy i ka dalë të vërtetës para, duke pranuar se ai i ka blerë klikimet, dhe do të vazhdojë ta bëjë.
Reperi ka publikuar një fragment të këngës së tij të fundit në instagram, duke treguar se “Toto” ka arritur në 14 milion klikime. Për hir të së vërtetës kjo është një shifër e pabesueshme për një këngë që ka vetëm pak ditë që është publikuar ndaj edhe ndjekësit kanë shkruar se ai i ka blerë klikimet. Dhe për habinë tonë, Noizy apo ‘zinzin’ siç është edhe nofka e tij në instagram e ka pranuar. “A dini ça? I kom ble klikimet dhe do blej derisa të bëhen 100 milion, pastaj do e ndal dorën”, ka shkruar këngëtari, duke bërë kështu që për rastin e tij të mbyllet ky ‘kapitull’.
Epo rroftë sinqeriteti!