Në 7 shkurt Universiteti i Arteve, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave organizuan një koncert me muzikën e të famshmit Limos Dizdari. Ishte një mbrëmje e mbushur me emocion dhe dashuri. Dashuri për profesionin, dhe për një muzikë që ka shoqëruar breza të tërë, deri diku dhe si pa kuptuar. Sepse Limos Dizdari nuk njihet vetëm për veprat simfonike, po dhe për muzikën e disa filmave që kanë mbetur të rrënjësura në kujtesën tonë si “Mësonjëtorja”, “Horizonte të hapura”, “Përrallë nga e kaluara”, “Gjurmë të bardha”, etj, apo edhe për këngë si “Keputa një gjethe dafine”, e “Fjalët e qirit”, që do të mbeten në fondin e artë të kulturës shqiptare.
Dhe kjo ishte një mënyrë tejet e bukur për të kremtuar një jetë të tërë të kushtuar muzikës, dhe një karrierë të suksesshme, e cila na ka sjellë krijime të paharrueshme. Nuk është cudi që në fund të koncertit, kompozitorit i erdhi një tortë ku shkruhej “Faleminderit për muzikën” .
Sepse, ndodh shumë shpesh që mbahen koncerte përkujtimore për artistë që ndahen nga jeta. Ky ishte një rast mjaft I mirë për të vlerësuar e për të falenderuar për muzikën e tyre edhe ata që janë ende në jetë.
Koncerti u zhvillua me pjesëmarrjen e artistëve Merita Rexha Tershana, Kastriot Tusha, Blerta Ristani, Arben Llozi, Pjetër Guralumi, Edison Misso, Fatos Badulla, Laura Lila, Paola Budani, Igli Rapaj, Orkestra e dhomës së Uart e udhëheqës artistik Isak Shehun.