
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ka njoftuar se viti i ri akademik për universitetet do të nisë më datë 18 tetor. Ajo me anë të një postimi në rrjete sociale, bëri me dije se shtyrja ka ardhur për arsye që të përshpejtohet procesi i vaksinimit të pedagogëve dhe studentëve, në mënyrë që të ruhet shëndeti i të gjithëve.
Kushi theksoi se koha e mbetur, pra nga data 11 deri më 17 tetor, do të shfrytëzohet për vaksinim. Në ndihmë të kësaj, ministrja tha se ambientet e universiteteve do të jenë të hapura me personel mjekësor, të gatshëm për të kryer injektimet.
Njoftimi i ministres Evis Kushi:
Të dashur studentë,
Së pari dua t’ju falenderoj të gjithë ju që i jeni bashkuar procesit të vaksinimit dhe po na ndihmoni që së bashku t’i rikthehemi normalitetit në të gjitha universitetet e vendit. Meqënëse fillimi i vitit të ri akademik po afron dhe ne duam që të gjithë ju, pa përjashtim, të hyni në auditore pa rrezikuar shëndetin tuaj dhe të stafeve akademike, javën e ardhshme e kemi shpallur si “Java e vaksinimit masiv të studentëve”.
Shumë faleminderit edhe një herë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që shprehu menjëherë gatishmërinë që në të gjitha fakultetet dhe universitetet e vendit të vendosë në dispozicion ekipet e tyre të vaksinimit, për të mundësuar mbarëvajtjen e këtij procesi.
E që kjo javë të jetë sa më produktive, me kërkesë të Konferencës së Rektorëve, viti i ri akademik do të fillojë zyrtarisht në datën 18 tetor, me qëllim që nga data 11-17 tetor të gjithë së bashku të jemi të fokusuar vetëm në procesin e vaksinimit të studentëve.
Nga universitetet do të kërkoja sa më shumë bashkëpunim dhe koordinim me strukturat e shëndetësisë, për të venë në dispozicion të gjitha hapësirat e nevojshme për studentët dhe personelin e vaksinimit, ndërsa studentëve do t’u lutesha me gjithë zemër e do t’i inkurajoja fort që ta shfrytëzojnë edhe këtë mundësi të re, me qëllim që viti i ri akademik të jetë sa më i mbarë e i suksesshëm.



















