
Marrëdhënia e fëmijëve me teknologjinë e kryesisht me celularin çdo ditë e më shumë po kthehet në problematike. Sipas mjekëve pediatër qëndrimi për shumë kohë në celular të një fëmijë mund të shkaktojë dëme në mendjen dhe trurin e fëmijës. Duke qenë se është pothuajse e pamundur për ta shmangur 100 % përdorimin e celularit tek fëmijët, neuroshkencëtaët kanë vlerësuar një orar për secilën moshë.
Pediatrja Lira Gjika, e cila ndan herë pas here këshilla dhe sugjerime rreth prindërimit në rrjete sociale ka postuar pak më parë një status ku tregon se sa mund të qëndrojë një moshë e caktuar në celular.
“Fëmijët dhe celulari.
Ja çfarë këshillojnë neuroshkencëtarët, psikologët dhe pediatrit për përdorimin e celularit nga fëmijët:Për fëmijët deri në moshën dy vjeç, celulari nuk duhet të bëjë pjesë në sendet, të cilat mund t’i përdorë fëmija, pasi këto mjete shkaktojnë dëme në trurin dhe mendjen e fëmijës. Mbas moshës dy vjeç, deri në moshën katër vjeç, mund të përdoret jo më shumë se një orë në ditë. Nga mosha katër vjeç e deri në tetë vjeç, fëmija mund të përdorë celularin deri në dy orë në ditë, por jo më shumë. Një këshillë tjetër, shumë të rëndësishme, që specialistët këmbëngulin, që prindërit apo zëvëndësuesit e tyre duhet ta respektojnë dhe zbatojnë me rigorozitet, është të mos përdoret celulari, kur fëmija ushqehet. Kujdes prindër, përpiquni t`i zbatoni këto këshilla, mos i neglizhoni. Për momentin do të gjeni një zgjidhje, por do të komplikoni më shumë problemet në të ardhmen”, shkruan Lira Gjika



















