Pak ditë më parë në panelin e të ftuarve në programin e Rudina Magjistarit ishin Arlinda Dudaj dhe Sazan Guri, ku ndërsa nuk po binin dakord për temën, pasi mbështesnin teori të ndryshme, në një moment ambientalisti Guri i drejtohet botueses Dudaj me shprehjen ‘të keqen vëllai se je bërë dhe simpatike sot’. Kjo mënyrë të shprehuri nuk i pëlqeu aspak moderatores Magjistari e cila i tërhoqi vëmendje sazanit për faktin se sipas saj ai herë pas here ka sjellje seksiste.
Ndonëse kanë kaluar disa ditë nga ajo puntatë, Sazan Guri e ka cekur edhe një herë incidentin në llogarinë e tij në facebook ku teksa ka shpërndarë videon e emisionit ai shprehet se nuk ka patur sjellje apo shprehje seksiste karshi Dudajt.
“Miq të dashur, më erdhi kjo video se nuk e kisha parë as vetë! Po kapët ndonje sjellje ‘seksiste’ time gjatë një bisede për lumturinë e njeriut, aman ma thoni që ta kem parasysh për herë tjetër….. t’ju vesh pa pikë interesi, t’ju bësh emision, të harxhosh kohë nga vetja dhe të etiketohesh kështu…këta qofshin, flm, e me respekt per secilin nga ju që do kushtojë pak kohë…”, shkruan Guri në një postim në “Facebook”.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Magjistarit ku përmes një postimi të gjatë, i ka bërë replikën ambientalistit duke shkruar:
“Përshëndetje, Sazan! Meqë paske ngritur këtu tabelën e qitjes e rri bën sehir, po të them që minimumi të më kishe thirrur me një tag në këtë pazar anadollak: do kishte qenë më e denjë nga ana jote.
E dyta, nëse akoma s’e ke kuptuar që ndërhyrja ishte seksiste, s’paske për ta kuptuar asnjëherë. Një kompliment jo me patjetër është seksist, por në varësi të kontekstit po. Kur një bashkëbiseduese të kundërshton me argumenta, ti pse i përgjigjesh me komplimente për pamjen e saj dhe pse jo për mendimet e saj, fjala bie? Ky është një mesazh i nënkuptuar, që bashkëfolesen nuk e merr seriozisht në debat dhe kjo sjellje quhet sjellje seksiste. Dhe sigurisht që më takonte të ta vija ne dukje, persa kohe kjo ndodh ne studion time dhe sa herë ndodh në studion time. S’po permend ketu gjuhen intimiduese me heret, që ta tolerova për fat të keq, e që në këtë video gjithashtu konstatohet fare lehte.
Dhe se treti, me duhet të të kujtoj sa herë ke ardhur në programin tim, këtu e vite përpara, që në fillimet e tua publike, nëse s’i mban mend, interesi ka qenë reciprok dhe ti këtë e di mirë. Dhe s’është aspak dinjitoze nga ana jote të shprehesh si më lart. Madje edhe këtë diskutim mund ta kishim bërë ndryshe, shumë më profesionalisht, por mesa duket fisnikeria nuk tregohet me gjithkënd bujare. Sa keq!”