Luana Vjollca sapo konfirmoi largimin nga ekrani i “Top Channel” me anë të një statusi të gjatë në rrjetin social Instagram. “Nuk e paskam dit’ sa shumë qenkemi dasht’”, fillon letra që Luana iu ka dedikuar fansave të saj të shumtë, të cilët siç ajo thekson iu detyrohet një përgjigje, pasi kanë qenë të panumërt ata që e kanë pyetur se kur do ta shohin sërish në ekran.
Duke shprehur falënderimet për gjithë dashurinë që fansat i kanë dhënë, Luana u shpreh se pas 15 vitesh është larguar nga shtëpia e saj, ku ajo u rrit dhe u zhvillua. Ndërkohë ajo theksoi se për momentin po merret me një projekt personal, i cili më shumë se gjithçka tjetër është zëri i saj i brendshëm, për të tejkaluar më pas në zërin e secilit prej nesh.
Luana premton se paralelisht me projektin personal “Thuaje” po punon për të qenë pranë publikut me programe argëtuese, të cilat do të vijnë në ekran të shtunave mbrëma. “Sepse tradita jonë mund të vonojë, por nuk do të mungojë, PREMTOJ!”, ka shkuar ajo. Dhe sipas burimeve ekrani ku do ta shohim moderatoren do të jetë ABC News.