Asistentja ekzekutive e Steve Jobs, Naz Beheshti ka publikuar një libër të quajtur “Pause. Breathe. Choose.: Become the CEO of Your Well-Being”. Në një intervistë për CNBC ajo shpjegoi se si puna me bashkëthemeluesin e Apple e frymëzoi në jetën e saj, si një trajnere e mirëqenies, folëse dhe autore. Ajo gjithashtu ka zbuluar disa të pathëna që nuk diheshin për jetën dhe tipin e shefit të saj Steve Jobs.
Ajo ka treguar se Steve e pëlqente shume stilin e shëndetshëm të jetesës dhe përtej njeriut vizionar që pushtoi tregun botëror, ishte një njeri që ushtrohej shumë, hante shëndetshëm, bënte yoga dhe shumë meditim.
“Unë shpejt zbulova si e kalonte kohën e lirë Steve Jobs dhe si kjo gjë ishte një nga çelësat e suksesit të tij si një novator i shkëlqyeshëm. Kurdo që dikush kërkonte Steve-n, ose sa herë që nuk mund ta kontaktoje në telefon, kishte vetëm një vend ku mund ta gjeje gjithmonë: Në zyrën e Jony Ive, ish-shefi i dizajnit të Apple. Ne mund të lodheshim duke u përpjekur të lidheshim me të, duke u përpjekur ta kishim në takime. Në një moment, do të na duhej të telefononim në zyrën e Jony-t dhe të kërkonim ndihmën e tij për ta tërhequr Steve-n nga koha e tij e lirë. Koha e tij me Jony-n i dha hapësirë dhe mundësi për të qeshur, imagjinuar, krijuar dhe pasur një ndjenjë të përtërirë të lirisë”; ka treguar Naz Beheshti



















