
Numri i viktimave të koronavirusit në Itali shënon një rekord të frikshëm ditor. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit kanë humbur jetën 627 persona, duke e çuar numrin e përgjithshëm të tyre në 4032.
Afro 4700 janë të infektuarit e rinj, që kanë arritur një total prej gati 37 700. Ndërsa shifra e të shëruarve ka arritur në 5 129, mbi 600 më shumë se një ditë më parë.
Në një komunikim me lajmet e Televizionit Klan, Jonida Haxhi, mjeke në një spital të Romës, u shpreh se autoritetet shëndetësore kanë shtuar numrin e testeve që kryen çdo ditë.
Ritme të shpejta të përhapjes së koronavirusit ka edhe në Spanjë. Listës së viktimave ju shtuan 235 persona gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar në 1002 numrin e përgjithshëm të tyre. Numri i të infektuarve ka arritur në gati 20 mijë. Spanja renditet e dyta në Europë pas Italisë.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha gjatë një konference për shtyp, se vendi i tij ndodhet aktualisht në nisje të luftës me koronavirusin dhe se ka një rrugë të gjatë përpara. Ky vend numëron mbi 371 të vdekur me mbi 10 mijë të infektuar.
Ndërsa në Wuhan, vatra e pandemisë globale për të dytën ditë radhazi nuk është shënuar asnjë i infektuar i ri. Në gjithë vendin numërohen 39 raste të reja brenda 24 orëve, të gjithë të ardhur nga jashtë.
Globi numëron 10 mijë viktima e afro 250 mijë të infektuar prej fillimit të përhapjes.
Tv Klan