Me Popin jemi njohur në X Factor Albania, talent show-n që lëvizi gjithë Shqipërinë në kërkim të talenteve. Ai gjithmonë në paskuintë si syri, veshi dhe punëmbaruari i çdo problematike që prodhon spektakli, si asistent i regjisores Vera Grabocka. Prej mbi një viti ka marrë një tjetër drejtim në karrierën e tij, këtë herë ‘full-time’ si menaxheri i këngëtares Arilena Ara. Në këtë proces paralel po ideon dhe projekton të tjera gjëra për të ardhmen e tij. Në këtë bisedë për Bordo ai tregon…
Popi, apo menaxheri i Arilenës. Si ju pëlqen më shumë t’ju thërrasin?
Popi, menaxheri i Arilenës!
Si është jeta, aktiviteti i një menaxheri… Në botë ky emër vlen shumë. Në Shqipëri gëzon të njëjtën peshë; në famë dhe të ardhura? Është një biznes i mirë? Në çfarë konkluzioni keni arritur?
Jeta dhe aktiviteti i një menaxheri është “all about business”. Më vjen mirë që në Shqipëri ka filluar të dëgjohet çdo ditë e më tepër fjala menaxher, por kuptohet që është ende një status që e merr kushdo dhe në çdo kohë dhe siç e merr edhe i ikën. Kjo vjen si rezultat i raportit midis artistëve dhe personave që zgjedhin për t’i pasur si menaxher. Kuptohet që ende s’kemi njerëz të kualifikuar për këtë status në Show Business. Menaxheri nuk është thjesht për t’u përgjigjur në telefon siç bëjnë rëndom tek ne dhe s’ka pse të jetë domosdoshmërisht mami, babi, motra, vëllai, kushëriri, komshiu përballë apo i/e dashuri/a. Menaxheri është projekt-realizues i karrierës së artistit. Sa më i suksesshëm të jetë artisti aq më i madh do të jetë edhe impakti në raport me famën dhe paratë.
Çfarë axhende keni ju aktualisht? Arilena gjithashtu?
Axhenda jonë s’ka qenë kurrë më e zënë sesa gjatë kësaj periudhe, unë personalisht më në fund po merrem me disa projekte që kisha vite që i kisha menduar për t’i realizuar ndërkohë Arilena është totalisht e përqendruar tek ajo që di të bëjë më mirë (muzika), me prodhimin e muzikës së re deri në finalizimin e një albumi i cili do vijë shumë shpejt ?
Çfarë synimesh keni ju për Arilenën. Është tregu botëror diçka e mundur…? Apo sa më shumë e njihni atë, aq më i vështirë ju duket?
Pa modesti, mendoj që synimet që kemi pasur për karrierën muzikore në Shqipëri le të themi që i kemi arritur, thjesht duam ta ruajmë këtë standard që kemi vendosur i cili është sfidë më vete. Tregu botëror ka qenë, është dhe do jetë synimi jonë, ne tashmë kemi 3-4 vite që i kemi thyer “kufijtë” tanë. Kështu që sfida e rradhës është pikërisht vendosja e një standardi të ri për ne, në muzikën botërore e cila është e vështirë, por jo e pamundur.
Popi, ka një kuriozitet gjithmonë për ata që fshihen pas produksioneve, apo pas personazheve të mëdhenj. Ju vetë e keni ndjerë këtë? Cila ka qenë pyetja më e çuditshme që ju kanë bërë për një nga emrat me të cilët keni punuar? Mund të na e tregoni?
Të panjohurat zgjojnë gjithmonë kuriozitet, psh unë gjithmonë kam problemin me emrin se nuk është emër i zakonshëm. Ndërkohë një prej pyetjeve që njerëz të ndryshëm, në kohë të ndryshme më kanë bërë më shumë ka qenë “Çfarë moshe ka Vera Grabocka” edhe pse dihet botërisht që është vetem 25 vjeç.
Ju mungon spektakli? Do t’i riktheheshit sërish?
Unë e kam nisur shumë i ri punën në televizion dhe pa kuptuar kanë kaluar 2 dekada duke mos u shkëputur për asnjë sezon, kjo periudhë ishte kohë reflektimi për të cilën paskam pasur shumë nevojë, gjë që nuk e kisha kuptuar nga ritmi i punës që kam bërë. Mora një vendim personal për t’u shkëputur përkohësisht, si duket “unë dhe puna ime” kishim nevojë për pak “hapësirë”. Shumë shpejt do rikthehem me disa projekte për të cilat siç e theksova më lart kam vite që i mendoj.



















