Në prag të fillimit të “Love Story 2”, autorja Ilda Lumani ka zbuluar të tjera detaje dhe risi të këtij sezoni të dytë.
Në një lidhje “Skype” në emisionin e mëngjesit në Klan News, autorja e “Love Story” theksoi se risia kryesore është padyshim fakti që në fron do të jetë edhe një vajzë, ndryshe nga sezoni i parë që ishte vetëm një djalë.
Ilda u shpreh që interesi për vajzën froniste ka filluar të ndihet, pasi tanimë publiku është mësuar me faktin që një djalë kërkon një vajzë në ekran, nisur nga edicioni i kaluar, por një vajzë të kërkojë partnerin e saj mes disa djemve në një program dashurie është vërtetë e veçantë.
Autorja theksoi se ka qenë surprizuese fakti që të gjitha vajzat e kanë pretenduar fronin, pasi dëshirojnë të jenë në qendër të vëmendjes. Më tej shtoi se vajza që është zgjedhur është spikatur që vitin e kaluar dhe e meriton plotësisht të jetë në atë karrige pasi i plotëson të gjitha kushtet, dhe do të bëjë diferencën me elegancën, bukurinë, nivelin dhe mënyrën se si do të sillet.
Spektakli do të nisë më 15 nëntor nën prezantimin e Alketa Vejsiut dhe regji të Vera Grabockës.