KreuCelebrity

7 betime për dashuri të përjetshme; VIP-at shqiptarë që shkuan në altar në 2019-ën!

 

Kurorëzimi me martesë është një hap i rëndësishëm për secilin prej nesh, pasi sjell fillimin e një kapitulli të ri në librin e jetës. Padyshim, në këtë ditë të shënuar, të gjithë dëshirojnë të ndajnë me personat e dashur gëzimin e madh. Ashtu si njerëzit jo publikë, edhe VIP-at shqiptarë kanë ndarë këtë vit lumturinë e tyre me miqtë, familjarët dhe jo vetëm. Dashur ose padashur, ceremonia e tyre është bërë kryefjala e mediave dhe ka marrë përmasa më të mëdha audience sesa ata mund ta kishin parashikuar.

Bordo ju sjell një ‘axhendë rozë’ të çifteve që u martuan këtë vit!

Mc Kresha dhe Erzina  15.12.2019

Ishte surprizues për të gjithë lajmi se reperi i njohur nga Kosova i dha fund beqarisë në mes të dhjetorit, teksa ‘privatisht’ (ndonëse nëpër rrjete sociale dolën pamje dhe foto nga dasma që në nisje të ceremonisë), MC Kresha kurorëzoi historinë e dashurisë me partneren Erzina. Sipas Prive.al arsyeja e dasmës së ‘shpejtë’ të dyshes, është fakti që Kresha dhe Erzina janë në pritje të një bebushi.

Blero dhe Afrona 21.09. 2019

Këngëtari Blero Muharremi ka kurorëzuar historinë e dashurisë me partneren Afrona Dika mbrëmjen e 21 shtatorit. Në një prej resorteve të njohura në Shëngjin, dyshja i tha Po njëri tjetrit, në altarin e improvizuar në bregdet teksa në horizont duket perëndimi i diellit. Afrona kishe zgjedhur tri fustane për ditën e saj të madhe, ndërsa grimi ishte i pastër e minimalist. Të afërm, miq e kolegë emra të njohur në shoëbiz-in shqiptar festuan deri në orët e para të mëngjesit në dasmën e Bleros dhe Afronës.

Jonida Vokshi dhe Besnik Krapi

Moderatorja Jonida Vokshi dhe partneri i saj Besnik Krapi i dhanë fund beqarisë të dielën e 14 shtatorit në një ceremoni të veçantë buzë detit Adriatik në Durrës. Çifti i popullarizuar i skenës u njohën gjatë xhirimeve të hit serialit komik, “O Sa Mirë”, ndërsa lidhja e tyre u konfirmua vetëm disa muaj para dasmës. Ashtu siç e do tradita, nusja vendosi të ndjekë dhëndrin  dhe çifti është shpërngulur për të jetuar në Prishtinë.

Elseid Hysaj dhe Fiorenza 02. 09. 2019

Ajo ishte “ndeshja” më e rëndësishme e kapitenit të kombëtares shqiptare, Elseid Hysajt. Larg fushës së blertë, por në Kalanë e Shkodrës, Elseid Hysaj dhe Fiorenza i thanë “Po” njëri-tjetrit, me shpresën që do të jenë së bashku deri në fund të jetës së tyre. Ndër dhjetra dëshmitarë që ndoqën dhe morën pjesë në gëzimin e çiftit, ishte edhe kuptimi i jetës së babi Elseidit dhe mami Fiorenzës; djali i tyre Elis.

Erik Lloshi dhe Romina 18. 08. 2019

Këngëtari i njohur Erik Lloshi, kurorëzoi në martesë dashurinë me partneren e tij Rominën në muajin gusht të këtij viti.  Çifti u martua në një dasmë madhështore në periferi të Tiranës me shumë të ftuar, mes tyre edhe personazhe VIP.

Gaz Paja dhe Ira Seferi 01. 06. 2019

Nëpërmjet një ceremonie madhështore në një prej hoteleve të njohur në Tiranë, aktori i Portokalli Gaz Paja dhe partnerja Ira Seferi i thanë Po njëri tjetrit para dhjetra të ftuarve. Ndonëse Gazi dhe partnerja e tij Ira kanë preferuar ta shijojnë romancën e tyre larg syrit kureshtar të publikut, sa i përket dasmës ajo nuk ishte aspak private, pasi që në minutat e para të nisjes së ceremonisë rrjetet sociale u ‘bombarduan’ nga foto të çiftit të veshur nuse dhe dhëndër.

Besa Shahini dhe Dardan Molliqaj

Ministria e Arsimit Besa Shahini i  dha fund beqarisë në fillim të muajit prill të 2019-ës teksa së bashku me partnerin deputetin kosovar Dardan Molliqaj, çifti u celebruan në Prishtinë, ndërsa organizuan pak ditë më vonë një festë intime me miq e familjarë në një lokal në Tiranë.

 

 

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF