Nga Ilda Lumani
Në jetën e çdo njeriu ka disa kujtime të cilat lënë shenjë për gjithë jetën. Falë punës sime kam takuar njerëz të thjeshtë dhe personalitete nga më të ndryshmit; nga ata shqiptarë e deri tek ata hollivudianë… Secili ka një mbresë të veçantë në memorien time… por, është një kujtim, që nuk fshihet, jo thjesht se ishte ndoshta kontakti i parë me të, por se ai u bë frymëzimi dhe motivi për të parë me ëndje ekranin, për ta dashuruar edhe më shumë gazetarinë dhe për t’u bërë një profesioniste nga dita në ditë…
Në verën e vitit ’95 si një fëmijë fatlum për atë kohë isha për pushime në Dhërmi. Sapo kisha mbaruar klasën e tetë dhe ajo botë e magjishme që deti Jon ofronte ishte përtej përfytyrimeve të një fëmije. Det, not, lojëra, argëtim ishte motoja e ditës sonë, ndërsa një ngjarje do të surprizonte pushimet tona. Dikush nga grupi na tregoi se në plazh kishte ardhur Adi Krasta me të fejuarën! Të shihnim çiftin më të famshëm të momentit, personazhin që kishte rrëmbyer zemrën e çdo shqiptari, u kthye në lajtmotivin e atyre pushimeve dhe një nga kujtimet e paharrueshme edhe dita sot…
Ja tregoj këtë histori fëminore Krastës, në takimin tonë për prezencën e tij si i ftuari në premierën e “Në kurthin e Piter Pan”, dhe ai përtej habisë shton se ishte pak çudi sesi babai i Brikenës i kishte dhënë leje të bijës për pushimet e para çift. Sigurisht, ‘leja’ sot duket demode, por gati 3 dekada më parë ishte një normë. Për Brikenën bashkëshorten e tij, një nga vajzat më të bukura të Gjirokastrës, e cila dallonte edhe në Tiranën e madhe, u duk befasi zgjedhja e Krastës. Edhe shokët e Krastës gati nuk e besuan këtë gjë, kur ai jua kishte rrëfyer, siç më pohon.
Sot, ata jetojnë me vajzën e tyre Lea, 17- vjeç, ndërsa djali 22-vjeçar Franci vijon studimet në Gjermani. Asnjëri prej tyre nuk ndjek dhe pëlqen rrugën e ekranit, sikurse i ati i tyre, madje nuk e kanë fare qejf këtë lloj fame që ju ka “rënë për pjesë”! Në bisedë, me fëmijët Krasta pohon se është baba pak autoritar, ose le të themi i disiplinuar, por ama nuk mohon, se “I kam ndërruar pelenat Francit deri në moshën 2 vjeç. Nuk ka ndjesi më të bukur se sa kur babai mban në gjoks fëmijën”, pohon Krasta.
***
Në zig zaget e tij si gazetar jo shpesh kam qenë pro tij, dhe këtu nuk i referohem devijancës së tij politike së fundmi,- megjithatë ai mbetet unik në artikulimin, zbërthimin që i bën ideve, personazheve, të ftuarve… jo pa të drejtë Aron në Piter Pan i tha se “tek ti VIP-at ndihen si tek psikoanalisti”.., ti i dëgjon dhe ata rrëfehen… thonë çdo gjë.., unë do të shtoja, – a thua se janë te Prifti.. kërkojnë faljen, mirëkuptimin, tolerimin dhe bekimin e Krastës… Këtë qasje nuk e kam dalluar tek asnjë prezantues/gazetar tjetër!
***
Në vitin 2007 teksa i ishte rikthyer medias me New Day në Top Channel, unë 26 vjeç isha e ftuar tek ai për punën time në Gazetën Shqiptare, që jehonte pa pasur nevojën ta reklamoje në rrjetet sociale!
Dhe në atë takim ndoshta nuk pata guximin t’i thosha asnjë fjalë nga ato që kisha menduar dhe vlerësuar tek ai!
Shpesh ne nuk e themi fjalën se s’na lë një lloj krenarie, apo kemi frikë se mos ngjajmë si lajkatarë… stepemi dhe nuk themi atë që mendojmë!
Ndërkohë që çdo njeri ka nevojë të dëgjojë, të marrë kënaqësinë e mesazhit që ka dhënë në një rast apo në dhjetëra mijëra raste përmes ekranit magjik, kur nuk kishte shqiptar që nuk rreshtohej para të 12-ave të Grabockës që kishin vetëm një kumtues, Adi Krasta! Ato spektakle tronditën, sollën erën e re të “entertainment” në vend dhe u bënë pikë reference për atë që do të vinte në programet e show-t në të ardhmen!
Ndër vite Krasta ka dhënë intervista të rralla, por kur i është dashur të flasë nuk është kursyer!
Sikurse ndodhi me eventin “E para ishte fjala”!, në Pallatin e Kongreseve në vitin 2009, apo edhe me programin e tij “A” që përtej lëvizjeve në shumë ekrane nuk e ka humbur busullën e të qenurit dhe përfaqësuarit Krastën e plotë!
Por, një njeri asnjëherë nuk është mjaftueshëm i rrëfyer pa folur për veten e tij!
Dhe kjo ndodhi në premierën e Piter Pan, ku intervistuesit e vegjël, 12 fëmijë nga mosha 4-7 vjeç zbuluan nga Krasta 55-vjeçar ato që asnjë gazetar nuk kishte mundur t’ia rrëmbente deri më parë.
Ngjarje si; episodi nga dasma e vet, ku ishte larguar që në orën 12 të natës duke lënë të ftuarit në festë… ëndrra për t’u bërë pilot, përkushtimi i tij në familje, pastat e mrekullueshme që gatuan, emocionet dhe përlotjet që i fal edhe një film i mirë, temperatura që i shkon 39 gradë, kur diçka nuk ka shkuar mirë në program, të qenit një gënjeshtar i keq, apo këshillat e vyera të të atit mjek për të qenë një “njeri i mirë” ishin sekrete që e nxorrën atë disi nga guacka e vet.
Sot, Krasta në përballjet e tij me të ftuarit në “A” me pjekurinë profesionale, euridicionin e pashoq, trajtimin e rrallë që i bën fjalës është një leksion i pakohë për çdo kënd.
Faleminderit Adi Krasta që je! Ndoshta në intervistën e rradhës në BORDO do të zbuloj “Pse ty të duan dhe ata që nuk të duan!”



















