Masat e ashpra të izolimit janë vendosur tashmë në të gjithë Italinë me qëllim parandalimin e përhapjes të koronavirusit të ri. Kryeministri italian, Giuseppe Conte deklaroi se njerëzit do të lejohen që të udhëtojnë vetëm për punë apo emergjenca familjare.
Masat, sipas tij, do të fillojnë të zbatohen nga dita e martë, me qëllim të mbrojtjes së pjesëtarëve më të ndjeshëm të shoqërisë.
“Ne jemi duke u përballur me rritje të madhe të infektimit dhe vdekjeve”, ka thënë Conte I cituar nga REL. Ai I bëri këto deklarata pasi u raportuan raste të reja të të infektuarve në të 20 rajonet italiane. Numri i vdekjeve në Itali nga koronavirusi i ri është rritur nga e djela të hënën me 97 vete, duke arritur në 463.
Tashmë vendi ynë fqinj është shteti më I goditur pas Kinës. Në një fjalim televiziv të hënën, kryeministri Conte ka thënë se gjëja më e mirë që mund të bëjnë njerëzit është që të qëndrojnë në shtëpi. Ai ka shtuar se të gjitha ngjarjet sportive, duke përfshirë ndeshjet e futobollit, do të pezullohen në gjithë Italinë.