
Rregullatori europian i barnave e pranoi një ditë më parë se ka një lidhje mes vaksinës së AstraZeneca-s dhe trombozave, edhe pse është shumë e rrallë dhe sërish këshilloi vazhdimin e vaksinimit me të. Ajo foli kryesisht për mpiksjen e gjakut, CVST, një trombozë e sinusit venoz cerebral. E thënë thjesht është një mpiksje gjaku në një venë të madhe në tru. Gjaku normalisht qarkullon nëpër vena nga truri e kthehet përsëri në zemër. Ajo mund të bllokojë rrjedhën e gjakut në tru, duke ulur kështu furnizimin me oksigjen dhe duke shkaktuar dëmtime potenciale, si ndalimi i funksionit të sistemit nervor qendror. Ka disa shenja sipas ekspertëve, që sinjalizojnë një problem pas vaksinimit. Komiteti i Përbashkët për Vaksinimin dhe Imunizimin (JCVI) në Britani ka lëshuar udhëzuesin ku tregon se kushdo që ka ndonjë nga simptomat e mëposhtme katër ditë ose më shumë pasi ka bërë vaksinën, duhet të kërkojë ndihmë të shpejtë mjekësore:
-Një dhimbje koke e fortë, e vazhdueshme
-Shikim i turbullt
-Gulçim
-Dhimbje kraharori
-Enjtje në këmbë
-Dhimbje të vazhdueshme në stomak / bark
-Mavijosje të pazakontë ose pika të kuqe / vjollcë të përtej vendit të injektimit ku bëhet vaksina
-Simptoma neurologjike si dobësi në këmbë ose kriza.



















