Vaksinimi i detyrueshëm duket sikur i tremb qytetarët, ndaj ka një kuriozitet të shtuar se si do të vijojë procesi i vaksinimit në vendin tonë. Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli së fundmi në një interviste për A2 në lidhje me këtë temë u shpreh sese Komiteti Teknik i Ekspertëve po diskuton për të vaksinuar fëmijët por ende nuk ka asnjë urdhër për ta bërë të detyrueshëm.
“Ka vende që e kanë nisur vaksinimin e fëmijëve, ndërsa ne e kemi në diskutim. Shumë shpejt do të ketë vendimmarrje për këtë. Sa i përket vaksinimit të arsimtarëve, nuk ka asnjë urdhër nga Ministria e Shëndetësisë për ta bërë të detyruar. Por, ka një proces sensibilizimi që të kryhet vaksina. Vaksinimi i detyruar është debat i gjerë dhe filozofik do të thosha, sepse ka të bëjë me lirinë e dikujt duke mos cenuar lirinë e dikujt tjetër. Kur jetojmë në komunitet, nuk kemi përgjegjësi vetëm për veten, por edhe për të tjerët. Populli shqiptar e ka kulturën e vaksinimit dhe unë besoj në këtë kulturë.”- tha Rakacolli.



















