KreuCelebrity

Gratë, nuk duhet të shqetësohen vetëm për dhunën, por edhe për paratë… të ardhmen, e pse jo dhe pensionin!

 

Nga Ilda Lumani

Këto ditë para 8 Marsit, si çdo vit organizatat në mbështetje të grave, të të drejtave të tyre, njerëz të medias, shoqërisë civile dhe asaj të spektaklit janë bërë pjesë e iniciativave të ndryshme në sensibilizimin e mbrojtjes së të drejtave të grave, dhe veçanërisht të dhunës ndaj grave, një plagë shumë e rëndë për shoqërinë shqiptare, që vijon të jetë ende present..! Për më tepër rastet e marrjes së jetës nga bashkëshortët të shumë grave janë dëshmi të tmerrshme… tronditëse… të frikshme!

Në anën tjetër të botës diskutimet rreth grave vijojnë, po me të njëjtin zjarr para 8 marsit. Problematikat e tyre rrahin pak në këto tema e plot të tjera, që kanë në fokus gruan.

E tillë ishte një forum me temë “Si të marrësh kontrollin mbi financat e tua” e organizuar në këtë kuadër nga revista “Harper’s Bazaar”, në Londër. Një temë kjo në fakt, që nuk është se ngjan e pavend edhe në shoqërinë tonë…, por që sigurisht i takon një target grupi të caktuar, të kufizuar ndoshta deri në kufijtë e Tiranës… Më tej kjo temë do të kërciste, dhe do të ishte jashtë fokusit të interesit të shoqërisë shqiptare…

( Nga forumi i organizuar nga Harper`s Bazaar, në Londër)

Problematikat që kanë lidhje me gruan në Shqipëri kanë një shumëllojshmëri natyrash… nga ato më ekzistencialet dhe deri tek ato avangardat, nëse do ta cilësonim të tillë… “Si të marrësh kontrollin mbi financat e tua”? Helen Lewis, autore dhe gazetare, një nga folëset e këtij forumi, komentonte se pasi u divorcua nga bashkëshorti kishte para mënjanë sa të merrte një apartament me qera… Kjo, sepse ato nuk mund të kenë pak lekë mënjanë për të marrë një shtëpi me qera, përpos kësaj kanë frikë të largohen nga shtëpia, ku jetojnë me bashkëshortin që ndoshta nuk kanë fare marrëdhënie, apo frikë të jetojnë vetëm, apo frikë të nisin një jetë nga e para…

Një shembull I tillë, ishte edhe në programin “Dua të të bëj të lumtur” të Arbana Osmanit një javë më parë, ku një zonjë nga Lushnja, Ermira, nënë e tre vajzave, me një bashkëshort, i cili nuk kishte më as interes për të e as për jetën familjare… jo vetëm që nuk braktisej nga e shoqja, por kur ajo u sëmur e mandej u operua nga tumori, ai e la! E dhimbshme! Çnjerëzore!

(Në foto, Ermira nga Lushnja, në emisionin “Dua të të bëj të lumtur” në Top Channel”)

Por, përtej kësaj, ajo sikundër shumë të tjera në Shqipëri jetojnë këtë lloj jete, sepse nuk kanë të ardhura të jetojnë vetëm! Ndaj Lewis, këshillonte që pak lekë mënjanë të hiqen në çdo rast, se një ditë do t’ju duhen, dhe atë ditë askush nuk do t’ju ndihmojë. Çështja që ngrinte gazetarja e njohur e BBC, Sarah Sands, editore e “Today Programme”, një këshillë po aq e vlefshme, që ajo ju jepte gjithë zonjave “ishte të bëjnë një planifikim për pensionin. E ardhmja nuk do të kujdeset për veten e saj”!

Kjo është çështja që nuk e mendojmë, ose e mendojmë më pak!

A mundet një grua shqiptare të planifikojë pensionin? Këto tema, ndoshta duken si klishe, sikur janë lukse në të përditshmen tonë, shpesh të mbingarkuar, me hallet e veta dhe me hallet e shoqërisë…, megjithatë përtej dhunës (zero tolerancë ndaj saj!) gratë duhet të shqetësohen edhe për pjesën e parave! Ajo do t’i ndihmonte të jetonin pa frikë në çdo kohë!

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF